Flamujt e Kosovës dhe të ShBA-së - Foto: KALLXO.com

Prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës pas zgjedhjeve të tetorit 2019

Listës së dështimeve të shtetit të Kosovës në këto vite, sidomos pas pavarësisë, padyshim se nuk i mungon as politika e jashtme. Për fat të keq, Kosova është futur tashmë në ciklin e mbrapshtë të stagnimit dhe në disa aspekte edhe të zhbërjes. Dështimet e brendshme dhe politika e jashtme pa vizion e kanë rikthyer Kosovën nga një çështje e mbyllur në temë të hapur për marrëveshje dhe pazare të reja duke ia ngrirë asaj çdo proces të pranimit dhe njohjes nga shtete dhe organizata të botës.

Kosova sot ka nevojë ta ridefinojë totalisht politikën e saj të jashtme dhe funksionimin e saj të brendshëm. Urgjencë absolute përbën ndalja e zhbërjes dhe e çnjohjes nga jashtë sepse kjo është duke futur dyshime edhe tek aleatët tanë më të qëndrueshëm. Kosovës i duhet një Ministri e Punëve të Jashtme ultra reaktive dhe dinamike, jo Ministri për rroga të militantëve.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës duhet të organizohet në mënyrë origjinale, specifike, në bazë të nevojave. Duhet të ketë grupe dhe ekipe të mbushura me njohës të çështjeve, shteteve dhe rajoneve që i duhen Kosovës. Me funksionim klasik dhe në inerci totale sikur deri sot, asnjëra nga prioritetet e mëposhtme s’mund të realizohet. Një Ministri e Punëve të Jashtme, e organizuar në mënyrë tjetër, me ekipe e task-forca për punë e misione konkrete, do duhej të përqendrohej në këto prioritete sa i përket politikës së jashtme :

1) Definimi i strategjisë për politikë të jashtme dhe diplomaci aktive – Duke qenë se Kosova është e angazhuar në bisedime me Serbinë nga njëra anë dhe në procese integruese nga ana tjetër, atëherë ajo duhet ta definojë qartë strategjinë e saj të politikës së jashtme dhe të dalë nga bllokada aktuale. Gjëja e parë që duhet të bëhet është ndërtimi i një diskursi të ri diplomatik, i cili për bosht duhet ta ketë idenë apo bindjen se Kosova është çështje e mbyllur në aspektin e saj politik në raport me Serbinë dhe me vendet fqinje. Me fjalë të tjera, Kosova duhet ta konsiderojë veten shtet të pavarur dhe sovran me disa problematika teknike e praktike që duhet të zgjidhen me Serbinë, me Malin e Zi apo me vende të tjera. Qasja e deritashme e sidomos idetë për rinegocim të statusit kanë bërë që Kosova të shihet si një eksperiment me rezultat të pakonfirmuar.

Strategjia “Kosova çështje e mbyllur” duhet të dalë nga strategjia e përgjithshme e qeverisë se ardhshme, e cila duhet të jetë baza nga e cila niset çdo veprim politik që prek qenësinë e Kosovës si shtet nga jashtë dhe organizimin e saj nga brenda. Kjo strategji do t’i mundësonte Kosovës ta tregojë gjendjen dhe historinë e saj me një vijë si rast unik dhe i veçantë, pa analogji me vende të tjera. Qartësia e rastit “Kosovë” do t’i kufizonte idetë apo tendencat për ta krahasuar atë me raste të tjera, për shkak të të cilave sot 5 vende të BE-së nuk na njohin.

2) Forcimi dhe ruajtja e njohjeve ekzistuese – Të krijohet një ekip brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme, i cili për detyrë do ta ketë forcimin, mirëmbajtjen dhe ruajtjen e njohjeve ekzistuese. Kërcënimi serb me çnjohjet e Kosovës doli të jetë i vertetë tashmë. Ekipi i angazhuar në këtë mision duhet të ketë detyra precize. Së pari duhet të riverifikojë të gjitha njohjet dhe të analizojë lidhjet diplomatike me vendet në fjalë. Analiza e mirëfilltë do ndihmonte në përcaktimin e nivelit të lidhjeve diplomatike dhe sidomos në ‘matjen’ e ndjeshmërisë së njohjeve. A është njohje solide? A është njohje e zbehtë nga ato që vinin me disa dyshime që në start apo njohje e fortë dhe e qartë. Në cilindo rast, Ministria me ekipin e saj të dedikuar, duhet të angazhohet seriozisht dhe non-stop.

Ekipi për “ruajtjen e njohjeve” duhet ta informojë Ministrinë për çdo lëvizje të mundshme politike apo gjeostrategjike që mund të çojnë deri të çnjohja apo dyshimi ndaj Kosovës. Sot në botë ka më shumë shtete “anormale” sesa shtete normale dhe stabile, prandaj do të ishte gabim nëse konsiderohen njohjet ekzistuese si diçka e garantuar përjetë.

3) Theksi mbi qendrat vendosëse, ristrukturimi i përfaqësive diplomatike të Kosovës – Kosova nuk ka as nevojë dhe as mundësi të shpërndahet nëper botë sikur të ishte ndonjë superfuqi. Duhet të bëhet një ricentrim i aksionit diplomatik dhe të fokusohemi më shumë në qendrat që sot vendosin apo flasin për botën.

Prioritet absolut në ketë pikë duhet të jetë shndërrimi i ambasadave në Paris, Berlin, Romë, Londër dhe Washington në përfaqesi të denja dhe ultra-reaktive. Në këto qendra Kosova duhet t’i blejë objektet e ambasadave dhe të instalohet seriozisht në to me staf të përgatitur dhe apartiak. I gjithë potenciali ynë financiar dhe diplomatik duhet të përqendrohet në këto qendra. Nuk guxojmë të mbajmë në Paris e Berlin njerëz të paaftë veç sa për një rrogë dhe disa shëtitje turistike. Nga këto qendra mund të zbuten edhe vendet që nuk na njohin dhe njëkohësisht të forcohen lidhjet me aleatët. Kosova duhet ndoshta t’i mbyllë disa përfaqësi, për momentin të padobishme, dhe ta ridestinojë buxhetin e tyre në qendrat kryesore. Na duhen 5 superambasada, me super-profile dhe super-projekte konkrete për ndikim dhe veprim.

4) Strategji apo qasje e re për shqiptarët në Ballkan – Të ridefinohet edhe strategjia e Kosovës në raport me Shqipërine dhe vendet tjera ku ka shqiptarë, duke i dhënë fund “bashkimeve kombëtare” sa për Facebook dhe për vitrina politike. Duhet të ketë bashkim në zgjidhjen e halleve brenda shteteve ku jetojmë dhe koordinim me BE-në në këto aspekte. Kosova nuk i ka rrethanat të ketë pretendime nacionaliste apo territoriale në Ballkan. Ka shumë çështje që mund të uniformizohen në mes Kosovës dhe Shqipërisë por në asnjë rast nuk duhet të bëhemi pengesë e njëri-tjetrit siç ndodhi tash vonë me implikimin e dëmshëm të kryeministrit Rama në çështjen e bisedimeve me Serbinë.

Me fjalë të tjera, Kosova duhet ta ketë politikën e saj rajonale në kuadër të politikës së jashtme dhe kjo politikë rajonale të mos jetë veç me anim ‘je ose me Shqipërinë, ose me Serbinë’ si në kohën e Titos. Kjo politikë duhet të jetë me shikim nga e ardhmja e përbashkët. Bashkimet kombëtare apo prishjet e kufijve duhet t’i lihen kohës.

5) Integrimi, pranimi dhe njohjet e reja – Këto tri pika varen më shumë nga politika e brendshme sesa nga ajo e jashtme. Pozicionimi i qartë i Kosovës sa i përket statusit të saj, fillimi i vendosjes së një shteti të së drejtës dhe përfundimi i gjendjes stagnuese aktuale, janë përbërësit që i duhen diplomacisë së Kosovës në mënyrë që ajo të jetë e besueshme dhe serioze jashtë vendit.

Duhet të krijohen ekipe përkatëse për integrimet dhe për njohjet e reja. Nuk na duhen 4-5 zëvendësministra të Jashtëm por 4-5 persona të aftë që do ta instalonin një kulturë të re pune dhe angazhimi publik. Njohjet e reja nuk mund të vijnë falë aleatëve sepse edhe aleatët kanë filluar të dyshojnë në Kosovën “e tyre”. Ne duhet të shkojmë derë më derë dhe t’u flasim vendeve me gjuhën e tyre, duke i analizuar ato dhe duke ua kuptuar problematikat politike, financiare e gjeostrategjike.

Urgjencë absolute e konsideroj njohjen e Kosovës nga 5 vendet refuzuese të BE-së. Këtu duhet të përqendrohen përpjekjet dhe këtu mund të ketë dobi ajo që u tha në pikën 3 këtu sipër.

Kosova nuk duhet ta thellojë lidhjen me BE-në me paqartësi në njohje dhe pranim sepse kjo e normalizon anormalen dhe “kreativiteti” i Brukselit do të na mbetet neve si pengesë për më vonë, si në rastin e Qipros, e cila ka mbetur rast i ngrirë me të cilin nuk merret kush më. Kosova duhet të kërkojë me ngulm pranim en bloc nga BE-ja dhe të mos pranojë më bisedime veç për zhbllokimin e Serbisë.

Deri në fund të mandatit të Donald Trump nuk mund të llogarisim në ndonjë mirëkuptim apo mbështetje për hallet tona nga Uashingtoni. Derisa të ketë ndryshime në Shtëpinë e Bardhë, ne duhet t’i sqarojmë punët dhe dosjet me BE-në dhe t’u tregojmë liderëve të rinj në krye të BE-së që Kosova nuk mund të rrijë në stagnim as në bllokim. Ajo që është thënë në pikën 1, definimi i strategjisë për politikë të jashtme, (nëse bëhet) do ta ndihmonte edhe pikën 5 dhe do e rikthente Kosovën në skenë si shtet serioz me vizion dhe projekt për shtet që funksionon dhe që pranohet si i tillë.

Nezir KRAKI është ligjërues i shkencave politike në Universitetin Paris-Est dhe drejtor i programeve në shkollën private të biznesit Enaco, në Lille të Francës. Jeton në Paris që 12 vite dhe është specializuar në vendimmarrje strategjike në Universitetin prestigjioz të Stanfordit, në Kaliforni, në programin ‘Strategic Decision and Risk Management’.

Shënim: Artikulli është pjesë e serisë së analizave që ofrojnë zgjidhje për problemet më të mëdha të Kosovës që presim t’i shohim në programe politike gjatë këtyre zgjedhjeve. Këto analiza shkruhen nga ekipi ynë i ekspertëve të brendshëm dhe të jashtëm që kanë më shumë se 10 vjet përvojë pune në teren në fushën për të cilën po shkruajnë. Nëse ka njerëz tjerë me ide për zgjidhje të problemeve, e që janë jashtë partive, po i ftojmë të na shkruajnë analiza të ngjashme në ditët në vijim. Po e botojmë këtë seri me qëllim që të ushqejmë programet e partitë politike me ide për zgjidhje të problemeve. Qytetarët e Kosovës meritojnë të dëgjojnë më shumë se zhurmë, huti dhe prognoza koti prej shoqërisë civile e mediave, andaj po ofrojmë ide për gjithë ata që e kanë seriozisht garimin në këto zgjedhje me program. Me këto analiza nuk po e luajmë vetëm rolin e kritikut dhe përshkruesve të mirë të problemeve, por, nëse lexoni deri në fund, do të shihni sugjerime për zgjidhje të problemeve. Të gjitha idetë janë të hapura për t’u inkorporuar në programe të partive politike dhe për t’u përdorur nga qytetarë e gazetarë për të zhvilluar debate substanciale gjatë zgjedhjeve.