Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në takim me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, 30 janar 2020 | Foto: Zyra e BE-së në Kosovë

Pritja e ftohtë e Josep Borrell

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për politikë të jashtme dhe siguri, spanjolli Josep Borrell për herë të parë nga marrja e detyrës si shef i diplomacisë europiane, nisi turin në Ballkanin Perëndimor, duke vizituar Kosovën këtë të enjte.

Por ardhja e tij në Kosovë nuk pati pritjen më të mirë të mundshme nga spektri politik kosovar, sikundër ndodh me zyrtarë të tjerë të huaj që vizitojnë vendin.

Josep Borrell më herët ka qenë ministër i Jashtëm i Spanjës, e cila është në mesin e pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Vetë Borrell gjatë një vizite në Beograd vitin e kaluar kishte deklaruar se Spanja ka qenë kundër “shpalljes së njëanshme” të pavarësisë së Kosovës.

Megjithëkëtë, zyrtari i lartë evropian, para ardhjes në Kosovë,  sipas një deklarate që ka lëshuar BE-ja, kishte shprehur entuziazëm për vizitën e tij në Ballkan dhe për faktin se do t’’i njihte vendet dhe qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë.

Në këtë deklaratë u njoftua se përfaqësuesi evropian, do të takonte liderë politik të Kosovës, përfshirë presidentin Hashim Thaçi dhe udhëheqës të subjekteve politike, por nga të fundit pati të tillë që e shmangën përballjen direkte me të.

Lidhur me këto zhvillime, analisti politik Blerim Burjani vlerëson se përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Josep Borrell Borrell në vizitën e së enjtes nuk mori respekt të lartë kosovar për shumë arsye.

“Së pari mund të them se nuk është një klimë shumë pozitive në Kosovë që të flitet drejtpërdrejt për rinisje të dialogut. Çështja tjetër është që ai dikur kishte qëndrime të kundërta me pavarësinë e Kosovës”, thotë Burjani për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas tij, pa marrë parasysh që Borrell përfaqëson BE-në, nuk ka ndonjë kredibiltet të theksuar dhe “fatkeqësisht liderët kosovarë nuk besojnë fare në Borrellin por mund të besojnë vetëm në disa segmente të BE-së dhe në disa qasje të tyre që mendohet se janë pozitive në kuptimin e sovranitetit të vendit, si nga Gjermani e Franca”.

Burajni shton se pavarësisht se deklaratat e Borrell duken mjaft pozitive e të avancuara sa i përket angazhimit të tij për të gjetur një zgjidhje Kosovë-Serbi, siç shprehet ai, vetvetiu pozicioni i Spanjës dhe zyrtarit evropian edhe më herët si Ministër i Punëve të Jashtme nuk e bën të besueshëm në këtë drejtim.

“Për të [Josep Borrell] mendohet se nuk mund të jetë neutral në këto zhvillime, kësisoj nuk ka ndonjë pozicion pozitiv”, vlerëson analisti.

Edhe njohësi tjetër i zhvillimeve politike në vend, Artan Murati ka renditur disa arsye për gjendjen aktuale kundrejt rolit të BE-së dhe SHBA-së kundrejt dialogut.

“Çështja e parë ka të bëjë me implikimin direkt të SHBA-ve në dialog dhe rezultateve imediate, siç është rasti konkreti, arritja e dy marrëveshjeve të fundit të nivelit teknik, njëra për linjën ajrore tjetra për hekurudhë”, thotë ai për Gazetën JnK.

“Çështja tjetër ka të bëjë edhe me qëndrimet e Bashkimit Evropian sa i përket Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe politikën e BE-së, e cila nuk është politikë e shumë mirë e artikuluar dhe nuk është pragmatike, diçka që janë duke e kërkuar shtetet e Ballkanit”, shtoi ai.

Sipas Muratit, për ta për përkeqësuar edhe më tepër situatën lidhur me Borellin tash direkt janë edhe qëndrimet e tij personale karshi Republikës së Kosovës.

“Kjo meqenëse në disa raste [Borrell] është shprehur kundër Pavarësisë së Kosovës dhe duke qenë edhe si një ish-ministër i Spanjës normalisht se subjektet politike në Kosovë e marrin më tepër me rezerva”, theksoi analisti.

Por analisti politik thekson se zyrtari i lartë evropian, nuk është duke e përfaqësuar Spanjën apo veten e tij, por BE-në.

“Opinioni privat i tij si një individ me fuqi sado të madhe politike që ka, nuk është shumë i rëndësishëm tek e fundit meqenëse për të marr një pozicion BE-ja duhet të ndiqen politika të brendshme, të cilat nuk janë unilaterale dhe në këtë rast qëndrimet e tij janë krejtësisht irelevante”, shprehet Murati.

Gjatë ditës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një konference për media, paralajmëroi se partia e tij nuk do të marr pjesë në takimin me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, në një takim që u organizua në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh kryeministër në detyrë Ramush Haradinaj personalisht nuk mori pjesë në takim, por e dërgoi sekretarin e përgjithshëm të partisë së tij, Besnik Tahirin.

Në anën tjetër, bashkëbisedimeve iu bashkuan, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, Fatmir Limaj nga Nisma Socialdemokrate, si dhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Paraprakisht, derisa po qëndronte në zyrën e Presidentit Hashim Thaçi, Borrell tha se BE-ja është angazhuar dhe do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë për ta ndihmuar Kosovën, si dhe lehtësimin e një marrëveshjeje përfundimtare mes saj dhe Serbisë.

Ai shtoi se unioni evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk po bëjnë garë në lidhje me dialogun dhe se zgjidhja e çështjes varet vetëm nga pala kosovare dhe ajo serbe.

Por në një deklaratë të tij, lihet hapësirë për interpretime.

“Siç e dini, amerikanët kanë shumë plane. Kanë plane për çdo gjë. Kanë plan për Lindjen e Mesme, për Korenë, për këtu. Është një çështje që të kesh plan dhe një çështje tjetër që të angazhohesh që të arrish sukses”, tha ai.

Ndërsa, presidenti Hashim Thaçi tha se ia ka shprehur Borrellit, zhgënjimin e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës për mos heqjen e vizave.

Thaçi mes tjerash është shprehur optimist për marrëveshje me Serbinë, duke kërkuar rol të theksuar edhe të BE-së në këtë drejtim.

“E di që nuk do të jetë një proces i lehtë, por jam optimist se është i arritshëm. Prandaj pres edhe nga Brukseli edhe nga Uashingtoni një përpjekje të shtuar, koordinuar që të përmbyllet me sukses”, ka theksuar Thaçi, duke shtuar se edhe roli i SHBA-ve është i pazëvendësueshëm.

Përfshirja e drejtpërdrejt  e SHBA-së në negociatat Kosovë-Serbi ndodhi kur pak ditë më parë, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell bëri marrëveshje për linjë të fluturimeve dhe hekurudhore Prishtinë-Beograd.