Premtimet për qytetin "7 minuta larg Prishtinës"

“Shitet Banesa në Fushë Kosovë, 7 minuta larg qendrës së Prishtinës”, ky është njëri nga mesazhet që i ka bindur mijëra qytetarë të zonave të tjera në Kosovë për të blerë banesa e për të nisur jetën e re në qytetin e Fushë Kosovës.

Për shumëkënd rritja e shpejtë e njëra prej qytezave më të vogla dhe më të ndotura të Kosovës nuk ka shpjegim. Por, për ndërtuesit dhe blerësit shpjegimi është i qartë.

Ndërtuesit gjetën një komunë që u dha leje të lira dhe të shpejta për ndërtim, ndërsa banorët gjetën banesa me çmime përgjysmë më të lira sesa në Prishtinë, ndërsa largësia pothuajse e njëjtë.

Por, ndërtimi i shpejtë nuk ka garantuar komoditet për ata që invesuan paratë për të jetuar në qytetin e lirë dhe të mirë, siç iu premtohej.

Shumë nga banorët e rinj ende nuk e kanë ndryshuar vendbanimin dhe figurojnë si banorë të qyteteve tjera. Për rrjedhojë, Komuna e Fushë Kosovës nuk arrin të marrë fondet qeveritare për të paguar mësues, mjekë të mjaftueshëm për numrin në rritje të banorëve të saj.

Përveç mungesës së shërbimeve shëndetësore e vijimit të mësimit në klasa me 46 nxënës, qytetarët kanë edhe një sfidë tjetër: jeta në vend-punishte, pasi në shumë lagje ndërtimi është duke vazhduar i përcjellë me zhurmë e pluhur.

Foto: Atdhe Mulla

Nga lartë zona e ndërtimeve të larta tregon një pamje ku blloqe të tëra të banesave nuk kanë asnjë hapësirë gjelbërimi.

Trafiku, sidomos gjatë verës, është një tmerr i vërtetë për banorët e Fushë Kosovës dhe atyre që kalojnë transit. 

Në zonën e populluar të qytetit kalon rruga që lidhë Prishtinën me Pejën duke krijuar kolona të gjata për banorët. Numri i madh i banorëve të rinj dhe hyrjet dhe daljet e kufizuara nga lagjja “Dardania” bën që kolonat, sidomos gjatë verës, të jenë të gjata. Ndërkohë, edhe rrugët e ngushta, në disa lagje të këtij qyteti, krijojnë tollovi të mëdha në trafik dhe mungesë të theksuar të trotuareve për këmbësorë.

Në mungesë të shëtitoreve, Komuna e Fushë Kosovës e bllokon një rrugë të tërë gjatë verës për të kthyer atë në shëtitore, si përgjigje ndaj fluksit të madh të diasporës që kanë blerë banesa e vijnë në pushime. Rezidentet shpeshherë janë ankuar për këto improvizime të shëtitoreve, meqë të njëjtat jau pamundësojnë një pjesë të tyre të lëvizin lirshëm me veturat nga banesat ku jetojnë.

Me pak hapësira në zonën urbane mbajtja e pastërtisë është pothuajse e pamundur.

Kamionët dhe eskavatorët që janë të përfshirë në ndërtimet e zonave të reja ndotin rrugët, ndërsa hapësirat publike vazhdojnë të jenë të mbushura me mbeturina të cilat kutërbojnë.

Mbeturinat mbrapa objektit të Komunës lagjja Bresje
Mbeturinat mbrapa objektit të Komunës lagjja Bresje

Gjendja me mbeturina është e njejtë edhe në lagjen “Dardania” të kësaj komune, e që është njëra ndër zonat më të banuara në Fushë Kosovë.

Mbeturinat në Lagjen Dardania 
Mbeturinat në Lagjen Dardania

Ndërtimi i një qyteti përveç rrugëve, hapësirave të gjelbëruara, trotuareve dhe pastërtisë kërkon edhe një strukturë të gjerë shërbimesh me shkolla, çerdhe, fusha sportive e deri tek qendrat kulturore e të rekreacionit.

Në shkollat e Fushë Kosovës mësuesit mund të hyjnë edhe në rekorde të Ginisit, pasi arrijnë të mbajnë mësim për 48 nxënës në një klasë. Për tërë këtë qytet në rritje të vazhdueshme është funksionale vetëm një çerdhe publike.

Hapësira për fëmijët në çerdhet publike ishte njëri nga premtimet me të cilat kryetari Burim Berisha i fitoi zgjedhjet e fundit.

Ai premtoi ndërtimin e dy çerdheve, por të cilat ende nuk janë ndërtuar.

Komuna e Fushë Kosovës për rreth 40 mijë banoret e saj, pa i përfshi edhe banorët që jetojnë aty por që ende nuk janë banorë rezident, ka vetëm një çerdhe publike e cila zë hiç më shumë se 200 nxënës nga mosha 1-5 vjeç.

Drejtoresha e çerdhes, “Gëzimi ynë”, Sherfie Tërnava, kishte thënë se numri i madh i fëmijëve e pengon zhvillimin e procesit mësimor në krahasim me grupet standarde që do të duhej të ishin.

Drejtori i Arsimit në komunën e Fushë Kosovës e ka konfirmuar për KALLXO.com se që nga viti 2017 në këtë qytet nuk është ndërtuar asnjë çerdhe.

“Nuk është ndërtuar asnjë çerdhe gjatë këtij mandati nga shkaku i vetëm se nuk kemi pasur truall – pronë publike për të ndërtuar çerdhe! Kemi pasur edhe oferta nga BE për ndërtimin e një çerdheje, por nga mungesa e pronës nuk është arrit pëlqimi për një donacion nga Europa”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Nga kjo drejtori thanë se kërkesat janë të shumta për kopshte publike pasi që çmimi i qëndrimit në çerdhe publike është 45 euro, ndërsa në çerdhe private çmimi varion nga 55-90 euro.

Problemet janë poshtu për fëmijët në mosha të mëdha sipas Elmie Zymberi, shefe e kabinetit të Drejtorisë së Arsimit në komunën e Fushë Kosovës. Ajo tha se në shkollat në qytet numri i nxënësve në një klasë, mund të shkoj deri në 48.

“Nëpër shkollat e qytetit arrin deri në 48 nxënës, ndërsa nëpër fshatra situata është më mirë”, ka thënë Zymberi.

Në Komunën e Fushë Kosovës drejtorët e tre shkollave të mesme dhe fillore, njëkohësisht mbajnë edhe pozita politike në partinë që e udhëheqë këtë komunë.

Amir Pllana, drejtor i  Shkollës së Mesme të Lartë “Hivzi Sulejmani” është anëtar i Kryesisë së Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Fushë Kosovë. Tahir Shabani, Drejtor i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët gjithashtu anëtar i Kryesisë së Aktivit të LDK në Sllatinë si dhe Sabri Xhigoli – Drejtor i  SHFMU “Daut Bogujevci” në Bresje është edhe delegat në Kuvendin e Degës  së LDK-së.

Në shtator të vitit të kaluar, Asamblisti Betim Ahmeti nga AAK-ja kalon në partin e Burim Berishës.

Por shumë shpejt Ahmeti, fiton pozitën e sekretarit në shkollën fillore “Daut Bogujevci”. Ai kishte rezultuar kandidati më i suksesshëm me 69.75% të pikëve.

I pyetur nëse për kalimin në LDK, ka pas marrëveshje për tu punësuar sekretar në shkollën “Daut Bogujevci”, i njëjti kishte mohuar një gjë të tillë.

“Unë asamblist jam zgjedh nga lista e AAK-së, pastaj kam dal kandidatë i pavarur dhe në fund ia jam bashkuar LDK-së, marrëveshja ka qenë tjetër sen, nuk ka pas kurrfarë marrëveshje me kalu as sekretar as kurrgjë”, deklaroj Ahmeti.

Jeta më e mirë në fshatra

Një pjesë e madhe e njerëzve që jetojnë në zonën urbane të Fushë Kosovës janë banorë të qyteteve të tjera dhe gjatë zgjedhjeve nuk votojnë për të parin e komunës. Votat vijnë nga 14 fshatrat e Fushë Kosovës. 

Vizita në fshatra tregon një pasqyrë tjetër. Aty ka investime në fusha sporti, ndriçim dhe krijim hapësirave për komunitetin. 

Megjithatë fshatrat e komunës kanë probleme me mirëmbajtjen kanalizimin dhe sigurimin e kujdesit shëndetësor.

Pamjet nga fshati Kuzmin, ku rrjedh edhe lumi Sitnica tregojnë se rruga që të çon në këtë fshat është e mbushur me mbeturina në dy anët.

Ivan Filipoviç një banorë i zonës tregon se vuajnë nga mbeturinat. 

“Në këtë deponi ilegale hedhin shumë gjësende të rrezikshme. Shembull kanë hedhur kafshë si Lopa, apo edhe pula të ngordhura që paraqesin rrezik të madh shëndetësor”, thotë Filipoviç.

Ai thotë se dikush duhet të jep llogari për këto mbeturina që rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe se inspektorati dhe Komuna duhet të kryejnë punën e tyre duke gjetur dhe gjobitur përgjegjësit që hedhin mbeturina.

“Zgjidhje tjera nuk ka, dhe derisa nuk veprohet në këtë formë duke mos u dënuar askush, atëherë do të vazhdohet në të njëjtën formë, dhe do të ketë ende rrezik për përhapje të infeksionit”, tha ai. 

Filipoviç shprehet i sigurt se edhe Komuna edhe Policia janë në dijeni për situatën këtu, dhe se sipas tij askush nuk po ndërmerr asgjë. 

Mbeturinat në hyrje të fshatit Kuzmin 
Mbeturinat në hyrje të fshatit Kuzmin

Lumi Sitnica ishte i pa pastër dhe shtrati i lumit ishte i pa rregulluar. Gjithashtu, pasiguria ishte rritur pranë këtij lumi pasi anësoret e metalta të lumit mungonin.

Lumi Sitnica, Kuzmin
Lumi Sitnica, Kuzmin

Situata më e mirë me mbeturina nuk është as në fshatin Vragoli. Në lagjen e quajtur “Ramnishta” është e një kohë është mbuluar një fushë e tërë me mbetje inerte.

Në ambient përpos mbeturinave Fushë Kosova vazhdon të ndotë lumenjët e zonës me kanalizimin e saj pasi autoritetet nuk kanë arritur të ndërtojnë impiante të ujërave të zeza.

Kryetari Burim Berisha nuk kishte premtuar trajtim të ujërave të zeza.

“Çështja e ujërave të zeza është e ndërlikuar. Pastrimet e lumenjve dhe prrockave është e ndërlikuar sepse lumenjtë tanë kanë një plleshmëri të madhe sepse është një rrafshinë. Ne kemi bërë më të mirën të mundshme. Nuk mund kurrkush në Kosovë me premtu zgjedhjen e problemit të ujërave të zeza. Ai që premton gënjen”, kishte thënë kryetari.

Lumi Drenica është duke u pastruar gjatë kësaj kohe në disa fshatra, por një pjesë e tij vazhdon të mbetet e papastruar, sic është rasti në Grabovc.

Lumi Drenica, Grabovc
Lumi Drenica, Grabovc

Ndërkohë, që lumi Sitnica nuk është pastruar së fundmi dhe i njëjti vazhdon t’i vërshojë fushat përkundër faktit që disa vite më parë është punuar në zgjerimin e shtratit të tij.

Ambulancat e Demoluara 

Vite më parë komuna e Fushë Kosovës investoi në ndërtimin e ambulancave në fshatra, por investimet tash janë demoluar pasi autorietet nuk arritën të sigurojnë staf për të punuar në këto ambiente.

Dy investime në fshatin Bardh të Vogël dhe në fshatin Henc janë demoluar pothuajse plotësisht pasi komuna nuk i ka funksionalizuar ato, por as nuk ka investuar në mirëmbajtjen e tyre.

Në ambientet në Bardh të Vogël, hapsirat e ambulancës janë të mbushura me paisje mjekësore të demoluara dhe të lëna pas dorës.

 

Ambulanca në fshatin Bardh i Vogël
Ambulanca në fshatin Bardh i Vogël

Edhe Fshati Henc i Fushë Kosovës nuk është pa objekt të ambulantës mjekësore, por ajo është jofunksionale.

KALLXO.com ka vizituar këtë ambulant por ajo vazhdon të jetë e mbyllur, duke i lënë banorët e fshatit pa shërbime shëndetësore. Ende pa nisur punën ky institucion shëndetësor ka filluar edhe të demtohet, dera e muri tashmë janë të demoluara.

Ambulanca në fshatin Henc

Ambulanca në fshatin HencFOTO 11. Ambulanca në fshatin Henc

Pandemia Covid – 19 ka ndikuar të ndryshoj gjendjen në shëndetësi si në nivelin qendror po ashtu edhe në nivelin lokal.

Sipas statistikave të publikuara nga zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, Komuna e Fushë Kosovës deri më 23 korrik 2020, ka pasur 289 të infektuar me Covid – 19.

Nga ta janë 133 të shëruar, 6 persona të vdekur dhe 150 raste aktive.

Në mars të këtij viti, Kuvendi Komunal i Komunës së Fushë Kosovës, ka miratuar 404 mijë euro për masat që do të ndërrmiren nga komuna për luftimin e Covid – 19. 

“Kuvendi Komunal aprovoi në total shumën në vlerë prej 404,000 euro për të gjitha masat që do të ndërmerren. Në kuadër të këtyre masave është paraparë dezinfektimi i rrugëve në gjithë territorin e komunës së Fushë-Kosovës, dezinfektimi i të gjitha hyrjeve të objekteve kolektive dhe atyre publike si dhe furnizimi i QKMF-së me material mjekësor dhe pajisje mbrojtëse. Pjesë e këtyre masave është edhe sigurimi i ushqimeve për familjet e cënueshme”, thuhej në njoftim të komunës.

Por, para objektit të Komunës së Fushë Kosovës dhe para Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare nuk janë parë tunelë dezinfektues.

Objekti i Komunës së Fushë Kosovës
Objekti i Komunës së Fushë Kosovës

Komuna e Fushë Kosovës edhe për katër vjet të tjera, në krye të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Fatmir Krasniqi” në Fushë Kosovë drejtor do ta ketë Osman Maxhera.

Zgjedhja e Maxherës që më herët e kishte mbajtur rolin e ushtruesit të detyrës, u bë përmes një konkursi kundërthënës që u hap më 29 maj të këtij viti.

KALLXO.com kishte shkruar se në njoftimin që Komuna e Fushë Kosovës e ka publikuar në ueb faqen e saj, thuhet se Maxhera ka fituar 97% të pikëve për pozitën e drejtorit të QKMF-së.

Objekti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare
Objekti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare

Njoftimi për kandidatin e suksesshëm nuk përmban ndonjë nënshkrim, apo vulë që tregon se dokumenti është protokolluar.

Por, ky konkurs i brendshëm u hap kundër procedurave që parashihen për emërimin e Drejtorit të QKMF-së së Fushë Kosovës.

KALLXO.com kishte kontaktuar Drejtorin e Shëndetësisë në Komunën e Fushë Kosovës, Jakup Dumani, por ai ka thënë se konkursi për Drejtorin e QKMF-së nuk ka shkuar përmes zyrës së tij.

Valentina Kolshi – Nuredini, Udhëheqëse e Personelit në këtë komunë kishte thënë se pozita e Drejtorit të QKMF-së ka qenë kërkesë e pikërisht e Drejtorisë së Shëndetësisë.

E vetë drejtori i rizgjedhur i QKMF-së “Dr. Fatmir Krasniqi” në Fushë Kosovë, Osman Maxhera, kishte thënë për KALLXO.com se nuk e dinë nëse janë shkelur procedurat e zgjedhjes së drejtorit të QKMF-së.

Sa i përket QKMF-së së kësaj komune KALLXO.com ka siguruar fotografi dhe video të realizuara më 24 korrik 2019 nga ora 8 e 20 deri në orën 8 e 50 ku një toalet është parë në gjendje të rënduar për shkak të papastërtisë dhe dëmtimeve brenda hapësirës.

Shefi i Administratës Teknike në QKMF-në e Fushë Kosovës, Safet Berisha kishte thënë se nuk ka qëndrim, duke shtuar se kjo është punë e inspektoratit dhe jo e gazetarëve.

Parku me i frekuentuar në Sllatinë me kënd të shkaterruar të lojërave për fëmijë

Kryetari i Fushë Kosovës, kishte premtuar rregullimin e zonave për çiklizëm, parking dhe zona të reja të ecjes tek parku i pishave.

Sipas Institutit GAP, këtë premtim e kishte mbajtur kryetari Berisha, pasi ka përfunduar ndërtimi e shtegut për çiklizëm, vrapim dhe parking tek parku i pishave. Kjo stazë përfshin gjatësi 5 km dhe gjerësi 1.8m në parkun e pishave.

Por, kjo zonë që po frekuantohet nga banorët e komunës së Fushë Kosovës dhe komunave përreth, e kishte jofunksionale këndin e lojërave për fëmijë, pasi të gjitha lojërat ishin të prishura.

Kallxo.com ka vizituar parkun e pishave, dhe ka parë që këndi i lojërave të fëmijëve ishte i shkatërruar.

Këndi i lojërave në parkun e pishave
Këndi i lojërave në parkun e pishave

Këndi i lojërave për fëmijë ishte i shkatërruar edhe në fshatin Henc. Ndërsa, së fundmi këndi i lojërave është riparuar në fshatin Vragoli.

Këndi i lojërave në Henc
Këndi i lojërave në Henc

Premton katër drejtoresha gra, përfundon vetëm me dy

Kryetari i Fushë Kosovës, Burim Berisha gjatë zgjedhjeve të vitit 2017, në Debat Pernime kishte premtuar se do të kishte katër drejtoresha gra.

Do t’i bëjë katër drejtoresha gra”, kishte thënë ai.

Por Berisha nuk e ka realizuar një premtim të tillë. Në kabinetin që i pari i Fushë Kosovës ka sot, nga 12 drejtori vetëm dy udhëheqen nga gratë Nurije Avdiu, Drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe Nurije Faziliu Drejtoreshë në Administratë, dhe 10 tjera nga burrat.

Ndërsa 10 drejtorët burra janë: Jakup Dumani –  Drejtor i Shëndetësisë, Ramadan Jashanica – Drejtor i Financave, Ekrem Berjani – Drejtor i Zhvillimit Ekonomik, Abdullah Preberza – Drejtor i Planifikimit Urban, Jakup Tërnava – Drejtor për Kadastër, Gjeodezi dhe pronë, Islam Shabani – Drejtor i Arsimit, Maliq Berisha – Drejtor i Shërbimeve Publike, Mehmet Gërguri – Drejtor i Bujqësisë, Afrim Krasniqi – Drejtor i Inspekcionit. 

Burim Berisha me Lidhjen Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e vitit 2017 kishte shënuar fitore bindëse për të katërtën herë rradhazi në Komunën e Fushë Kosovës duke marrë 9 mijë e 406 vota, përkatësisht 63,60% duke fituar 12 ulëse nga 26 sa ka gjithsej Kuvendi Komunal.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).