Presidenti Biden e zbulon imazhin e parë mahnitës të teleskopit hapësinor James Webb

Presidenti amerikan Joe Biden e ka zbuluar imazhin e parë me ngjyra të kozmosit të marrë nga teleskopi hapësinor James Webb, duke ofruar atë për të cilin NASA thotë se është “pamja më e thellë, më e mprehtë me rreze infra të kuqe e universit” e shkrepur ndonjëherë.

Gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë të hënën në mbrëmje, Biden tha se është “një ditë historike” pasi teleskopi më i madh dhe më i fuqishëm shkencor i hapësirës në botë ofroi një “dritare të re në historinë e universit tonë”.

“Sot do ta shohim dritën e parë që do të shkëlqejë përmes asaj dritareje”, tha Biden pak para publikimit të imazhit, i cili tregonte drita të ndritshme të bardha, të verdha dhe portokalli që NASA tha se përfaqësonin “galaktikat dikur të padukshme për ne”.

“Drita nga botët e tjera, që rrotullohen rreth yjeve përtej tonave”, tha Biden. “Drita më e vjetër e dokumentuar në historinë e universit nga mbi 13 miliardë – më lejoni ta përsëris – 13 miliardë vjet më parë.”

Imazhi do të pasohet të martën nga publikimi i katër shkrepjeve të tjera të bukurisë galaktike nga vështrimet fillestare të jashtme të teleskopit.

“Ne do t’i japim njerëzimit një pamje të re të kozmosit”, u tha gazetarëve administratori i NASA-s Bill Nelson muajin e kaluar gjatë një konference për media. “Dhe do ta shihni një pamje që nuk e kemi parë kurrë më parë”.

Observatori Webb prej 9 miliardë dollarësh, i emëruar pas njeriut që drejtoi NASA-n gjatë programit hapësinor Apollo që i vendosi njerëzit në Hënë në vitet 1960, ishte projektuar për të parë nëpër kozmos deri në agimin e universit të njohur, duke sjellë një epokë revolucionare të zbulimit astronomik.

Teleskopi Web u ngrit nga Guiana Franceze në bregun verilindor të Amerikës së Jugut më 25 dhjetor 2021, përpara se të arrinte destinacionin e tij përfundimtar 1.6 milion kilometra nga Toka më pak se një muaj më vonë. NASA po bashkëpunon në ëebb me agjencitë hapësinore evropiane dhe kanadeze.

Publikimi i shumëpritur i imazheve të tij të para pason një proces gjashtë mujor të shpalosjes në distancë të komponentëve të ndryshëm të ëebb-it, duke rreshtuar pasqyrat e tij dhe instrumentet e kalibrimit.

Me Webb-in tani të akorduar mirë dhe plotësisht të fokusuar, shkencëtarët do ta nisin një listë misionesh të zgjedhura në mënyrë konkurruese që kanë si qëllim eksplorimin e evolucionit të galaktikave, ciklet e jetës së yjeve, atmosferat e ekzoplaneteve të largëta dhe hënat e sistemit tonë të jashtëm diellor.

I ndërtuar për t’i vrojtuar subjektet e tij kryesisht në spektrin infra të kuq, Webb është rreth 100 herë më i ndjeshëm se paraardhësi i tij 30-vjeçar, Teleskopi Hapësinor Hubble, i cili operon kryesisht në gjatësi vale optike dhe ultravjollcë.

Hubble ka pasur mundësinë e vrojtimit deri në 13.4 miliardë vjet. Hubble e ka gjetur nënshkrimin e valës së dritës të një galaktike jashtëzakonisht të ndritshme në vitin 2016. Astronomët e masin se sa larg duken në vite dritë, me një vit drite që është 9.5 trilionë kilometra.

“Webb e ka mundësinë që të shohë mbrapsht në kohë deri pas Big Bengut duke kërkuar galaktika që janë aq larg sa që dritës i janë dashur shumë miliarda vjet për të kaluar nga ato galaktika në teleskopët tanë”, tha Jonathan Gardner, zëvendës shkencëtari i projektit të ëebb-it gjatë një konferencë e fundit.

Sipërfaqja shumë më e madhe që e mbledh dritën e pasqyrës primare të ëebb – një grup prej 18 segmentesh gjashtëkëndore prej metali beriliumi të veshur me ar – i mundëson asaj të vëzhgojë objekte në distanca më të mëdha, pra më larg në kohë, sesa Hubble ose çdo teleskop tjetër.

Se sa larg dhe çfarë është shfaqur  në kamerat e teleskopit Web akoma mbetet për t’u parë.

Thomas Zurbuchen, shefi i misionit shkencor të NASA-s, kohët e fundit u tha gazetarëve se me teleskopin e ri, kozmosi “po heq dorë nga sekretet që kishin qenë atje për shumë, shumë dekada, shekuj, mijëvjeçarë”.

“Nuk është një imazh. Është një botëkuptim i ri që do ta shihni”, tha ai./Al Jazeera

Përgatiti: Nuhi Shala