Prishtina Mjaltë për Zyrtarët e Saj

Kur qeveria lokale e Prishtinës shpërndau bletë për 140 banorë të saj që të kultivonin mjaltë, 19 zyrtarë komunalë dolën në listën e përfituesve.

Ata mbajnë pozita si inspektorë e referentë komunalë, roje pylli, vozitës, zyrtarë të departamentit të inspeksionit dhe zyrtarë të bashkësisë lokale.

Komuna konfirmoi se punonjësit e saj gjenden në listën e përfituesve.

Po ashtu ajo, vetëm pasi shpërndau bletët për dy vjet radhazi, mori vendim që të organizojë trajnime bletarie.

Dhe prapë disa zyrtarë komunalë pohuan se nuk kishin kohë të merrnin pjesë në trajnime sepse duhet të ishin në vendin e punës. Njëri syresh konfirmoi vdekje të bletëve.

Projekti që ishte i ndarë në dy faza, 2011 dhe 2012, ka furnizuar me bletë gjithsejtë 140 individë.

Vlera e tij ka qenë 79 mijë 620 euro.

Komuna ka ndarë nga dy koshere me bletë dhe pajisjet për bletari si maska, doreza, centrifuga (aparat për nxjerrje të mjaltit) bashkë me mjete tjera të vogla ndihmëse për përfituesit.

Udhëheqësi Fexhri Hyseni, shef i sektorit të bujqësisë në komunën e Prishtinës, pranon se projekti nuk është përgatitur si duhet dhe si pasojë një numër zyrtarësh kanë arritur të përfitojnë.

“Janë shumë faktorë për këtë. Faktori kryesor është përzgjedhja e përfituesve. Fexhri Hyseni

Ai thotë se kanë qenë vetëm dy kritere për të aplikuar – aplikuesit duhet të ishin banorë të komunës së Prishtinës dhe të kishin nga 5 ari tokë.

Hyseni shtoi se, megjithatë, aplikuesve i ishte kërkuar vetëm plotësimi i një formulari me të dhëna si dhe një kopje letërnjoftimi. 

Zyrtari thotë se projekti ishte kryer shpejt.

“Ky është i vetmi projekt me të cilin nuk jam i kënaqur”, Hyseni i tha Gazetës Jeta në Kosovë. “Janë shumë faktorë për këtë. Faktori kryesor është përzgjedhja e përfituesve”.

Përzgjedhja e 140 përfituesve, thotë ai, ishte bërë në mënyrën “apliko i pari, përfito i pari” në një afat prej dhjetë ditësh.

Sipas tij, në mesin e përfituesve që aplikuan, të parët janë edhe zyrtarët komunalë.

Në vitin 2011 aplikimi ishte hapur më 27 shtator. Afati për aplikim zgjaste deri më 7 tetor. Kur ishte arritur numri 100, personat aplikues veç ishin bërë edhe përfitues.

E njëjta ka ndodhur me fazën e dytë, në vitin 2012, për 40 përfituesit e tjerë.

Hyseni tha se qëllimi i këtij projekti ka qenë që të bëhen më shumë bletarë në komunën e Prishtinës.

Faza e parë ka pasur vlerën prej 32 mijë e 500 eurosh ku janë furnizuar 100 individë me bletë.

Pastaj, në vitin 2012, vlera e fazës së dytë ishte 47 mijë e 120 euro ku 40 individë janë furnizuar me bletë dhe pajisje për bletari, duke përfshirë pajisje edhe për grupin e parë.

“Ka përfitues që nuk i kanë përfillur këshillat tona dhe kanë pësuar humbje të bletëve. Sylejman Zogiani

Komuna e Prishtinës për të dy fazat bleu bletët nga kompania “Bleta”, pronë e Sylejman Zogianit. Kompania fitoi dy tenderët për furnizim me bletë të Komunës së Prishtinës. 

Zogiani thotë se komuna nuk e ka përgatitur mirë projektin. 

“Ka përfitues që nuk i kanë përfillur këshillat tona dhe kanë pësuar humbje të bletëve”, tha Zogiani, i cili është edhe kryetar i shoqatës së bletarëve për Prishtinë, “Bleta”.

Ai shtoi se në listë të përfituesve ka individë që janë fillestarë edhe pse ai e kishte këshilluar komunën që të përfshijë në projekt grupe të caktuara në nevojë si gratë e veja ose familje që jetojnë nga ndihmat sociale.

Njëherë bletët, pastaj trajnimi

Më 23 prill të këtij viti, komuna e Prishtinës ka nisur trajnimin për bletari ku i janë dërguar ftesat të gjithë përfituesve.

Në trajnim, të drejtë pjesëmarrje kanë edhe të interesuarit tjerë për bletari e të cilët nuk kanë qenë përfitues nga komuna.

Shoqata e bletarëve të Podujevës “Llapi” ka fituar tenderin për trajnime të bletarëve në vlerë prej 5,700 eurosh. Ligjëratat i mban Raif Muçolli, kryetar i shoqatës.

Trajnimet do të zgjasin tre muaj, të ndara në tri lokacione – Besi, Keqekollë dhe Mramorë.

Një prej pjesëmarrësve, Afrim Gashi, fillestar dhe përfitues i bletëve nga komuna, tha se po mëson shumë gjëra nga trajnimi.

Gashi është punëtor i komunës dhe punon si referent në bashkësinë lokale të Mramorit.

“Jam duke mësuar shumë gjëra”, tha Gashi për Gazetën Jeta në Kosovë. “Ligjëruesi është shumë i aftë”.

Gazeta ka kontaktuar edhe disa nga punëtorët e komunës, përfitues të bletëve.

“Një familje bletë më kanë vdekur. Mirë e kaluam dimrin, por në pranverë ato i humba. Nuk e di pse. Afrim Gashi

Mehmet Krasniqi punëtor i Qendres Kulturore të Fëmijëve, Agim Miftari zyrtar në Drejtorinë e Inspeksionit si dhe Emin Hasimi roje pylli kanë pohuar se janë përfitues të bletëve të shpërndara nga komuna, por të gjithë thanë se nuk mund të shkojnë në trajnime për shkak se duhet të jenë në vendin e punës.

Një zyrtar tjetër i komunës tha se tashmë disa nga bletët i kanë vdekur.

Fadil Gashi, i cili punon si operator në sektorin e emergjencës, nën drejtorinë e shërbimeve publike, thotë se ka humbur një koshere bletë, duke mos ditur arsyet.

“Një familje bletë më kanë vdekur. Mirë e kaluam dimrin, por në pranverë ato i humba. Nuk e di pse”, Gashi i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Drejtuesi i projektit Fexhri Hyseni tha se kishte kërkuar që trajnimi të fillonte në vitin 2012, gjatë fazës së dytë të furnizimit me bletë, por se procedurat e prokurimit nuk e kishin lejuar këtë.

“E rrugës ka qenë që trajnimi të mbahet në mënyrë paralele me përfituesit e bletëve, por zyra e prokurimit nuk na ka lejuar pasi që shpenzimet për trajnim ishin jashtë projektit fillestar”, tha Hyseni.

Por Hyseni shton se ky projekt i ka dhënë mësim sektorit të tij.

“Në të ardhmen kriteret do të jenë më rigoroze”.