Pritet rimëkëmbje graduale ekonomisë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor

Raporti i fundit i Bankës Botërore, tregon se Kosova pritet të ketë një rimëkëmbje graduale të ekonomisë, ndërsa rritja ekonomike mbetet 4 për qind për një periudhë afatmesme. Përveç rritjes ekonomike, përmenden rreziqe si vonesat në prokurim lidhur me vaksinat. Për vitin që shkoi, thuhet se deficiti buxhetor i Kosovës ishte dyfish më i madh se ai i vitit 2019. Ndërsa me lehtë pandeminë e përballoi sektori financiar. Rritje e moderuar të ekonomisë thuhet se do ketë edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor ku bën pjesë edhe Kosova, ndërsa në mes tjerash përmenden se humbën rreth 70 mijë vende pune në këtë rajon për shkak të pandemisë.

Ekonomia e Kosovës, regjistroi tkurrjen e saj të parë në vitin 2020, nga rënia e ndjeshme e eksporteve të lidhura me diasporën, në eksportin e shërbimeve të udhëtimit dhe investimeve.

Tkurrja u lehtësua nga masat mbështetëse të Qeverisë, të shoqëruar me rritjen e dërgesave të parave dhe eksportin e mallrave.

Sipas BB-së, deficiti buxhetor u dyfishua në vitin 2020, duke arritur në 7.6 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB-së), në vitin 2020 nga 2.9 për qind sa ishte në vitin 2019. Nga të ardhurat e ulëta dhe masat e mbështetjes së rimëkëmbje.

Për sektorin financiar në Kosovë, Banka Botërore thotë se e përballoi mirë pandeminë. Deri në fundin e vitit 2020. Mjaftueshmëria e kapitalit ishte mbi kërkesat, ndërsa shkalla e kredive jo perfomuese ishte rritur lehtë krahasuar me një vit më parë.

Tutje në raportin e Bankës Botërore thuhet se rimëkëmbja ekonomik e Kosovës do të jetë graduale në përputhje me trendin global. Vetëm në vitin 2022 aktiviteti ekonomik do t’i arrij nivelet e kohës së para pandemisë.

Rimëkëmbja ekonomike do të jetë në drejtim të rritjes së eksporteve dhe konsumit. Rritja ekonomike parashikohet të mbetet në 4 për qind në një periudhë afatmesme.

Perspektivë e parashikuar, bazohet në supozimet e lëvizjes së relaksuar në mes të Kosovës dhe Evropës pa masa të kufizimit, një rimëkëmbje të rritjes së ekonomisë në eurozonë dhe një rritje në çmimet e metaleve bazë.

Massimiliano Paolucci, menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, thotë se aktiviteti ekonomik pritet të rritet por ka edhe rreziqe.

“Aktiviteti ekonomik pritet të rritet në 2021, por rreziqet globale dhe të brendshme. janë domethënëse, midis tyre vonesat në prokurimin dhe shpërndarjen e vaksinave, kufizimet ndërkombëtare të udhëtimit dhe rivendosjen e masave të rrepta”, tha ai.

Sipas tij, adresimi i pengesave strukturore afatgjate ndaj rritjes dhe investimit në kapital njerëzor janë jetike për të nxitur rimëkëmbjen dhe rritjen e qëndrueshme.

Humbën rreth 70 mijë vende pune në Ballkani Perëndimor

Raporti Bankës Botërore për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, thotë se pas recensionit të viti 2020, si më i rëndi i regjistruar ndonjëherë në rajon, pritet të ketë një rritje të moderuar ekonomike.

Sipas BB-së, pas goditjes shkatërruese të ekonomisë nga pandemia COVID-19, që tkurri rritjen ekonomike të rajonit -3.4 për qind në vitin e kaluar, rajoni i Ballkanit pritet të rritet në 4.4 për qind sivjet, ndërsa ritmet e rritjes ekonomike pritet të stabilizohen në vitet 2022 dhe 2023 me 3.7 për qind.

Linda Van Gelder, drejtoreshë rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, vëren disa trende pozitive për shkak të masave të ndërmarra shpejtë.

“Ne po shohim vërtet disa trende pozitive në rajon si rezultat i masave të shpejta të ndërmarra nga shumë vende për të frenuar pasojat e rënda të pandemisë, por pasojat shkatërruese të pandemisë në sistemin shëndetësor dhe ekonomi, do të vijojnë të ndihen”, thotë ajo.

Tutje thuhet se nisja e vaksinimit në drejtim të besimit, konsumit dhe tregtisë, do të ndihmojë momentin ndërsa duhet të jenë vigjilent në politika që mundësojnë rritje ekonomike, mbrojnë rezultatet në fushën e shëndetësisë dhe rrisin kapitalin njerëzor.

Më tej përmenden pasojat e pandemisë ardhura dhe varfëri.

“Megjithëse norma e papunësisë pësoi rënie – nga 13.5 për qind në 2019 në 12.6 për qind në 2020 – kjo erdhi kryesisht si rezultat i rritjes së numrit të personave joaktivë, ndërsa numri total i vendeve të punës të humbura në rajonin e Ballkanit Perëndimor arriti afërsisht në 70,000 në fund të vitit 2020”, njofton Banka Botërore.

Shtresa më të prekura ishin të rinjtë dhe gratë ku norma e papunësisë u rritë në 33.6 për qind në vitin 2020.

Sipas raportit, përpjekjet e politikave në rajon duhet të vijojnë të përqendrohen në mënyrë të vendosur në luftën kundër pandemisë, zvogëlimin e kostove sociale dhe mbështetjen e rimëkëmbjes.

“Të gjitha vendet e rajonit duhet të garantojnë pajisjen e sistemeve të tyre shëndetësore me burime të mjaftueshme për blerjen dhe shpërndarjen e vaksinave, testimin, terapitë, pajisjet e mbrojtjes personale si dhe përmirësimin dhe mirëmbajtjen e mjediseve të kujdesit shëndetësor”, tregon Banka Botërore

Gjithashtu përmenden se duhet t’u ipet përparësi investimeve në arsim, digjitalizim dhe projekte të tjera në infrastrukturë si dhe iniciativat e gjelbra, pasi ato mund të përshpejtojnë tranzicionin e nevojshëm drejt uljes së varësisë ndaj karbonit, ndërsa vendet dalin nga situata e pandemisë.