Pritjet e Palmerit dhe pritjet nga Palmeri

Diplomati amerikan, Mathew Palmer, i ngarkuar ditëve të fundit për Ballkanin Përendimor nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ka folur në lidhje me rolin e tij të ri dhe nevojën e arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

 

Pak kohë para se Shtëpia e Bardhë të lëshojë një komunikatë për media , gazeta amerikane Foreign Policy ka shkruar se Palmer  do të provojë të theyejë bllokadën ndërmjet Serbisë dhe ish krahinës së saj, e cila e ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 2008. Serbia, e përkrahur nga Rusia, Kina dhe vendet tjera, ka refuzuar ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, megjithëse shumica e vendeve të BE-së  dhe SHBA  tash e një kohë të gjatë e kane njohur pavarësinë e saj.

Palmer vjen në Ballkan si një diplomat karriere me një përvojë të madhe në rajon, thotë tutje gazeta Foreign Policy pasi që më herët ishte i caktuar si staf i Ambasadës Amerikane  në Beograd.

Biografia e tij zyrtare thotë se ai flet gjuhën serbe, përderisa mediat në Serbi shumë shpesh e nënvizojnë faktin se gruaja e tij është nga Beogradi.

Diplomati amerikan ka deklaruar se e ka pranuar këtë funksion sepse mendon se mund të arrihet një marrëveshje mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili, siç thotë Palmer, do ta transformonte krejt Ballkanin, do t’i hapte rrugën Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit evropian si dhe do të ishte një “gjë pozitive për rajonin, Evropën dhe SHBA-të.”

Sipas tij, një marrëveshje finale, e dakorduar me dy palëve dhe e mbështetur nga SHBA-të dhe partnerët tjerë evropianë do t’i mundësonte  të dy vendeve, pra Kosovës dhe Serbisë,  që ti hapin rrugën njëra-tjetrës drejt integrimeve evropiane.

“Qëllimi im është t’i kthej në tavolinën e bisedimeve Prishtinën dhe Beogradin dhe të siguroj një marrëveshje”, ka deklaruar ditë më parë diplomati Palmer.

Sipas tij, zgjidhja e çështjes së Kosovës është ndër pjesët kryesore të agjendës së tij.

“E kemi mundësinë dhe do të donim që ta shfrytëzojmë këtë mundësi”, tha ai duke shtuar se qëllimi i tij është t’i kthejë palët në tavolinën e bisedimeve sa më shpejt që është e mundur dhe të arrihet një marrëveshje.

Në Kosovë dhe Serbi, shumë njerëz mbajnë shpresa se emërimi i tij, marrë parasysh karrierën e tij diplomatike dhe me histori të gjatë të shërbimit në Ballkan, do të sjellë ndryshime e tejzgjatura në relacionin Kosovë – Serbi  dhe do të ushtrojë presion tek këto dy vende që të zgjedhin mosmarrëveshjen më të madhe politike që po mbizotëron në Evropën e tanishme.

Enver Robelli, një gazetar i lindur në Kosovë por që tash e shumë vite jeton e punon në Zvicër, e quan emërimin e diplomatit Palmer si një shenjë të një përfshirjeje dinamike të SHBA-ve në rajon. “Do të ketë përpjekje të mëdha për të rinisur dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe do të ketë rritje të presionit drejt qeverisë së Kosovës  që të heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë”, ka deklaruar Robelli për BIRN.

“Deri më tani, Bashkësia Evropiane nuk ia ka arritë që, të paktën, të heqë regjimin  evizave për kosovarët, andaj, pa Washingtonin, do të jetë pothuajse e pamundur që të arrihet një marrëveshje për zgjidhjen e nyjës Kosovë-Serbi”, ka shtuar ai.

Gazetari serb Rade Maroevic pajtohet se emërimi i Palmer tregon se Amerika e ka ripërtrirë interesin e saj në Ballkan. “Bashkë me [Ushtruesin e detyrës së Asistentit të Sekretarit për çështje të Evropës dhe Euroazisë) Phill Reeker, po ashtu një veteran diplomatik që ka si synim zgjidhjen e krizës së Kosovës, emërimi i Palmerit mund të shpie tek një shtysë e re për përpjekjet e ngecura që një kohë të gjatë për të rinisur bisedimet konstruktive ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës” ka deklaruar ai.

Ndryshe, në një intervistë  pak ditë më parë, vetë Palmer ka deklaruar për Radio Evropën e Lirë se normalizimi i marëdhënieve Kosovë – Serbi është krucial për të ardhmen e të dy vendeve.  Teorikisht, ka deklaruar ai, kjo do të nënkuptonte njohje të ndërsjellë si dhe hapje e rrugës drejt integrimeve evropiane për Serbinë dhe Kosovën.

“Rikthimi në tavolinën e bisedimeve është qenësore” ka deklaruar ai, duke paralajmëruar se kjo do të kërkonte nga Kosova që të heqë taksën të vendosur ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës në nëntorin e vitit 2018.

Megjithatë, sipas diplomatit Palmer, rikthimi në tavolinën e bisedimeve është një qëllim afatshkurtër sepse, gjithnjë sipas tij, brenda një periudhe të shkurtër në Kosovë do të mbahen zgjedhjet ndërsa në Serbi zgjedhjet do të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm. Kjo sipas tij, jep mundësinë për vazhdimin e bisedimeve në periudhën ndërmjet dy zgjedhjeve dhe kjo mundësi do të duhej ta konkretizohej  nga të dy palët.

Sipas tij ky proces përmban në vete disa sfida dhe një nga këto sfida është që bisedimet të vazhdojnë sa më shpejtë ndërsa sfida e dytë është që të gjendet një terren i përbashkët për bisedime.

Palmer shpreson se qeveria e ardhshme e Kosovës do të heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë dhe Bonjes e Hercegovinës në mënyrë që të mundësojë vazhdimin e dialogut dhe se Beogradi do të ndalojë përpjekjet e saj për “delegjitimimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare” dhe ndalimin e lobimit te vendet tjera për të tërhequr njohjet e tyre ndaj shtetësisë së Kosovës.

Palmer po ashtu ka deklaruar se emërimi i tij për Ballkanin Perëndimor  e, me këtë, edhe qëllimi i SHBA-ve është përkrahja e dialogut si dhe një marrëveshje  prej së cilës të gjithë do të arrinin t’i mbrojnë interesat e tyre kryesore dhe se asnjëra palë nuk do të duhej ta konsideronte faktin se ka humbur si rezultat i një marrëveshjeje dhe se nuk ka asnjë arsye që një kompromis i arritur do të duhej të ishte fitore për Serbinë, për Kosovën apo për bashkësinë ndërkombëtare.

Sipas diplomatit amerikan, SHBA është e gatshme të bashkëpunojë me qeveritë e dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, për t’i dhënë një përkrahje dialogut dhe se është shumë me rëndësi që marrëveshja të arrihet ndërmjet vet palëve e jo ndonjë marrëveshje e cila është e shkruar në Washington dhe e cila pastaj i imponohet palëve.

“Diçka e tillë nuk do të ofronte një të ardhme të sigurt”, ka deklaruar Palmer mirëpo në anën tjetër po ashtu ka deklaruar se në rast se nuk do arrihet ndonjë marrëveshje, të gjitha palët do të humbnin.

Sipas tij, dialogu përmban shumë tema për të cilat duhet biseduar sepse secila zgjidhje përfshin në vete edhe aspektin multidimensional, politik, ekonomik dhe aspektin e sigurisë dhe se duhet biseduar dhe negociuar për krejt këto tema.

Një çështje tjetër e cila ka zgjuar interesim të madh edhe në Kosovë por edhe në Serbi është edhe ideja e një korrigjimi territorial ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Robellit, pritjet e tij janë që Palmer ta sqarojë pozicionin e SHBA-së në lidhje me korrigjimin e kufijve. “është fakt i njohur se një ide e tillë ishte përkrahur nga John Bolton përderisa Departamenti Amerikan ka  provuar që ta mbajë të fshehur një  ide të tillë” ka deklaruar ai.

Sipas Robellit, Palmer do të provojë ta bëjë një koordinim me shtetet kryesore të BE-së në lidhje me marrëdhëniet e ardhshme Kosovë – Serbi.

Mirëpo Maroevic  deklaron se emërimi i Palmerit vetëm sa e ka vënë në dukje  faktin se BE e ka humbur iniciativën e saj në rajon.

Ai ka deklaruar se” në përgjithësi, Brukseli ka humbur kohë që të bëhet një faktor me rëndësi në dialog, duke e obliguar SHBA-në që t’i rikthehet Kosovës dhe ta ridefinojë rolin e saj në këtë krizë”.

Maroevic ka konkluduar se është akoma e vështirë që të parashikohet një zgjidhje finale për marrëveshjen Kosovë – Serbi më shumë për shkak se Washingtoni tashmë, të paktën dy herë, e ka Përmbushur Misioinin e saj  gjatë dy dekadave të fundit, në vitin 1999 dhe 2008.

”Në përgjithësi, Brukseli ka humbur kohë që të bëhet një faktor me rëndësi në dialog, duke e obliguar SHBA-në që t’i rikthehet Kosovës dhe ta ridefinojë rolin e saj në këtë krizë”, ka deklaruar Maroevic.