Premtimet për menaxhimin e pandemisë në shkolla karshi realitetit

Gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 2020/21 përfundoi me shumë sfida për mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit.

Ky vit shkollor kishte filluar më 14 shtator në dy faza dhe për zhvillimin e mësimit në kohë pandemie Ministria e Arsimit dhe Shkencës kishte përgatitur tre skenarë të ndryshëm.

Skenari A është për mësim fizik në shkolla, skenari B – mësimi i kombinuar dhe skenari C – mësimi online nga platforma të ndryshme. Kurse, edhe gjysmëvjetori i dytë, i cili filloi më 18 janar është duke u zhvilluar në formë të njëjtë.

Para se të fillonte mësimi, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ishte konsultuar me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, të cilët edhe kishin përpiluar një udhëzim se si duhet të mbahet mësimi në kohë pandemie si dhe rregullat se si shkollat duhet të funksionojnë.

Në këtë udhëzim thuhet se shkolla duhet të sigurojë që të respektohet distanca e caktuar e sigurisë të paktën 1.5 metra, secilit nxënës si dhe personelit të shkollës duhet t’i bëhet matja e temperaturës përmes termometrit laserik çdo ditë, shkolla duhet të dezinfektohet pas çdo ndërrimi dhe i gjithë personeli duhet të mbajë maskat gjatë gjithë kohës si dhe udhëzime të tjera.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj në konferencën e fundit vitit u shpreh se gjysmëvjetori i parë është përfunduar me sukses.

“Me ndihmën e partnerëve dhe donatorëve MASh ka arritur me sukses përmbylljen e këtij viti. Situata me pandeminë është menaxhuar mirë”, kishte thënë Likaj më 29 dhjetor 2020.

Edhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti në ditën kur përfundoi gjysmëvjetori i parë, u shpreh i kënaqur me menaxhimin e pandemisë në shkolla.

“Jemi munduar që përmes Ministrisë së Arsimit t’ju ndihmojmë që ta adaptojmë metodologjinë mësimore karshi kushteve që janë krijuar dhe vërtetë dëshirojmë të ju falënderojmë që pavarësisht të gjitha vështirësive, ndërprerjeve e të tjera është arritur në masë të konsiderueshme të realizohet plan programi në mënyrë që nxënësit të mos mesin prapa”, kishte thënë Hoti më 18 dhjetor të vitit 2020.

Ndërsa, se sa u zbatuan masat për COVID-19 në shkollat e Kosovës, organizata ‘Edu Task’ në bashkëpunim me ‘BIRN Kosova’ për 4 muaj ka bërë monitorimin e 379 shkollave në 34 komuna të Kosovës.

Në katër fazat e monitorimit vërehet formë ndryshe e zbatimit të të gjitha masave të Qeverisë për funksionimin e shkollave.

Në raportin përfundimtar të Edu Task po ashtu theksohet se jo të gjithë komunat kanë përformuar njësoj dhe e kanë menaxhuar situatën në formë të njëjtë.

Në tabelën më poshtë po ashtu është paraqitur përmbushja e katër masave gjatë secilës fazë, ku vërehet përmirësim i vogël nga faza 1 në fazën 3 dhe përmbushje më e ulët në masën e katërt.

Në raportin e ‘Edu Task’ theksohet se duke pasur parasysh se raporti përmbyllës paraqet zbatimin e masave në nivel vendi me mostrën e përfshirë në të gjitha komunat, sipas figurës të paraqitur më poshtë masa ‘Taskforca në nivel institucioni parashkollor apo shkolle’ është zbatuar më së shumti mesatarisht rreth 89.4%, e përcjellur nga ‘Masat parandaluese: testimi, raportimi i rasteve me COVID-19 dhe ndërprerja e mësimit’ zbatuar 86%, dhe ‘Masat parandaluese higjienike dhe mbrojtëse – Përgatitja e shkollës për fillimin e vitit shkollor’ zbatuar 81.7%.

Ndërsa, masa e zbatuar më së paku mbetet ‘Organizimi i procesit mësimor sipas tre skenarëve të paraqitur në udhëzuesin e MASh’  është zbatuar vetëm 68%.

Ky raport poashtu ka nxjerr në pah edhe nënmasat e zbatuara më pak se 50%. Sipas të dhënave shihet se nënmasat e zbatuara më së paku në nivel vendi.

“’Është mbajtur trajnimi për nxënësit për përdorimin e platformës’ zbatuar 26.65%, ‘DKA dhe shkolla kanë siguruar transport të sigurt për grupe të caktuara të nxënësve’ zbatuar 35.75%, ‘Janë siguruar pajisjet teknologjike për mësimdhënës’ dhe ‘Janë siguruar pajisjet teknologjike për nxënës’ zbatuar 37%”, thuhet më tej në raport.

Po ashtu edhe disa nënmasa të tjera janë zabtuar më pak se 50% nga shkollat në nivel vendi.

“ ‘DKA/Shkolla ka siguruar personel plotësues teknik për m2’ dhe ‘DKA dhe shkolla kanë siguruar shërbime konsulence psikologjike’ zbatuar 45%, ‘Është mbajtur trajnimi për mësimdhënësit për përdorimin e platformës’ zbatuar 48.28%, si dhe ‘DKA dhe shkolla kanë hartuar/miratuar listën për zëvendësim të përkohshëm të stafit të shkollës’ zbatuar 49.87%.

Zbatimi i masave nga komunat

Në fillim të gjysmëvjetorit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ua kishte lënë në dorë menaxhimin dhe furnizimin me mjete dezinfektuese komunave përkatëse.

Madje edhe zbatimin e secilit skenar e kanë vendosur task-forca e komunës dhe ajo e shkollës.

Ministria e Arsimit në fillim dhe në master-planin e miratuar nga Qeveria e Kosovës kishte premtuar edhe angazhimin e 1000 mësimdhënësve shtesë, por kjo gjë u realizua vetëm në disa komuna, e disa në jo, pasi shumica prej tyre kishin probleme me ekzekutimin e pagesave të këtyre mësimdhënësve.

“Ne po kërkojmë që ky problem të trajtohet në kuadër të pakos emergjente për COVID-19, duke përfshirë procedurat lehtësuese për prokurimin dhe angazhimin e stafit mbishtesës që është paraparë me këtë master plan, rreth 1000 mësimdhënës të angazhohen nga lista rezervë e komunave”, kishte thënë Likaj në prezantimin e master-planit në Qeveri më 21 gusht 2020.

Për problemet me angazhimin e mësimdhënësve shtesë në shkolla e ka pranuar edhe vetë Likaj në një intervistë për RTV21.

“Ne për shkak të procedurave burokratike dhe për shkak se duhet me u respektu për konkurset ligji për prokurim, kemi pasur vështirësi. Edhe kuotat që i kemi pas të aprovuar me master planin, 1000 norma shtesë për mësimdhënës, pastaj 300 orë për mësimdhënësit me sëmundje kronike, por këto norma komunat kanë pasur vështirësi mi angazhu”, ka thënë Likaj më 19 janar 2021.

Ndërsa, përveë këtij problemi, zbatimi i masave anti-COVID-19 në shkollat e secilës komunës ka pasur rezultate të ndryshme, sipas raportit të ‘Edu Task në kuadër të monitorimit për katër muaj me radhë.

Sipas këtij raporti, komunat me performancën më të mirë përfshijnë: Junikun ku masat ku masat janë zbatuar 94.9%, përcjellur nga komunat e Gllogocit 89.3%, Ferizajit 88.3%, Rahovecit 87.3%, dhe Lipjanit, Prizrenit, Skenderajt, dhe Gjakovës ku masat janë zbatuar rreth 86%.

Në anën tjetër, komunat me performancën më të dobët sa i përket zbatimit të masave anti Covid-19 gjatë kësaj periudhe përfshijnë komunën e Leposaviqit dhe atë të Shtërpcës ku masat janë zbatuar vetëm 50.93% dhe 55.59% respektivisht.

Në figurën më poshtë po ashtu ofrohet një pasqyrë më e detajuar, ajo e përmbushjes së secilës masë sipas komunës.

Siç vërehet, të gjitha komunat përveç komunës së Leposaviqit nga katër masat anti Covid-19 më së miri kanë performuar në zbatimin e masës ‘Taskforca në nivel institucioni parashkollor apo shkolle’.

Sa i përket zbatimit të ‘Masat parandaluese: testimi, raportimi i rasteve me COVID-19 dhe ndërprerja e mësimit’ shumica e komunave, përfshirë: Junikun, Deçanin, Gjilanin, Ferizajin, Gjakovën, Gllogocin, Istogun, Pejën, Rahovecin, Skënderajin, Prizrenin, dhe Vushtrrinë kanë zbatuar këtë masë më shumë sesa masat tjera. Ndërsa, komuna e Mamushës, ajo e Kllokotit, dhe Shtërpcës nuk kanë performuar aq mirë në këtë masë.

Tutje në raportin përfunditmar të ‘Edu Task’ thuhet se që nga periudha shtator-dhjetor, Komuna e Junikut, ajo e Gllogocit, dhe Zubin Potokut kanë zbatuar mjaft mirë masën ‘Masat parandaluese higjienike dhe mbrojtëse – Përgatitja e shkollës përfillimin e vitit shkollor’.

Edhe komunat tjera kanë performuar mjaft mirë në zbatimin e kësaj mase, për dallim nga komuna e Shtërpcës, Leposaviqit, dhe ajo e Zveçanit.

“Në anën tjetër, masa e zbatuar më së paku nga të katër masat e vendosura mbetet ‘Organizimi i procesit mësimor sipas tre skenarëve të paraqitur në udhëzuesin e MASh’ e zbatuar më së shumti nga komuna e Junikut përcjellur pastaj nga Gjakova, Prishtina dhe Rahoveci. Masa më së paku është zbatuar nga komuna e Vitisë, Dragashit, dhe ajo e Shtërpcës”, është thënë në raport.

Zbatimi i skenarëve në shkolla

Vit shkollor 2020/21 kishte filluar më 14 shtator dhe MASh-i e kishte paraparë mësimin në tri skenare, në mënyrë që të zvogëlojë numrin e infektimeve në shkolla.

Skenari A është për mësim fizik në shkolla, skenari B – mësimi i kombinuar dhe skenari C – mësimi online nga platforma të ndryshme.

Kurse, sipas hulumtimit të ‘Edu Task’ dhe ‘BIRN Kosov’ shfaqen skenarët e adaptuar nga shkollat gjatë kohës së monitorimit, ku shihet se shumica e shkollave kanë punuar në skenarin A, dy komuna kanë punuar kryesisht në skenarin B, kurse në kohën e monitorimit 5 komuna kanë pasur shkolla të cilat kanë punuar në skenarin C gjatë kohës kur janë monitoruar.

“Kjo nuk do të thotë që në komunat tjera nuk ka pasur mbyllje të shkollave apo kalim në skenarin C, por që në javët të cilat janë monitoruar është raportuar ky skenar”, është theksuar në raport.

Rekomandimet e ‘Edu Task’ dhe ‘BIRN Kosova’

Në përgjithësi, sipas raportit përfundimtar të ‘Edu Task’ thuhet se  shkollat dhe komunat kanë treguar mobilizim të lartë për zbatimin e masave anti Covid-19 të parapara nga MASh, por sipas tyre për zbatim më efikas të masave dhe përmirësim të vazhdueshëm të procesit mësimor nevojitet monitorim i vazhdueshëm dhe funksionim efikas i task forcave në nivel të shkollës, komunës, dhe MASh.

‘Edu Task’ ka theksuar edhe nevojën e koordinimit më të madh mes Ministrisë së Arsimit dhe Komunave.

“Ajo çfarë është vërejtur gjatë procesit të monitorimit është se nevojitet koordinim më i mirë mes MASh dhe komunave sa i përket mënyrës së dokumentimit të procesit të vendimmarrjes nga taskforcat”, është thënë më tej.

Sa i përket masave higjienike, ‘Edu Task’ ka rekomanduar që të ketë vëmendje të vazhdueshme, furnizim të rregullt dhe ndjekje të protokoleve të vendosura, me fokus të veçantë në mos lejimin e grumbullimit në oborre, hapësira përcjellëse, dhe mjete të transportit që bëjnë transportin e organizuar të nxënësve nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas.

Kurse, sa i përket raportimit të rasteve dhe regjistrimit të tyre në SMIA është vërejtur një përmirësim, por në të njëjtën kohë nevoja për përmirësim të mëtejshëm mbetet e dukshme.

“Për sa i përket organizimit të procesit mësimor, nevojitet përmirësim i kushteve për zbatimin e skenarit B dhe C, me theks të veçantë në ngritje të kapacitetit për digjitalizim në nivel shkolle dhe ngritje të shkathtësive digjitale të menaxhmentit, mësimdhënësve, dhe nxënësve”, thuhet në raport.

Organizata ‘Edu Task’ më tej ka theksuar se gjatë procesit të monitorimt, kemi vërejtur edhe përmirësime të disa aspekteve në nivel shkolle, sidomos në lidhje me shtrirjen e rrjetit të internetit apo sigurimin e pajisjeve, por vlen të theksohet se raporti i monitorimit për shkolla paraqet vlerësimin në momentin e realizimit të vizitës.

“Në fund, raporti nuk ka mundur të paraqesë me saktësi informatat demografike për secilën shkollë si dhe të bëjë analiza më të thella që do të mund të bëheshin sikur të ishin siguruar të dhëna të sakta rreth numrit të nxënësve dhe numrit të të infektuarve brenda shkollave gjatë kësaj kohe”, është thënë në fund.

Gjysmëvjetori i dytë në shkollat e Kosovës ka filluar më 18 janar, ashtu siç ishte paraparë më vendim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, por një gjë që vërehet këtë gjysmëvjetor është numri i vogël i infektimeve në shkolla.

Ndërsa, sipas të dhënave të MASh që nga fillimi i vitit shkollor deri më 18 dhjetor, ishin infektuar nga coronavirusi 2,301 mësimdhënës dhe 1,649 nxënës.

Projekti “Rritja e standardeve të gazetarisë përmes kontrollimit të fakteve” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë.

 Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e Internews Kosova/KALLXO.com dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar, Albany Associates, Media Centar Sarajevo apo Fondacionit për Informim, Media, Dialog dhe Edukim (KosovaLive/KIMDE).