Ragip Begaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtimet e shtresuara për problemet e vjetra të Malishevës

Me 43 fshatra  e me pak ndërtime të larta, Komuna e Malishevës synon të jetë vend ku mund të jetosh një jetë normale.

 Por, në këtë qytezë, përveç problemit të etheve hermoragjike, të njohur si sëmundje e rriqrave, banorët vazhdojnë të ballafaqohen me problemet e kanalizimit, ujësjellësit e deponive ilegale.

Kryetari i kësaj komune, Ragip Begaj në emisionin “Jeta në Komunë” u ballafaqua me këto probleme, duke përfshirë edhe politizimin e arsimit si dhe premtimet e vitit 2017 që e bënë kryetar për të dytin mandat me radhë.

Begaj po ashtu u përball edhe me kritika të asamblistëve  të partive të ndryshme, ish-kandidatë për kryetar komune dhe aktivistë të shoqërisë civile.

Ragip Begaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Malisheva vazhdon të ballafaqohet me problemin e ujësjellësit. Dhjetë fshatra të kësaj komune nuk janë të lidhura me rrjetin e ujësjellësit dhe atyre ju duhet nga të hyrat vetanake të sigurojnë shpuarjen e puseve.

Të dhënat e komunës thonë se fshatrat: Seniku, Kieva, Llozica, Mleqani, Plloqica, Balinca, Shakarashniku, Janqisti, Shkoza dhe Panorci nuk janë të kyçura në ujësjellës, në kohën kur të gjitha mesazhet janë që qytetarët të mbajnë pastërtinë në kohën e pandemisë.

Malisheva po ashtu ka në territorin e saj edhe njërën prej bukurive natyrore të Kosovës, atë të “Ujëvarave të Mirushës”. Por, rruga që të dërgon deri atje ende nuk është asfaltuar pas shumë vitesh premtime për përfundimin e saj.

Rruga drejt Ujëvarës së Mirushës. FOTO-KALLXO.com

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2017, kishte thënë se brenda vitit 2018 do të asfaltohet rruga për “Ujëvarat e Mirushës”.

Begaj në emisionin “Jeta në Komunë” ka treguar pse kjo rrugë nuk është përfunduar.

“Unë s’po ia hedh fajin askujt, por megjithatë problemet që kanë ndodhur me rrugën ka qenë një projekt i bashkë financuar me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Komunën, operatori ekonomik i pa përgjegjshëm, e ka kryer punën me zhavorrin dhe punë të tjera dhe pastaj ka ardh puna të asfaltimi e ka ndërprerë punën dhe s’ka dashtë me vazhdu tutje”, ka thënë Begaj.

Ai shtoi se për operatorin ekonomik kanë bërë kërkesë që të futet në listë të zezë, por se kjo sipas tij, nuk është realizuar.

“Arsyeja pse s’ka dashtë me vazhdu punën, ia kemi ndërpre kontratën për shkak të pa përgjegjshmërisë dhe deri atëherë ai e ka dhënë asfaltin 1 mijë euro për metër katror, ne që fillim e kemi ditë që s’ka me mujt me kry atë rrugë, i kemi bë vërejtje, OSHP ja kemi dërgu për në listë të zezë, por s’është fut”, ka shtuar Begaj.

Kritikat e opozitës dhe shoqërisë civile

Udhëheqja e Ragip Begajt në emisionin “Jeta në Komunë” u kritikua edhe nga aktivtë të shoqërisë civile dhe asamblistë të Kuvendit Komunal.

Flutura Zymi, aktiviste e shoqërisë civile, ngriti çështjen e digave ilegale të Lumit Mirusha.

Flutura Zymi, Aktivitste. FOTO- KALLXO.com

“Digat që po ndikojnë në rrjedhën e Ujëvarës, të dyja digat janë të paligjshme, nuk kanë leje mjedisore dhe se kemi ende të qartë se kush i ka ndërtu ato, me cilin buxhet, qytetarët apo ju si komunë dhe pse i keni ndërtu ato, sepse ato s’janë në funksion hic dhe jani gati si të shkatërrume”, tha ajo.

Por, kryetari i kësaj komune, Ragip Begaj tha se kanë leje dhe pëlqim mjedisor.

“Digën e Mirushës e kam gjetur të ndërtume, s’kam bë asnjë punë e kam gjetur të ndërtuara, por merrni përgjigje prej meje. Digën e dytë e kam ndërtu unë me një projekt që ka qenë i punuar para meje dhe e kam jetësu dhe ka pëlqim mjedisor dhe ka ndikim në ambient dhe pranim teknik prej fakultetit të ndërtimtarisë”, tha Begaj përballë Jeta Xharrës.

Por, me këtë çështje nuk u pajtua asamblisti nga LVV, Alban Krasniqi i cili tha se digat nuk kanë leje mjedisore nga Ministria e Ambientit.

“Diga në  Mirushë është pothuajse e shkatërruar dhe është problem në aspektin e sigurisë për banorët që i kanë shtëpitë poshtë digës, aty është një rregullator që s’është funksional dhe pa marrë parayshë sezonës ujë nuk ka të rregullohet, sepse po të lëshohej rrjedha e lumit poshtë digës, lumi nuk do të shterej, mirëpo kjo ka ndodhë sepse komuna se ka mirëmbajt këtë projekt i cili, sikundër i Panorcit janë pa leje mjedisore e them me siguri të plotë”, tha Krasniqi.

Problemet me deponitë ilegale

Komuna e Malishevës ka rreth 130 deponi ilegale, ndërsa në lagjen “Hoti” në hyrje të kësaj komune, gjendet një deponi e madhe e mbeturinave.

Deponia ilegale ne Lagjen Hoti. FOTO- KALLXO.com

Në lidhje me këtë çështje, kryetari i kësaj komune, Ragip Begaj në emisionin “Jeta në Komunë” tha se kjo është një pikë transferi e kompanisë “Eko Regjioni”.

“Kjo është pikë transferi, bijnë kamionat prej fshtarave, kompania mirëmbajtje “Eko Regjioni” i bart aty dhe më pas i dërgon në Prizren. E kemi kërkuar me largu këtë pikë transferi”, tha Begaj.

Por, asamblisti nga LVV, Alban Krasniqi tha se kjo është deponi ilegale.

Alban Krasniqi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Deponia ilegale është bërë në marrëveshje të fshehtë mes kryetarit dhe Eko Regjionit që të operojnë aty si qendër transferi. Jo, nuk është ardhë asnjë kërkesë prej kryetarit e rregullt sipas ligjit që duhet të vijë..”, tha Krasniqi.

Arsimi i politizuar

Komuna e Malishevës ka 42 shkolla. KALLXO.com ka gjetur se 6 drejtorë të këtyre shkollave janë simpatizantë apo anëtarë të Nismës Socialdemokrate, parti kjo e cila udhëheq këtë komunë.

Drejtorë në një bisedë për KALLXO.com kanë pranuar se janë ose anëtarë ose simpatizantë të kësaj partie.

Arianit Paçarizi, drejtori i Shkollës “Emin Duraku” tha se është anëtar i Nismës Socialdemokrate.

“Po jam anëtar prej themelimit. Vetëm kryetar i rinisë demokratike jam aktualisht, por pritet me u ndërru. Partia s’ka ndiku që me qenë drejtor i shkollës”, tha ai.

Aziz Avdiu, drejtor i shkollës”Luarasi” në Llapqevë ka mohuar të jetë anëtar i kësaj partie, por në Facebook ka postuar fotografi me kryetarin e kësaj komune, Ragip Begaj.

“Anëtar s’jam, por kur kam apliku vetëm unë i kam përmbushur kriteret dhe partia s’ka ndiku”, ka deklaruar ai.

Agron Zogaj, U.D Drejtor i Shkollës “Fehmi Agani” tha se është anëtar i partisë së Nismës, por tha se nuk ka ndikuar partia që të bëhet drejtor.

“Jo s’ka ndiku. Unë kam raporte të përafërta me zyrtar të Nismës dhe jam vetëm anëtar i thjeshtë”, ka shtuar ai.

Edhe Afrim Morina, drejtor i Shkollës “18 prilli” Burim, tha se vetëm e përkrah Nismën.

“Jo, ska ndiku sepse e kom master dhe punoj qe 13 vite në këtë shkollë. Kam vetëm bindje për Nismën”, tha ai.

Edhe Eshref Berisha, drejtor i Shkollës “17 shkurt”  në Begaj mohoi të ketë ndikuar partia që të jetë në këtë pozitë.

“Jam qe 2 vite drejtor dhe partia as ska ndiku bile. Anëtar jam i partisë Nisma për momentin”, tha Berisha.

Sokol Paçarizi, drejtor i Shkollës “Migjeni” Lubizhdë, mohoi të jetë anëtar i partisë Nisma por tha se është anëtar i Vetëvendosjes, edhe pse ka postuar foto me ish-deputetin, Enver Hoti dhe zyrtarë të tjerë të Nisma Socialdemokrate.

“Jo, jam i Vetëvendosjes dhe s’pe kuptoj pse po pyet për këto”, tha ai.

Kur u ballafaqua me bisedat e këtyre drejtorëve, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj tha se të gjithë do të deklaroheshin kështu.

“Prej 42 shkollave sa janë në komunën e Malishevës pe ndjej vetën mirë. Ju keni thirrë 5 apo 6, të gjithë kështu do të deklarohen sigurisht”, tha Begaj.

Kurse, asamblisti nga LVV, Alban Krasniqi reagoi në lidhje me këtë.

“Kjo mendësi e juaja tregon shumë kryetar, se të gjithë duhen me qenë politikë”, shtoi ai.

Edhe asamblisti nga PDK, Alban Mazreku nuk u pajtua me mburrjet e Begajt për çështjen e arsimit.

Alban Mazreku. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Në vitin 2015, kryetari e ka pasur një marrëveshje me Agjencionin e Arsimit profesional dhe kryetari në mënyrë të një anshme ka bërë kontrata me mësimdhënës duke shkelur ligjin me dyja këmbët andaj ne si PDK kemi bërë një padi ndaj Begajt dhe drejtorit të Arsimit,  Blerim Thaçi”, tha Mazreku.

Problemet me gurëthyes

Malisheva, më konkretisht fshati Astrazub njihet si fshat ku operojnë shumë gurëthyes. Kurse, sipas të dhënave të komunës vetëm një gurëthyes në këtë zonë operon me licencë dhe 6 të tjerë në zona të ndryshme të qytezës.

E qytetarët e kësaj ane thonë se këta gurëthyes po i shkaktojnë probleme si me ndotjen e ajrit, por edhe me furnizimin me ujë.

Kurse Begaj në emisionin “Jeta në Komunë”, tha se gurëthyesit i sjellin vetëm dëme komunës.

“Çështja e gurëthyesve është problematike për neve, por s’është kompetenca e jona, komisioni për miniera dhe minerale merret me këtë. Komuna ka vetëm dëme prej gurëthyesve asgjë tjetër”, thotë Begaj.

Asamblisti nga LVV, Alban Krasniqi tha se kanë kërkuar nga kryetari që të pezullohen të gjitha pëlqimet e gurëthyesve në Malishevë.

“Kryetari e ka tërheq vetëm një të fshatit Bellanicë, por e ka bërë me motive partiake, kërkojë që të gjithëve të ju largohet”, tha ai.

Prej nga erdhi ideja për projektin në Lumin Mirusha?

Ish-kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Malishevës, Nexhat Krasniqi, duke folur për problemet aktuale të të kësaj komune, ka përmendur Lumin Mirusha. Sipas Krasniqit, kryetari aktual, Ragip Begaj ia ka marrë atij një ide.

Nexhat Krasniqi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Gjatë kohës kur kam kandidu unë e kam pas një premtim 8 milionë eurosh për ndërtimin dhe rregullimin të Lumit Mirusha, ai plan ideor që ka pas me përfundu brenda tri vite, kryetari e ka dëgju prej meje dhe e ka nis nga Banja dhe ka mbet aty”, tha ai në emisionin “Jeta në Komunë”. 

Por, Begaj e mohoi një gjë të tillë.

“Kjo s’është aspak e vërtetë”, shtoi ai.

Shkelja e fjalës për gratë 

 Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, në fushatën zgjedhore të vitit 2017, kishte premtuar se dy apo tri grave do t’ua besonte drejtoritë komunale. Por, në këtë komunë, nga 11 drejtori vetëm një udhëhiqet nga një grua.

Në emisionin “Jeta në Komunë”,Begaj ka thënë se ka biseduar me disa gra por  sipas ti ato nuk kanë pranuar të marrin post.

“Kam premtuar që do t’i kem dy ose tri gra drejtoresha, por s’kemi mujt me gjet mirëkuptim. Prej femrave kam kërkuar prej dy me u bë drejtoresha, s’kanë pranu m`u bo, pastaj kemi vazhdu me një qysh ka mbet. Nuk është që s’po më besojnë, por s’po dojnë me marrë përgjegjësi, se unë kam pasur synim me i bo dy ose tri. Këtë s’kam mujt me bë për shkak të vullnetit të atyre që të marrin përgjegjësi si drejtoresha”, shtoi Begaj.