Presidentja Fishkëllehet në Gurthemelin e Xhamisë

(E plotësuar)

Sipas këtij grupi të vogël personash, presidentja e vendit ishte e padëshiruar në këtë ceremoni, pasi është kundër islamit dhe se kohë më parë e ka sharë Librin e Shenjtë mysliman.

“Atifetja ka sharë Kuranin” dhe “Poshtë pushtetarët që sulmojnë Islamin”, shkruante në dy pllakate, që këta protestues mbanin në duar, raporton agjencia serbe e lajmeve Beta, e cila njofton për fillimin e ndërtimit të xhamisë në qendër të Prishtinës, “e cila u shpall se do të jetë një nga më të mëdhatë në Ballkan”.

Pjesëmarrësit që shkaktuan incidentin u larguan, ndërsa Jahjaga vazhdoi fjalimin.

Këshilltari i presidentes, Arbër Vllahiu, ka deklaruar për Indeksonline se ende nuk e di nga kush është fishkëllyer shefja e shtetit.

Foto: Beta

 

Vihet Gurthemeli i Xhamisë Qendrore në Prishtinë

Drejtues fetarë dhe të institucioneve të Kosovës vunë të hënën simbolikisht gurthemelin për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë. “Kosova është vend ku kulturat, traditat e fetë janë gërshetuar përgjatë shumë shekujve dhe ku bashkëjetesa mes tyre ka qenë e vazhdon të jetë virtyt dhe vlerë e saj”, tha me këtë rast, presidentja Atifete Jahjaga.

Xhamia më e madhe në Prishtinë do të ndërtohet në një hapësirë prej rreth 80 arësh në afërsi të ndërtesës së PTK-së në lagjen Dardania.

Tullat e para i vendosën bashkë me kryemyftiun Naim Tërnava, presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa.  

Në ceremoni merrnin pjesë edhe përfaqësues të bashkësive të tjera fetare në Kosovë.

Në fjalën e saj, presidentja Atifete Jahjaga theksoi se Kosova është vend ku kulturat, traditat e fetë janë gërshetuar përgjatë shumë shekujve dhe ku bashkëjetesa mes tyre ka qenë e vazhdon të jetë virtyt dhe vlerë e saj.

“[Kosova] Është vend i besimit në njeriun dhe i mirësisë mes njerëzve, vend i tolerancës dhe respektit fetar. Ky gërshetim vlerash fetare e kulturore i ka dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj një vlerë më të madhe: atë të guximit të bashkëjetesës në diversitet dhe të punës së përbashkët drejt të ardhmes më të zhvilluar”, tha Jahjaga.

“Shteti ynë është shtet laik, i ndërtuar mbi parimin qytetar që garanton çdo të drejtë të secilit individ dhe komunitet, dhe lirinë fetare si një të drejtë demokratike. Është shtet multikulturor e multifetar, shtet gjithëpërfshirës, që respekton vullnetin e qytetarëve të tij dhe njëkohësisht vlerëson edhe përgjegjësitë dhe kontributin e secilit, për një jetë më të mirë dhe të lirë të çdo qytetari”, shtoi presidentja.

Foto: president-ksgov.net

 

Sipas saj, feja në Kosovë, sot është një promotor i paqes dhe urtësisë, i bashkëjetesës dhe solidaritetit mes njerëzve, është urë lidhëse mes të gjitha komuniteteve. “Këto themele që sot po vihen, janë jo vetëm themele të një objekti të kultit, por më shumë se kaq: themele të një objekti që do të ndihmojë besimtarët në rrugën e tyre të fesë, por edhe të gjithë qytetarët e Kosovës që duan të nxënë dijen për fenë”, u shpreh presidentja Jahjaga.

Edhe kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se populli i Kosovës ka një traditë të gjatë të tolerancës dhe harmonisë ndërfetare.

“Kosova shtet i ri, mirëpo është një shembull për rajonin dhe botën për harmonin ndërfetare. Ky fakt bëhet edhe më i rëndësishëm kur në kohën e sotme çështja e bashkëjetesës së kulturave dhe feve është një ndër sfidat më të rëndësishme që po kapërcen bota jonë në saje të procesit të globalizmit, i cili ka ofruar dhe ngjitur dallimet kulturore dhe fetare”, ka thënë ai.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, u shpreh se Prishtinës i është dashur një xhami me përmasa të tilla, që do t’iu sigurojë hapësirë të mjaftueshme besimtarëve myslimanë të kryejnë në kushte minimale ritet fetare.