Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pritje të mëdha, realizim i plogësht i planit legjislativ 2021

Qeveria e Kosovës në planin legjislativ për vitin 2021, kishte paraparë të kalonte në legjislativ 186  projektligje të cilat, sipas njohësve politik, as për së afërmi nuk është arrit të realizohen brenda këtij viti kalendarik edhe pse qeveria ka edhe shumicën parlamentare.

Qeveria e Kosovës e ka konfirmuar për KALLXO.com se plani legjislativ aktualisht përmban 186 projektligje.

Ndërsa Kuvendi i Kosovës, ka njoftuar se në Legjislaturën VIII, për periudhën 22 mars – 26 nëntor 2021 janë miratuar vetëm 14 projektligje. Ndërkaq, në Kuvend janë proceduar 72 projektligje, prej tyre 67 nga Qeveria.

“Deri tani janë miratuar gjithsej 14 ligje. 57 projektligje gjenden në procedurë. Ndërkohë, nga Qeveria janë proceduar në Kuvend 23 projektligje të tjera, të cilat do t’u shpërndahen deputetëve”, thuhet në përgjigje të Kuvendit për KALLXO.com.

Rozafa Kelmendi, zëdhënëse e Qeverisë së Republikës së Kosovës tha se një numër i madh i projektligjeve janë në fazën finale, e të cilat deri në fund të vitit pritet të miratohen nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të njëjtat sipas procedurave do t’i kalohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës për shqyrtim dhe miratim.

“Disa nga procedurat e hartimit dhe finalizimit të projektligjeve siç janë: konsultimi paraprak, konsultimi me publikun, procesi i përgatitjes së vlerësimit të ndikimit buxhetor nga ministritë përkatëse për financa, opinionit të përputhshmërisë me Acquis të BE-së nga Divizioni i së Drejtës së BE-së në Zyrën Ligjore/Zyra e Kryeministrit, janë procedura që mund të shkaktojnë vonesa drejt finalizimit dhe procedimit për miratim të projektligjeve, sipas afateve të parapara në Programin Legjislativ”, tha ajo.

Arton Demhasaj, njohës politik tha për KALLXO.com se as në të kaluarën një masë kaq e madhe e projektligjeve nuk ka mund të shqyrtohet në Kuvend. Ai shprehet skeptik për realizimin e pretendimit qeveritar, duke thënë se është e vështirë madje të realizohet qoftë edhe 50 për qind i planit qeveritar për shtyrje para të projektligjeve për këtë vit.

Demhasaj ka numëruar edhe arsyet që kanë mundur të ndikojnë në mos përmbushjen e agjendës së paraparë me iniciativën e qeverisë.

“Nëse e shohim që edhe gjatë dhjetorit që munden disa prej tyre me kalu, nuk mendoj që as për së afërmi mundet me u përmbush agjenda. Kjo vjen për disa arsye: E para mendoj që ka qenë një numër i madh i projektligjeve që Qeveria i ka parapa me i ndryshu ose plotësu, e dyta mendoj që kanë ndikuar edhe zgjedhjet lokale pasi edhe deputetet edhe ministrat dhe komplet Qeveria kanë qenë të angazhuar në zgjedhjet lokale dhe kjo e ka vonuar procedurën e shqyrtimit të ligjeve në Kuvend. Tash e disa herë me radhë po dështon edhe mbledhja e Kryesisë së Kuvendit që shkakton vonesa në organizim të seancave dhe edhe në shqyrtimin e projektligjeve të ndryshme”, thotë ai.

Demhasaj fajëson edhe Qeverinë për numrin e pakët të ligjeve që ka dërguar në Kuvend por edhe Kuvendin që nuk ka arrit t’i shqyrtoj e miratoj ato që Qeveria ka sjell në Kuvend.

“Në momentin kur Qeveria i qon ligjet në Kuvend konsiderohet që pjesën e saj të punës e ka kryer. Edhe pjesa e Kuvendit është problematike se edhe ato ligje që kanë shku në Kuvend nga Qeveria nuk kanë arrit mu përfundu për shkak të mosmbajtjes së seancave, për shkak të zgjedhjeve lokale”, tha ai.

Edhe sociologu Artan Muhaxhiri, ka thënë për KALLXO.com se rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit, ka dhënë indikacione se kjo legjislaturë do të jetë më efektivja sepse sipas tij, mundësia e kalimit të ligjeve ka qenë pakrahasimisht më e lehtë sesa herëve të kaluara për shkak të kompozicionit të shumicës dhe të lehtësisë apo potencialit për t’i kaluar me lehtësi ligjet.

Por sipas tij kjo nuk ka ndodhur.

“Kjo legjislaturë mund të konsiderohet tepër e ngadaltë, e pa koordinuar dhe me ngecje të cilat janë në një aspekt të pakuptueshme, sepse raporti mes Qeverisë dhe shumicës është më i kulluari deri më tani dhe për këtë arsye, është dashtë që të jetë shumë më efektive”, tha Muhaxhiri.

Ai fajin për këtë program legjislativ ia hedh Lëvizjes Vetëvendosje, pasi udhëheq me Qeverinë edhe e ka shumicën në Kuvendin e Kosovës.

Kjo sipas Muhaxhirit dallon nga legjislaturat e kaluara të cilat kanë pas shumë koalicione me shumë parti dhe është dashur që për secilin ligj të ketë koordinim e harmonizim.

Prandaj Muhaxhiri tha se pritjet kanë qenë të mëdha.

“Për këtë arsye është një dështim edhe i qeverisë edhe i shumicës parlamentare që të jenë më efektiv në krijimin e ligjeve dhe në miratimin e tyre. Pritjet kanë qenë maksimum sepse konfigurimi i Qeverisë dhe Kuvendit është i tillë që mundëson miratime shumë të lehta të ligjeve. Nuk ekziston mënyrë më e lehtë me miratu ligje nëse e ke edhe Qeverinë edhe shumicën në Kuvend. Është një dështim i LVV-së që ta krijoj një model të ri, sepse kanë ekzistuar të gjitha parakushtet që kësaj radhe të bëhet një hap i madh përpara, të krijohet një precedent pozitiv, i funksionimit kualitativ në raportin mes Qeverisë dhe Kuvendit për të mirën e qytetarëve”, tha Muhaxhiri.

Edhe Muhaxhiri sikurse Demhasaj, fajin e mospërmbushjes së agjendës legjislative, e hedh te zgjedhjet lokale. Sipas tij shumica parlamentare dhe qeveria duhet që ta bëjnë një analizë objektive që të përshpejtojnë në miratimin e ligjeve.

“Kanë ekzistuar edhe pengesa objektive siç është pandemia dhe zgjedhjet lokale, por përtej kësaj Kuvendi është dashur të jetë shumë më funksional, e më efektiv sepse i ka pas gjitha mundësitë për një gjë të tillë. Shumica parlamentare dhe Qeveria Kurti do të duhej ta bëjnë një analizë objektive dhe të vetëdijesohen për mundësinë e jashtëzakonshme që e kanë që t’i përshpejtojnë miratimet e ligjeve dhe ta ndihmojnë krijimin e një baze ligjore dhe fuqizimin e saj”, tha ai.

Muhaxheri shton se në muajt në vazhdim Qeveria e Kuvendi, duhet të jenë më efektiv dhe më të vendosur që të kalojnë ligje dhe t’i tejkalojnë problemet të cilat i kanë penguar që ta bëjnë një gjë të tillë deri më tani.

“Qytetarët e Kosovës me të drejtë presin një model të ri të vendimmarrjes dhe do të jetë mëkat që qeveria e shumica parlamentare e humbin këtë mundësi në muaj në vazhdim”, tha Muhaxhiri.

Edhe Demhasaj e përmendi se si asnjë herë më parë ka një shumicë të konsoliduar edhe në Kuvend edhe në Qeveri.

“Prandaj është e pa arsyeshme moskalimi i ligjeve në Kuvend, përderisa Qeveria ka shumicën e deputetëve atje dhe ish dashtë më shpejtë të shqyrtohen këto projektligje”, tha Demhasaj.

Ai vlerëson se nuk ka pasur asnjëherë start më të dobët sesa Qeveria Kurti 2 në rrafshin e propozimit dhe kalimit mëtej të projektligjeve dhe Kuvend goxha anemik.

“Nëse e shohim startin e kësaj legjislature, mund të themi se është ndër më të dobëtat që ka pas Kosova nga paslufta, sidomos nëse e krahasojmë me numrin e projektligjeve që janë shqyrtu dhe votu në Kuvend. Asnjëherë nuk kemi pas start më të dobët në Kuvendin e Kosovës”, tha Demhasaj duke shtuar se duhet të ndërmerren masa ndëshkuese edhe ndaj deputetëve që pa arsye, nuk marrin pjesë në seancë, e në mbledhje të komisioneve.

Edhe drejtues të platformës ‘Votaime’, që mbikëqyrin progresin e përmbushjes së agjendës legjislative, thonë se vetëm 19 për qind e agjendës legjislative është përmbushur deri më tani.

Konjufca fajëson zgjedhjet lokale për ngecjen e përmbushjes së agjendës legjislative, opozita fajëson mazhorancën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës në një deklaratë pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit më 16 nëntor kishte thënë se përmbushja e agjendës legjislative do të mund të ishte më e kënaqshme, mirëpo sipas tij për këtë kanë ndikuar zgjedhjet lokale 2021.

“Ka mundur të jetë më e kënaqshme, por pa dyshim që këtë agjendë e kanë dëmtuar edhe zgjedhjet lokale të mbajtura në Kosovë përgjatë dy muajve. Prej 17 shtatorit kemi pas probleme të ndjeshme në funksionimin e seancave dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për këtë arsye po të ishin mbajt në mënyrë të rregullta seancat, mendoj që agjenda legjislative do të ishte e përmbushur shumë më kënaqshëm se sa tash”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa Abelard Tahiri shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri tha se shumica nuk ka arritur as për së afërmi ta realizoj agjendën legjislative të cilën e kanë propozuar vetë.

“Sa i përket funksionimit të Kuvendit tash e një kohë, jemi dëshmitar që nuk kemi pas mbarëvajtje të duhur të agjendës tonë parlamentare por përgjegjësia kryesore bie mbi mazhorancën e cila është tregu joefikase në shumë drejtime edhe në përmbushjen e agjendës legjislative. Ata nuk kanë arrit as për së afërti ta realizojnë agjendën legjislative të cilën e kanë propozuar vetë në fillim të mandatit”, tha ai.

Kurse, kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Besnik Tahiri, tha se agjenda legjislative ka qenë ambicioze, por sipas tij ligjet që kanë ardhur në Kuvend janë ligje që realisht nuk hyjnë në procedurë për këtë vit.

Ndërkaq, sipas Qeverisë së Kosovës, projektligjet të cilat nuk arrijnë të miratohen sipas planifikimit në Programit Legjislativ për vitin 2021, me automatizëm bartën në agjendën legjislative për vitin 2022.