Ilustrimi: BIRN/Igor Vujicic

Privatësia, mbrojtja që ende nuk trajtohet në gjykatë

Edhe pse ligji e garanton të drejtën për privatësi, gjykatat e vendit ende nuk kanë të dhëna për numrin e padive ku palët janë ankuar për shkeljen e privatësisë nga raportimet në media por edhe nga insitucionet qeveritare.

“Kjo është vajza që bëri vëtëvrasje”, “Këta janë personat që u vranë…”, “Këta janë personat që humbën jetën në aksident”, janë disa nga titujt e lajmeve në mediat online, ku janë të bashkëngjitura fotot e nganjëherë edhe videot.

Pavarësisht natyrës tragjike që përmbajnë këto ngjarje, mediat online ekspozojnë identitetin dhe të dhënat personale të viktimave.

Është Ligji Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale i cili përcakton të drejtat, përgjegjësitë, parimet dhe masat lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale dhe themelon institucionin që është përgjegjës për mbikëqyrjen e legjitimitetit të përpunimit të të dhënave.

Neni 13-të i këtij ligji thotë se të dhënat personale të personave të vdekur mund t’u zbulohen vetëm marrësve të autorizuar me ligj. Mirëpo sipas këtij neni të dhënat personale të personave të vdekur mund t’u zbulohen trashëgimtarëve ligjorë të tyre, nëse ata tregojnë interes legjitim dhe personat e vdekur nuk e kanë ndaluar me shkrim zbulimin e të dhënave personale të tilla.

“Nëse personi i vdekur, paraprakisht nuk e ka lejuar zbulimin e të dhënave të tij ose saj, trashëgimtarët ligjorë mund ta lejojnë me shkrim zbulimin e të dhënave të tilla, përveç nëse me ligj është paraparë ndryshe”, thuhet në nenin 13-të të Ligjit Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Rastet e iniciuara në gjykatë për shkelje të privatësisë, shpifje dhe fyerje

KALLXO.com ka kontaktuar me Këshillin Gjyqësor të Kosovës për të kërkuar informacione në lidhje me rastet për të cilat është iniciuar procedurë gjyqësore në gjykatë për shkelje të privatësisë, shpifje dhe fyerje nga media. Të njëjtit kanë thënë se nuk posedojnë të dhëna sa i përket kërkesës së parashtruar nga KALLXO.com.

Në bazë të Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes, “… shpifja nënkupton publikimin e një fakti ose deklarate të pavërtetë të cilën publikuesi e din ose është dashur ta dijë se fakti dhe deklarata është e pavërtetë, kuptimi i së cilës dëmton reputacionin e një personi tjetër”.

Publikimi i fyerjes, sipas ligjit në fjalë nënkupton: “…përhapjen e shprehjes me shkrim ose gojarisht, përmes mediave të shkruara ose transmetuese apo përmes mjeteve tjera, shprehje të cilën e ka lexuar ose dëgjuar së paku një person i tretë”.

Përpos përcaktimit të veçantë ligjor lidhur me rregullimin e çështjes së shpifjes dhe fyerjes, Kushtetuta e Kosovës është përkujdesur që qytetarët e Kosovës edhe aktin me të lartë juridik të vendit të kenë liri të garantuar të shprehjes. Liria e shprehjes përfshin të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga askush.

Në një prononcim për KALLXO.com, avoktja Albana Kelmendi ka thënë se rastet e shpifjeve dhe fyerjeve, nuk trajtohen nga gjykata, dhe se shqyrtimi i tyre fillon pas disa viteve, prej momentit të dorëzimit të tyre ne gjykatë.

“Shqyrtimi i tyre fillon pas disa viteve prej momentit të dorezimit të tyre në gjykatë, që më nuk ka efekt edhe nëse gjykata miraton padi dhe gjen se nga subjekti i paditur është kryer shpifja ose fyerja, mandej çështja e caktimit dhe lartësisë së dëmit të shkaktuar me shpifje e fyerje nuk ka një praktikë se sa mund të jetë ky dëm, sepse është i pashmangshëm cenimi i dinjitetit të njeriut me peëhapjen e fyerjes dhe shpifjeve”, ka thënë Kelmendi.

Kelmendi ka treguar se ka neglizhencë nga gjykata për trajtimin e padive për shpifje dhe fyerje, pavarësisht numrit të urgjencave që avokatja i ka dërguar.

“Paditë për shpifje dhe fyerje nuk trajtohen me vite. P.sh në lëndë ku unë jam përfaqësuese nga viti 2014-2015, ende nuk janë është caktuar asnjë seancë me përjashtim të një lende që më është caktuar në këtë muaj, shtator edhe pse kam dërguar me dhjetëra urgjenca”, thotë Kelmendi.

Sipas Kelmendit, gjykatësit nuk e njohin mirë atë fushë dhe se për të është e papranueshme që gjyqtarët të emërohen pa pasur njohuri të thukta për ligjet bazike e në veçanti për ligjet procedurale.

“Unë jam në dijeni që gjyqtarët mbajnë trajnime për zbatimin e ligjeve që ata para se të emërohen gjyqtarët duhet t’i njohin mirë sepse Kuvendi i Republikës së Kosovës ka nxjerrë ligje nga viti 2005 dhe ligjet procedurale jane te miratuar ne 12 vitet e fundit dhe shumica e gjyqtarëve civilist janë emëruar nga viti 2012 e tutje”, ka shpjeguar Kelmendi.

Vendimet e KMShK-së për shkrimet në media

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) është një trup vetërregullues i formuar për dhe nga sektori i mediave të shkruara. Bazat mbi të cilat vepron ky organ janë fjala e lirë, e drejta e qytetarëve për t’u informuar plotësisht, me kohë, dhe respektimi në tërësi i kodit etik të gazetarisë. Qëllimi i KMShK-së është ta mbrojë qytetarin nga shkrimet e pavërteta si dhe ta mbrojë gazetarin nga ankesat e pambështetura.

Në Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës, përkatëshit kreu VII “Privatësia” thuhet: “mediat e shkruara do t’u shmangen ndërhyrjeve dhe kërkimeve në jetën private të një individi, përveç në rastet kur ndërhyrjet apo kërkimet e tilla janë të nevojshme për arsye të interesit publik“.

Në rast se qytetarët apo publiku vërejnë shkelje të këtij kreu apo edhe shkelje të tjera, ata mund të dërgojnë ankesa kundër gazetarisë joprofesionale, e cila nuk respekton Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës. Ankesa në KMSHK mund të dërgohet me shkrim, përmes postës së rregullt ose postës elektronike.

Sa i përket shkeljes së privatësisë nga mediat, KMShK e pranon ankesën nga ankuesi drejt medias online, e shqyrton atë më pas merr një vendim për miratimin apo mos-miratimin e saj.

Një media online kishte postuar dy lajme me titujt: “E dhimbshme: Ky është i ndjeri nga Prizreni, që u vra nga djali i tij!“ dhe “Ky është 30 vjeçari që vrau babain me thikë, në Prizren”, ndërsa KMShK kishte marrë këtë vendim: “Gazeta në të dy rastet ka publikuar fotografitë e viktimës dhe kryesit të dyshuar për vrasje, e që interesi i publikut në rastin konkret nuk ekziston dhe se përmes publikimit të fotografisë së tillë mund të konsiderohet që është bërë ndërhyrje në jetën e personave që nuk kanë interes publik. Mediat duhet të jenë shumë të kujdesshme në rastet të tilla kur ka vrasje të rënda aq më tepër të nxjerrin fotografitë e viktimës dhe kryesit të dyshuar për vrasjen. Për më tepër media duhet të jetë akoma më e kujdesshme në raportim në rastet kur dyshohet që krimi është kryer brenda familjes”.

KMShK ka gjetur ka shkelje të Kreut VII (Privatësia), të Kodit të Mediave të Shkruara dhe ka miratuar ankesën.

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës në mbledhjen e tij të mbajtur më 27 janar 2021, shqyrtoi ankesën drejtuar një media tjetër online, lidhur me publikimin e katër shkrimeve të cilat flasin për vetëvrasjet në Kosovë.

“Pas leximit të artikujve dhe shqyrtimit të ankesës, KMShK gjen se ankesa është bazuar. Media në katër shkrimet e publikuara si lajme për ngjarjen e vetëvrasjes së personave i ka bashkëngjitur fotografitë e personave të vetëvrarë dhe emrin e mbiemrin e tyre. Në disa raste ka treguar edhe mënyrën se si është kryer vetëvrasja si dhe të dhëna nga jeta personale e viktimave. Kjo është shkelje e Kreut VII (privatësia) e Kodit të Mediave, për faktin se asnjë nga personat që janë vetëvrarë nuk janë figura publike apo të lidhura me figurat publike, apo që mbajnë poste publike, andaj interesi i publikut për rastet të tilla mund të jetë vetëm lajmi pa të dhëna shtesë si fotografitë dhe detajet apo mënyra e kryerjes së vetëvrasjes. Përshkrimet e tilla me emër edhe mbiemër si dhe fotografi bijën ndesh me Kodin e Mediave dhe vet frymën që Kodi Etik thërret mediat që ta respektojnë”, thuhet në vendimin e KMShK-së për miratim të shkeljes.

Një media tjetër online kishte publikuar një artikull me titull “19 vjeçarja e vdekur dje në Gjilan, u gjet e varur në litar afër shtëpisë së bashkëshortit”. Sipas KMShK-së publikimi i këtij lajmi ka bërë shkelje të Kreut VII (Privatësia) të Kodit të Mediave të Shkruara.

“Media ka publikuar një lajm për ngjarjen e vetëvrasjes së një të reje nga Gjilani, duke i ka bashkëngjitur fotografitë e personit të vetëvrarë dhe inicialet. Në brendësi të artikullit ka treguar edhe mënyrën se si është kryer vetëvrasja si dhe të dhëna nga jeta personale e të vetëvrarës. Kjo është shkelje e Kreut VII (privatësia) të Kodit të Mediave, për faktin se personi i vetëvrarë nuk është figurë publike apo e lidhur me figurat publike, apo nuk mban poste publike, andaj interesi i publikut për rastet të tilla mund të jetë vetëm lajmi pa të dhëna shtesë si fotografitë dhe detajet apo mënyra e kryerjes së vetëvrasjes. Përshkrimet e tilla si përshkrimi i ngjarjes dhe fotografia bien ndesh me Kodin e Mediave dhe vet frymën që Kodi Etik thërret mediat që ta respektojnë”, thuhet në vendimin e KMShK-së për miratim të shkeljes.

Shkelja e privatësisë në syrin e studiuesit të medias

Në lidhje me raportimin joetik dhe shkeljen e privatësisë nga mediat, KALLXO.com ka kontaktuar me Dren Gërgurin, ligjërues i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës. Ai ka thënë se gazetarët nuk duhet të cenojnë privatësinë e një personi, pavarësisht se sa mund të tërheqë klikime.

“Gazetarët nuk duhet të cënojnë privatësinë e personit, pavarësisht se ai lajm mund të tërheqë klikime. Privatësia është çështjet e ndjeshme që kërkon gjykim të duhur nga gazetari dhe shkelja e privatësisë nga ana e mediave është nga elementet që e dëmton profesionalizmin e atyre medieve”, ka thënë Gërguri.

Gërguri ka theksuar se raportimi që shfaq fotografi të viktimave është në thelb sensacional por që nuk ka në interes problemin social, por qëllimi është rritja e audiencës.

“Gazetari nuk duhet të jetë në ndjekje të interesimit të publikut, por duhet të informojë në interes të publikut. Ky dallim shumë herë po ngatërrohet nga gazetarët e portaleve dhe jo vetëm. Raportimi që shfaq fotografi të viktimave është në thelb, raportim sensacional që nuk ka në interes problemin social, por qëllimi është rritja e audiencës”, shpjegon Gërguri.

Faktin që nuk është e rrallë kur disa portale tejkalojnë kornizat profesionale dhe etike gazetareske, e thotë edhe Gërguri. Sipas tij kjo ndodhë për shkak të ngarendjes për të publikuar lajmin sa më shpejtë, e nganjëherë edhe për shkak se lajmet e tilla tërheqin vëmendjen e publikut dhe rezultojnë me rritje të numrit të klikimeve të atij portali.

Ky artikull u mundësua në kuadër të projektit “Sektori i Drejtësisë në Kosovë – i përgjegjshëm, i besueshëm dhe transparent”, i realizuar nga Internews Kosova, Lëvizja FOL dhe Debate Center në mbështetje të Byrosë për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL).