Prishtina e Quan Real Raportin e DASH-it për Trafikim

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, njëherit Koordinator Nacional Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, Sasha Rashiq, në një konferencë për media, tha se e mirëpresin raportin, i cili bën vlerësimin e përpjekjeve të qeverive kudo në botë, përfshirë Kosovën, për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore.

Rashiq tha se raporti është objektiv dhe ka gjëra të cilat mund të përmirësohen dhe disa veç  janë përmirësuar që nga dita e përpilimit, deri ne ditën e shpalljes së raportit.

Në Raportin për Trafikimin e Personave për vitin 2012, të paraqitur të martën nga sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, në pjesën kushtuar Kosovës, raporti shprehet se vendi është burim, destinacion, dhe ndoshta vend tranzit për gratë dhe fëmijët që janë viktima të trafikimit për seks, dhe për fëmijët që i nënshtrohen lypjes së detyruar.

Raporti thotë se qeveria e Kosovës po bën përpjekje domethënëse për të përmbushur plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por në të veçohet gjithashtu fakti se pavarësisht njoftimeve mbi raste bashkëpunimi në trafikim nga ana e punonjësve qeveritarë, asnjë zyrtar nuk është dënuar për këtë vepër penale.

“Ne kemi arritur të analizojmë mirë raportin  dhe mund të ju them se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore. Jemi të vendosur që me të gjitha forcat dhe mjetet në mënyrë institucionale të luftojmë kundër kësaj dukurie, e cila drejtpërsëdrejti cenon dinjitetin njerëzor”, tha zëvendësministri Rashiq.

Koordinatori Nacional Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, Sasa Rashiq, tha se qëllimi Qeverisë së Kosovës është që t’i mbrojë të gjithë qytetarët e Kosovës, në mënyrë që vendi të jetë i sigurt. Kosova është gjithnjë burim, vend transit i mundshëm dhe destinim i trafikimit me qenie njerëzore. Numri më i madh i viktimave të trafikimit në Kosovë janë viktima me qëllim të eksplaitmit seksual, por gjithashtu dhe eksplatimit në punë, por është edhe një dukuri që po vërehet kohëve të fundit, ajo e fëmijëve që kërkojë lëmoshë.

“Ne kemi bazën ligjore, ku ekzistojnë dokumente strategjike dhe operative dhe ne merremi me aktivitete të përditshme duke u përpjekur t’i përmbushim objektivat tona të parapërcaktuara. Do të vazhdojmë me gjitha kapacitet tona të cilat gjithnjë e më tepër jemi duke i forcuar. Në këtë aspekt ekziston edhe dimensioni politik, sepse lufta kundër kësaj forme të krimit të organizuar ndërlidhet edhe me integrimet evropiane, liberalizimin e vizave etj”, ka vazhduar Rashiqi.
 
Zëvendësministri Rashiq konsideron se Qeveria e Kosovës ka arritur që të përmbush të gjitha standardet, por janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme që kjo të reflektohet edhe në këtë raport. Gjithashtu, sa i përket rehabilitimit të viktimave të trafikimit janë bërë përparime dhe është krijuar një sistem i funksionimit të strehimoreve të caktuara, ku strehohen viktimat dhe pas rehabilitimit rikthehen në jetën normale.

“Ajo me çka mund të krenohemi, që përmendet në raport, është se janë duke u bërë përpjekje në parandalimin e kësaj dukurie. Përmes fushatave të ndryshme, përmes institucioneve përgjegjëse jemi duke ngritur nivelin e vetëdijesimit  të qytetarëve në lidhje me trafikimin me qenie njerëzore dhe kështu zvogëlojmë numrin e viktimave të mundshme”, tha Rashiqi.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme e pranoi se ajo që “deri diku është negative në  raport”, është procedimi i lëndëve të atyre që janë të përfshirë në trafikim, si kryes të veprës dhe të përshirë në vepra penale që ndërlidhen me trafikimin e qenieve njerëzore. Sipas tij, janë bërë disa përparime në këtë aspekt, gjykatat janë duke  bërë punën e tyre, por proceset gjyqësore zgjasin më gjatë se periudha e raportimit.

Ai tha se Qeveria e Kosovës ka përpiluar Kodin e ri Penal, që do të kalojë në Kuvendin e Kosovës, ku parashihen edhe dënimet që drejtpërsëdrejti i referohen çështjes së trafikimit me qenie njerëzore.

Sipas Rashiqit, në sistemin e rankimit të shteteve sa i përket përmbushjes së kritereve, Kosova është në një nivel me një numër të konsiderueshëm të shteteve anëtare të BE-së dhe disa edhe i tejkalon. Ai theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që të arrijë maksimumin për të lëvizur në pozitën e parë dhe të përmbushen të gjitha kriteret sa i përket eliminimit të trafikimit.