Presidenti i Panamasë Viziton Kosovën

Presidenti Ricardo Martinelli u prit me nderime të larta shtetërore nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në pritjen e Martinellit u rreshtua edhe Garda e ceremoniale e Forcave të Sigurisë së Kosovës, shoqëruar me himnin e shtetit të Kosovës.

Pas takimit, presidentët Jahjaga dhe Martinelli u shprehën se kjo vizitë do t’i përforcojë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

“Kosova ka hapur një ambasadë në Panama dhe ka themeluar marrëdhënie diplomatike”, tha presidenti i Panamasë, Ricardo Martinelli.

Ai tha se në takim me Jahjagën është biseduar shumë çështje të tregtisë për të cilat u shpreh i sigurt se “do të zhvillohen në të ardhmen”.

“I Kemi ofruar zonjës Presidente informata dhe këshillë, nëse Kosova ka dëshirë ta formojë një zonë të lirë doganore në Kosovë për të gjitha aktivitetet të cilat i zhvillojmë në mënyrë shumë të mirë në Panama, nëpërmes agjencisë sonë për bashkëpunim”, tha Presidenti Martinelli.

Sipas tij, Panamaja është duke hulumtuar edhe shumë mënyra të tjera të cilat mund t’i lidhin dy vendet në mënyrë që të forcohen marrëdhëniet tregtare dhe diplomatike.

Nga ana tjetër, Presidentja Atifete Jahjaga tha se kjo është vizita e parë e një presidenti të Republikës së Panamasë në Republikën e Kosovës.

Sipas Jahjagës, kjo vizitë ka për qëllim fuqizimin,  zgjerimin dhe thellimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve në mes të dyja shteteve dhe popujve.

“Në mënyrë të veçantë me presidentin Martinelli biseduam për mundësinë e zgjerimit e bashkëpunimit ekonomik dhe atij tregtar  ndërmjet dyja vendeve tona duke theksuar nevojën e veçantë për krijimin e klimës për investime në Kosovë, si dhe për ndihmën e Panamasë në procesin e njohjeve të mëtutjeshme të Kosovës nga vendet e tjera, veçanërisht në pjesën e Amerikës Qendrore dhe atë Jugore”, u shpreh Jahjaga.

Presidentja Jahjaga kishte vizituar Panamanë në fund të muajit mars për të marrë pjesë pritjen e organizuar me rastin e fillimit të punimeve të “Forumit Ekonomik Botërore për Amerikën Latine”.

Republika e Panamasë ka njohur pavarësinë e Kosovës  në janar të vitit  2009, kurse Kosova ka hapur ambasadën në Panama në shtator të vitit 2013.