Tuneli dezinfektues në Obiliq, Foto: KALLXO.com

Prishtina pagoi 380% më shtrenjtë së Obiliqi për tunele dezinfektuese

Komuna e Obiliqit me 2,500 euro i ka blerë dy porta/tunele dezinfektuese për tu mbrojtur nga COVID-19. Por, Komuna e Prishtinës ka shpenzuar 6,000 euro për blerjen e një porte/tuneli dezinfektues.

Ky dallim kaq i madh në çmim është vërejtur edhe nëpër institucione të tjera.

Përveç dallimeve të mëdha në çmim, KALLXO.com ka gjetur se shumë nga këto tunele dezinfektuese nuk janë funksionale për shkak të mungesës së furnizimit me dezinfektues dhe mungesës së mirëmbajtjes.

Komuna e Prishtinës është furnizuar me 1 tunel dezinfektues nga kompania “TEAM8” SH.P.K, me kontratën e nënshkruar më datë 4 maj 2020.

Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ishte 6 mijë euro, si dhe i njëjti çmim i është dhënë edhe kompanisë në fjalë, sipas kontratës. Ndërkaq përshkrimi i këtij tenderi ishte “Pajisje mjekësore dhe laboratorike, pajisje optike dhe precize, sahat dhe orë, farmaceutike dhe konsume mjekësore të ngjashme”.

Kontrata është nënshkruar me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës.

Për dallim nga Komuna e Prishtinës, Komuna e Obiliqit ka paguar shumë më lirë për një tunel dezinfektues.

Komuna e Obiliqit në tenderin me titull “Furnizim me tunel (Porta) dezinfektuese dhe Dezinfektues” ka bërë blerje të 2 tunelëve dhe 63 litra dezinfektues, të gjitha këto në vlerë 2 mijë e 500 euro, aq sa ishte vlera e parashikuar e kontratës.

Tenderi ishte hapur më  30 prill 2020, ndërsa njoftimi për dhënie të kontratës ishte bërë më 4 maj të po këtij viti ndaj kompanisë që ka fitur tenderin “LA GROUP”.

Kontrata është nënshkruar me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës.

Për shkak të gjendjes nga pandemia, blerje të tuneleve dezinfektuese kanë bërë edhe Kuvendi i Kosovës dhe Komuna e Prishtinës.

Shpenzimet e institucioneve për tunelet dezinfektuese, Grafika: KALLXO.com

Kuvendi i Kosovës përmes një tenderi ka 3 blerë tunele dezinfektuese dhe produkt dezinfektues anti-Covid, me vlerë prej 7 mijë e 440 euro.

Më konkretisht legjislativi i ka blerë 3 tunele, secili nga 2 mijë e 400 euro në total 7 mijë e 200 euro vlerë, si dhe produkti dezinfektues me vlerë 240 euro.

Tenderi me titullin “Furnizimi dhe montimi i pajisjeve dezinfektuese Anti-Covid” ishte hapur më 22 qershor 2020, ndërsa njoftimi për dhënie të kontratës është bërë më 3 korrik 2020.

Vlera e parashikuar e kontratës ishte 7 mijë e 500 euro, ndërkaq kontrata me çmimin më të ulët prej 7 mijë e 440 euro, i është dhënë kompanisë “NOA TRADING” SH.P.K.

Kontrata është nënshkruar me kuotim të çmimit më të ulët.

Në muajin maj të këtij viti, KALLXO.com kishte raportuar se një tunel dezinfektues i cili ishte vendosur në hyrje të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, ishte harxhuar për disa ditë.

Për këtë pajisje, kjo komunë kishte shpenzuar mbi 4 mijë euro.

Sipas njoftimit në ueb faqen e prokurimit publik, kompania fituese e tenderit për 1 kabinë dezinfektuese është “Zona Park”, nga Prizreni. Kontrata me këtë kompani është nënshkruar  me 24 prill dhe vlera e kontratës është 4,750 euro.

Kontrata është nënshkruar me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj kishte deklaruar se se nuk është njoftuar se dezinfektuesi i këtij tuneli është harxhuar.

Kurse, pronari i kompanisë “Zona Park”, Besnik Hoti tha se tenderi që e kanë fituar kanë qenë për furnizim me dezinfektues vetëm një herë, ndërsa nëse komuna dëshiron të bëjë rimbushjen duhet të bëjnë ofertë të re.

KALLXO.com, ka kontaktuar sërish komunën për t’i pyetur nëse tuneli është rifunksionalizuar, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Neglizhenca në mirëmbajtjen e pajisjeve dezinfektuese

Institucionet e vendit shpenzuan shumë për tunele dezinfektuese, por shumë prej këtyre tuneleve kanë mbetur jashtë funksionit, për shkak të mungesës dezinfektuesve dhe mirëmbajtjes jo të rregullt.

Dezinfektuesi në Obiliq, Foto: KALLXO.com

Një tunel i tillë dezinfektues i vendosur në qendër të qytetit të Obiliqit është tërësisht jashtë funksionit.

KALLXO.com ka realizuar disa fotografi të tij, i cili nuk lëshon dezinfektues si dhe është i dëmtuar.

Arba Mirena, zyrtare për marrëdhenie me publikun në Komunën e Obiliqit ka thënë për KALLXO.com, se tuneli është demoluar nga “disa persona të papërgjegjshëm”.

“Ne kemi pranuar shqetesimin nga qytetarët, për mos-funksionimin e këtij tuneli dezinfektues në qendër të qytetit, me këtë rast ekipet tona kanë dalur me terren, ku kanë konstatuar se disa persona të papërgjegjshëm kanë demoluar plastikat stërpikse në tunelin dezinfektues në qendër të qytetit, mënjeherë kemi kontaktuar kompaninë dhe në një afat sa më të shkurtër kohor, kjo do të riparohet dhe do të rifunksionalizohet”, thuhet në përgjigjen e saj për KALLXO.com.

Sipas saj, pas shfaqjes së pandemisë globale Covid-19, përveç dezinfektimit të vazhdueshëm, komuna e Obiliqit ka bërë vendosjen e dy tuneleve dezinfektues “të cilët janë të vendosur në: -Qendër të qytetit (Sheshin e qytetit) dhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF). Këto tunele janë në shërbim të qytetarëve të Komunës së Obiliqit, në funksion të mbrojtjes dhe parandalimit nga virusi Covid-19”.

Tuneli dezinfektues në Obiliq, Foto: KALLXO.com

Telashe ka edhe në dezinfektuesin e vendosur në oborrin e Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Një qytetar ka raportuar në KALLXO.com, se ky tunel ka probleme me sensorët e shpërndarjes së dezinfektuesit.

Lidhur me këtë, Dretoria e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, ka thënë se tuneli në fjalë është donacion, duke kërkuar që për këtë çështje t’i drejtohemi donatorit.

“Kabina dezinfektuese është donacion nga kompania Trully Nollen, e cila kompani edhe pas donacionit ka ndihmuar me përkujdesje, nuk është investim nga QKUK, andaj drejtohuni tek donatori”, thuhet në përgjigjen e ShSKUK-së për KALLXO.com.

Kurse, drejtori i kompanisë “Truly Nolen”,  Korab Gunga ka thënë për KALLXO.com se nuk po kanë kapacitete që të mbushin kabinen me dezinfektues për shkak të fluksit të personave që e përdorin.

“Një orë ose dy që s’punon kabina, ne spo mujm qaq ka fluks të madh të njerëzve saqë po harxhohet brenda një orë në një ditë, një ditë e gjysmë. Ne nuk po kemi kapacitet me e mush sa shpesh po harxhohet, sidomos dy javët e fundit, Përndryshe sa herë që na kërkohet e mbushim dezinfektuesin dhe kur shkojmë cdo dy-tri ditë te klinika”, tha ai për KALLXO.com.

Edhe në qytetin e Ferizajt, tuneli dezinfektues i vendosur tek QKMF-ja, afër Spitalit të Përgjithshëm të enjten ka qenë jashtë funksionit.

KALLXO.com ka realizuar një video në atë tunel, nga i cili nuk shpërndahet dezinfektuesi.

Kurse, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Ferizajt, Bekim Ademi ka thënë për KALLXO.com se nuk është në dijeni që tuneli nuk është në funksion.

 

“Vetëm nëse është tash momentalisht pa punu se përndryshe ka qenë aktiv. Përndryshe atë e kemi donacion që na e ka dhuru deputeti i Kuvendit, Enver Haliti (Lëvizja Vetëvendosje), dhe ka qenë jashtëzakonisht funksional dhe kemi qenë falënderues ndaj tij për këtë donacion. Nuk e di, s’kam qenë në dijeni që nuk është duke bo”, tha ai.

Ademi shtoi se do të interesohet që ky problem të rregullohet.

“Unë e di që punon por mund të ndodhë që dje ose sot ndoshta nuk është duke punu. Tash do t’i thërrash dhe do të shoh”, shtoi zyrtari komunal.

Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani në Kosovë, me coronavirus janë infektuar mbi 5 mijë e 200 persona, kanë vdekur më shumë se 100 pacientë dhe janë shëruar mbi 2 mijë të tjerë.

 

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.