Grafika: Trembelat për Kallxo.com
‘Presion' për Asociacion
Kosova po përjeton “presionin” më të madh politik për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe (AKS). Zyrtarë amerikanë themelimin e AKS-së po e quajnë si veprim të domosdoshëm, ndërsa marrëveshja fillestare për të po kundërshtohet pasi nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë me ngulm që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, një marrëveshje e nënshkruar 10 vjet më parë në kuadër të dialogut Kosovë Serbi të nisur më 2011.
Ambasada amerikane në Prishtinë, thirri për të martën në mesditë një takim me përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile në Kosovë, siç thonë për të dëgjuar perspektivat për Asociacionin, ndërsa në po të njëtën kohë u thirr një protestë në Prishtinë për ta kundërshtuar marrëveshjen e Asociacionit.
Dy zyrtarët amerikanë – Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë ritheksuar edhe njëherë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sipas tyre, zotimi i Kosovës për ta krijuar AKS-në, nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk cënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj.
“Zotimi i Kosovës për ta krijuar Asociacionin nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj” – shprehen zyrtarët amerikanë.
Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe paraqet gurthemelin e marrëveshjes së 19 prillit 2013 mes të dyja palëve, ku gjashtë nga 15 pikat e marrëveshjes janë të fokusuara në krijimin e tij.
Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Kjo e fundit në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që implementon parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese.
Themelimi i Asociacionit është përmendur edhe në propozimin e fundit evropian, një plan disa-pikësh i ofruar nga zyrtarët amerikanë e evropianë për Kosovën dhe Serbinë, ndonëse i njëjti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.
Një ditë pas takimit me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili i ka të shpeshta vizitat e tij në Prishitnë e Begrad këto javë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh më 26 janar, se ka insistim të ndryshëm ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjes.
Por, sipas Kurtit asnjë nga 33 marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të ketë prioritet hierarkik.
Ideja e zbatimit të një marëveshje të tillë është kundërshtuar me theks të veçantë nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Ata thonë se se qëndrimi i tyre është kundër themelimit të një asociacioni dhe çdo marrëveshje tjetër mbi baza etnike.
Në anën tjetër, analistët politikë në Kosovë vlerësojnë se një kërkesë e tillë nga ShBA-ja është në favor të Serbisë. Sipas Ardian Arifajt, veprimet e Qeverisë së Kosovës së fundmi në veri të vendit, ndikuan që bashkësia ndërkombëtare t’i jap prioritet punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndërsa, Nezir Kraki çështjen e Asociacionit e konsideron si “tentativë” të amerikanëve për të ngushëlluar Serbinë.
Insistimi i ShBA-së në prespektivën e analistëve
Ardian Arifaj, analist dhe ish-këshilltar i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se veprimet e Qeverisë së vendit në pjesën veriore , siç thotë Arifaj, Serbia me sukses i paraqiti si fushatë kundër komunitetit serb në Kosovë.
Sipas analistit, këto hapa kanë bërë që bashkësia ndërkombëtare t’i jap prioritet punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Qeveria e Kosovës është dashur të ‘lexojë’ këtë dhe të reagojë në mënyrën e duhur, duke filluar të diskutojë për Asociacionin, gjithnjë e vetëdijshme që vet themelimi i Asociacionit do të marrë kohë, kohë që Qeveria e Kosovës ka mundur të shfrytëzojë për të promovuar pikëpamjen e vet për zhvillimet në Kosovë”- thekson Arifaj për KALLXO.com.
“Për më tepër, Qeveria e Kosovës duhet të qëndrojë konstruktive me bashkësinë ndërkombëtare, me aleatët e Kosovës, sepse vetëm duke komunikuar dhe bashkëpunuar, do të mund të dëshmojë qëndrimin e vet dhe të ‘kthejë kah vetja’ bashkësinë ndërkombëtare”- shton ai.
Ndërkaq, profesori universitar në Paris, Nezir Kraki kërkesën e ShBA-së për Asociacion po e konsideron si “tentativë” për të ngushëlluar Serbinë.
Sipas Krakit, Kosova nuk duhet të “çoroditet nga brenda dhe të bëhet shtet i pa qeverisshëm si pasojë e ndikimit serb në sistemin kushtetues e politik të saj”.
“E konsideroj si tentativë për ta ngushëlluar Serbinë edhe për humbjen e Kosovës edhe për ‘divorcin’ e saj të shpresuar nga Rusia. Për mua asnjëra nga këto dy arsye nuk vlen që Kosova të çoroditet nga brenda dhe të behet shtet i pa qeverisshëm si pasojë e ndikimit serb në sistemin kushtetues e politik te saj. Mu sikur ndodh prej vitesh me Bosnjën”- vlerëson Kraki.
Mirëpo, ish-këshilltari i Thaçit, Arifaj deklaron se nuk kujtohet që ndonjëherë ka pasur kaq vëmendje dhe angazhim të aleatëve të vëndit, për një temë në Kosovë.
“Vështirë të kujtohet që ndonjëherë ka pasur kaq vëmendje dhe angazhim të aleatëve të Kosovës, për një temë në Kosovë. Më të jashtëzakonshme janë raportimet nëpër media socilale që thonë se Kosova asnjëherë nuk është shikuar me sy më të keq se sa tani në kryeqendrat si Uashingtoni e Brukseli. Diçka e tillë nuk është parë dhe as që është imagjinuar deri tani”- shprehet ai.
Ndërkaq, profesori universitar, Kraki thekson se e kupton nxitimin e diplomatëve amerikanë por sipas tij, ShBA gabon nëse mendon që fuqizimi i Serbisë në Ballkan është ide e mire strategjike.
“E kuptoj ngutinë e diplomatëve por Kosova nuk është për kusuritje në pazare tjera. Kosova është shtet fale Amerikës dhe mundit tonë shekullor. Mendoj që ne këtë rast Amerika gabon nëse papritmas mendon që fuqizimi i Serbisë në Ballkan është ide e mire strategjike. Kur them Amerika i mendoj të dërguarit e saj të cilët duan suksese të shpejta, por ato nuk duhet të arrihen duke e zhbërë Kosovën dhe duke shkelë edhe në përpjekjen amerikane për Kosovën shtet sovran”- thotë Kraki.
Për çështjen e Asociacionit, rolin kryesor sipas Arifajt e ka Qeveria.
“Rolin kryesor në çështjen e Asociacionit e ka Qeveria e Republikës së Kosovës. Deri tani, opozita politike është treguar konstruktive, e ka përkrahur hapur Qeverinë në procesin e dialogut me Serbinë dhe ka marr pjesë në takimet që i ka ftuar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”- thekson ai.
Arifaj për KALLXO.com deklaroi se opozita mund të ndihmojë edhe në diskutimet për Asociacionin dhe për dokumentet që do të themelonin dhe rregullonin këtë çështje por, sipas tij vendimi është i Qeverisë.
Ndërsa Kraki thotë se nuk ka pritshmëri nga takimi i së martës në Ambasadën Amerkane pasi sipas tij, diskutimi për një gjë të papranueshme nuk e bën atë të pranueshme.
“Asgjë sepse premisat e diskutimeve janë gabim. Fakti qe diskutohen shumë për një gjë të papranueshme nuk e bën atë te pranueshme. Mirë që ka takime e dëgjime me të gjithë, por të gjithë duhet të jenë me idenë që Kosova nuk ka çka jep më për Serbinë”- thekson Kraki.
Kraki vlerëson se nëse ShBA dëshiron që të ngushëllojë Serbinë, duhet të përdorë mjete tjera, por jo, siç shprehet profesori “ duke e rikthyer Kosovën nën ndikimin e saj”.
Ftesa e “pa personalizuar” e ShBA-së për Kurtin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë javën e kaluar deklaroi se nuk është ftuar nga Ambasada Amerikane në takimin për Asociacionin.
Kreu i ekzekutivit beson se ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit amerikan, Gabriel Escobar.
“Unë nuk jam ftuar në atë takim, por ata që janë ftuar, le të shkojnë në atë takim dhe le ta diskutojnë. Por, po e ritheksoj, nga 33 marrëveshjet e Brukselit nuk bën të zgjidhet njëra sepse nuk ka hierarki. Nuk mund të krijohen hierarki artificiale, përveç rendit kronologjik. Ndërkaq, në anën tjetër, edhe nga propozimi i Bashkimit Evropian nuk mund të përzgjidhet vetëm ndonjë nen, i cili mendohet që e përfshin Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pra, unë besoj që ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet”- ka deklaruar Kurti.
Ndërkaq, një zëdhënës i Ambasadës Amerikane për KALLXO.com tha se u ka bërë ftesë të dy zyrave, asaj të Kryeministrit dhe Presidentes.
Në përgjigjen e tyre thuhet se në këtë diskutim pjesëmarrjen e kanë konfirmuar anëtarët e stafit të dy zyrave duke shtuar se kanë ftuar grupe të ndryshme liderësh të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë, liderë politikë e diplomatë.
Mirëpo, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë se kryeministri i vendit, Albin Kurti nuk ka pasur ftesë të personalizuar për takimin ku pritet të diskutohet për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kryeziu në një përgjigje për KALLXO.com tha se për takimin në fjalë ftesë ka pranuar shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, i cili do të marrë pjesë.
LVV kundërshton Asociacionin, PDK dhe LDK konfirmojnë pjesëmarrjen në takim e thirrur nga Ambasada
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje është shprehur se është kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. LVV ritheksoi se qëndrimi i tyre është kundër themelimit të një asociacioni dhe çdo marrëveshje tjetër mbi baza etnike.
“U ritheksua qëndrimi i LV kundër themelimit të një asociacioni dhe çdo marrëveshje tjetër mbi baza etnike. Republika e Kosovës ka një nga sistemet më të mira në botë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve jo shumicë, brenda kornizave ligjore/kushtetuese, thanë përfaqësuesit e LV gjatë takimit” – thuhet në postimin e Vetëvendosjes të hënën, pas një takimi me përfaqësues të Fondacioni Friedrich Ebert (FES), të cilët prezantuan një draft-statut për Asociacionin.
Ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës, ka konfirmuar pjesëmarrjen e këtij subjekti politik në takimin e sotëm. Albelard Tahiri nga PDK, u shpreh se do të dërgojnë përfaqësues në kuadër të këtij takimi.
“PDK do ta dërgojë përfaqësuesin e saj në kuadër të këtij takimi. Normalisht që do të marrë pjesë. Ne jemi parti opozitare, çështjeve duhet tu jap drejtim Qeveria e Kosovës” – deklaroi ai.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës konfirmon se është ftuar nga ambasadori i ShBA, Jeffrey M. Hovenier për të marrë pjesë në takim. “Lidhja Demokratike e Kosovës, në këtë takim, do të konfirmojë edhe njëherë mbështetjen për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, me përfshirjen e plotë të SHBA-së. Orientimet e LDK-së për një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme, dhe me njohjen reciproke në thelb të saj, mbesin të pandryshueshme”- deklaron LDK.
Ndërkaq kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se diskutimet për këtë çështje kanë për synim heqjen e pengesave drejt marrëveshjes për njohje të ndërsjellë.
“Diskutimet dhe konsultat për Asociacionin kanë vetëm një synim, heqjen e pengesave të fundit drejt marrëveshjes së madhe me Serbinë, për njohje të ndërsjellë. Ky është një obligim i marrë që duhet të zbatohet në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe këtu çështja mbyllet”- shkruan ai.
Mirëpo Haradinaj nuk ka deklaruar nëse AAK do të jetë e pranishme në takimin e ambasadës.
Çka parasheh marrëveshja fillestare e Asociacionit?
Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është njëra prej marrëveshjeve më të diskutueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për të cilën ishin pajtuar palët në kuadër të procesit, por që nuk është zbatuar, pasi u vlerësua se disa pika të saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Repubikës së Kosovës.
Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe, paraqet gurthemelin e marrëveshjes së 19 prillit 2013 mes të dyja palëve, ku gjashtë nga 15 pikat e marrëveshjes janë të fokusuara në krijimin e tij.
Marrëveshja fillestare e vitit 2013 parashihte se Asociacioni do të themelohej dhe do të ishte funksional deri në fund të atij viti. Mirëpo, implementimi pati një lloj ngecje deri në verën e vitit 2015.
Më 25 gusht 2015, Kosova dhe Serbia u pajtuan në Bruksel lidhur me një varg parimesh dhe elementesh kryesore të Asociacionit, të cilat herë do kur duhen përkthyer në tekst statuti.
Megjithatë, gati menjëherë pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, blloku opozitar i Kosovës atë kohë, i përbërë nga Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën (NISMA) filluan të protestojnë kundër vendimit.
Marrëveshja jep hollësi të kompetencave që i jepen asociacionit të 10 komunave me shumicë serbe; të ketë “mbikëqyrje” të plotë në sferat e planifikimit rural dhe urban, zhvillimin ekonomik, arsim dhe shëndetësi.
Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
Gjykata kishte konstatuar që Asociacioni i komunave me shumice serbe mund të themelohet, siç ishte paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit në vitin 2013. Ndërsa, Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit e vitit 2015 nuk është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës.
Zhvillimet në veri
Në fundin e vitit 2022, veriu i Kosovës ishte nën tensione mes barrikadash e kundërshtimesh me protesta, që nisi pas një inciative të Qeverisë së Kosovës, në disa faza për largimin e targave ilegale të automjeteve që përdoren në atë pjesë, të lëshuara nga Serbia.
Më 10 dhjetor 2022, barrikadat u vendosën në veri të Kosovës në lokacione të ndryshme në zonën e vendit që është e banuar me shumicë serbe.
Vendosja e tyre erdhi pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb Dejan Pantiq, të cilit më 28 dhjetor 2022 iu është vazhduar masa e arrestit shtëpiak edhe për dy muaj të tjerë pasi i njëjti dyshohet për kryerje të veprave penale terroriste.
Po atë ditë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kërkuan që të ulen tensionet dhe të hiqen barrikadat. Përfaqësuesit serbë të Kosovës u takuan në Rashkë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe njoftuan për heqjen e barrikadave.
Pasditen e 29 dhjetorit, kamionët u ndezën dhe filloi largimi i tyre nga pjesët ku po bllokonin rrugët në veri të vendit. Megjithëkëtë, situata e sigursë në veri vlerësohet e brishtë.