ARKIV - Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtimet e pa/mbajtura dhe përplasjet pozitë-opozitë në Ferizaj për ndërtime, punësime e tenderë

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu nuk mori pjesë në debatin komunal ‘Jeta në Komunë’, me arsyetimin se kishte ‘angazhime të shumta’. Aliu në vitin 2021 e fitoi Ferizajn pa balotazh, mandatin e dytë radhazi si kryetar i kësaj komune.

Në debat morën pjesë drejtorët e drejtorive komunale të Ferizajt të cilët u ballafaquan me premtimet e pambajtura të Aliut, me projektet e promovuara e që dolën me telashe si dhe me çështjet e ngritura dhe akuzat e opozitës.

Krypometri i Agim Aliut

Në vitin 2021 Agim Aliu ndër premtimet kryesore kishte ‘të gjelbrën’ në Ferizaj.

Premtimi i tij për pishinën gjysmë-olimpike u vlerësua me ‘Hetimet vazhdojnë’, pasi që pishina nuk është ndërtuar për shkak të problemeve pronësore mes Komunës së Ferizajt dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Komunës së Ferizajt, Xhemile Murati-Shabani, thotë se deri më tani nuk ka pasur hapa drejt zgjidhjes së problemit pronësor por që në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030 kanë filluar hapat për shpronësim.

“Me t`u shpronësuar kjo hapësirë lirohen 29 hektarë afër palestrës së sporteve’”- deklaroi Murati- Shabani.

Stadiumi në Ferizaj ishte po ashtu premtim i Agim Aliut. Në vitin 2021 Aliu kishte thënë se ka probleme ligjore për bartjen e pronës nga AKP te Komuna. Më 2024, stadiumi ende nuk është ndërtuar.

Ky premtim u vlerësua me ‘Hetimet vazhdojnë’ për shkak se veçse kanë filluar procedurat për ndërtimin e stadiumit.

Tjetër premtim ishte edhe ndërtimi i stadiumit stërvitor në mes të Saraishtës dhe Lloshkobares. Edhe ky premtim u vlerësua me ‘Hetimet vazhdojnë’ pasi që 40% e punimeve kanë përfunduar por ende nuk janë kryer të gjitha punimet.

‘E vërtetë’ është vlerësimi për premtimin e Aliut që sapo të fitojë mandatin do të fillojnë procedurat e dhënies në shfrytëzim të Qendrës së Inovacionit. Ky premtim u mbajt nga Aliu dhe Qendra është dhënë në shfrytëzim.

‘Me kos’ u vlerësua premtimi për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Rakaj, përfundimin e ujësjellësit dhe shtrimin e rrugës.

QMF në Rakaj nuk është ndërtuar, rruga ka mbetur të shtrohet edhe shtresa e dytë, kurse ujësjellësi nuk ka përfunduar.

Ismail Ademi, banor i fshatit Rakaj, thotë se kurrë guri i themelit i QMF-së nuk u hodh.

“Deri te shkollat janë gypat por së paku 17 vjet janë që ujë nuk ka. Rrugën e kanë shtru por në njërën anë kanë ngelur pa shtru trotuaret. Kanë pasë me ia dhanë edhe shtresën përfundimtare por atë ditë e këtë ditë, kurrë më”- deklaroi Ademi.

“Jo, nuk është ndërtuar QMF-ja në Rakaj. Ujësjellësi dhe asfaltimi i rrugës janë buxhetuar për vitin 2025-2026”- thuhet në përgjigjen me shkrim nga Komuna.

Drejtori i Shëndetësisë në Ferizaj, Kemajl Emini thotë se ndërtimi i QMF-së në Rakaj u pamundësua nga kontrata kolektive.

Park tek objekti i vjetër i shkollës ‘Gjon Serreçi’, tek objekti i KRM ‘Pastërtia’, e te shkolla ‘Astrit Bytyçi’ kishte premtuar Agim Aliu më 2021.

Ky premtim u vlerësua me ‘Hetimet Vazhdojnë’. Asnjëri nga parqet nuk janë ndërtuar.

“Parku te ‘Pastërtia’, në mungesë të përfundimit të objektit të ri të ‘Pastërtisë’, nuk ka pasur mundësi të fillojë. Projekti i objektit të ‘Pastërtisë’ është përfunduar, ka mbetur vetëm çështja e trafos elektrike e premtuar nga KEDS. Parku te ish-shkolla ‘Gjon Serreçi’ nuk është ndërtuar për shkak të çështjeve politike na është refuzuar miratimi nga Instituti për Trashëgimi Kulturore. Për parkun tek shkolla ‘Astrit Bytyçi’, nuk kemi pritje për një park në këtë lokalitet”- thuhet në përgjigjen e Komunës së Ferizajt.

Në Ferizaj nuk është përfunduar as ujëmbledhësi i Jezercit. Ky premtim u vlerësua me ‘Hetimet Vazhdojnë’ për shkak se është projekt në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës.

 

Pushteti lokal përballë opozitës

“I pari i Komunës tutet me ardhë në debat”- ishin fjalët e para të Brahim Osmanit, asamblist nga Lëvizja Vetëvendosje në Ferizaj, për mungesën e kryetarit Agim Aliu në debatin “Jeta në Komunë”.

“I dyti i Komunës, Lulzim Aliu, ka aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, nëse nuk gabohem në lidhje me ndërtim këtu në Ferizaj. Prandaj edhe nuk ka ardhë në debat”- shtoi Osmani.

Në debatin ‘Jeta në Komunë’ u fol edhe për lejet e ndërtimit dhe mungesën e hartave zonale. Pas ngritjes së mungesës së hartave zonale në Ferizaj nga asamblisti Brahim Osmani, Arbër Bytyqi drejtor i Urbanizmit thotë se ato u pezulluan sipas tij padrejtësisht nga Ministria e Planifikimit Hapësinor.

“Kryetari ankohet që e ka trashëgu PZHK-në por kur i konvenon punon me të dhe ka premtu hartat zonale por po bëhet mandati i dytë dhe nuk i ka sjellë në Kuvend”- deklaroi Osmani.

Për hartat zonale në Ferizaj, Bytyqi, thotë se më 28.04.2022 u dorëzua drafti i parë i tyre në Ministrinë e Planifikimit Hapësinor.

Kur u pyet se si lëshohen lejet pa hartë zonale, Bytyçi thotë se kjo specifikohet me ligj.

“Ligji i Ndërtimit, Ligji i Planifikimit Hapësinor… nëse një Komunë nuk ka dokumente të planifikimit, Ligji i Ndërtimit, neni 18 që thotë se lejet ndërtimore duhet të lëshohen bazuar në 50 metra distancë”- deklaroi Bytyçi.

Bytyçi shton se Ministria pezulloi hartat zonale për shkak se Plani Zhvillimor Komunal është në procedurë gjyqësore.

Tutje shton se nuk ka ende vendim final nga Gjykata për PZHK-në.

Përballje mes Osmani e Bytyqit pati edhe për premtimin e Agim Aliut për park tek objekti i shkollës ‘Gjon Serreçi’, park i cili nuk u ndërtua asnjëherë për shkak se nga Ministria e Kulturës shkolla u shpall si objekt nën mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Osmani thotë se aty, pushteti lokal deshi të ndërtoj parking për objektet banesore që janë afër.

“Kanë vendosur të bëjnë një parking për shkak që aty është një ndërtues, një kompani që vazhdimisht merr tenderë të shumtë në Komunën e Ferizajt. Është Bardhi, pikërisht për këtë kanë dashur ta ndërtojnë parkingun. Aty banesat nuk kanë parkingje”- deklaroi Osmani.

Bytyqi në anën tjetër thotë se objekti nuk i plotëson kushtet që të jetë nën mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

“Padrejtësisht është fut ky objekt nën mbrojtje. Nuk i plotëson kriteret që të futet në listën e objekteve të mbrojtura. Ligji tash nuk na lejon të intervenojmë në atë zonë”- deklaroi Bytyqi.

Osmani tutje deklaroi se Komunën askush nuk e ka ndalur t`i ndërtoj parqet tjera të premtuara, për të cilat Bytyqi thotë se janë në proces.

Flamur Istrefi, asamblist nga LDK thotë se asnjë park nuk është ndërtuar në qytet.

“Rasti më konkret është tek stacioni i autobusëve që po zhvendoset, ka qenë i paraparë për park por me vendim të Kuvendit është ndërruar destinimi dhe po jepet për zyre në shfrytëzim ‘Ambienti-t’, pra edhe atë e kanë heq”- deklaroi Istrefi.

 

Pretendimet për punësime familjare dhe dhënia e tenderëve në Ferizaj

Asamblistja e LDK-së, Verona Isaki në ‘Jeta në Komunë’ ngriti pretendime për punësime të familjarëve të pushtetit lokal si dhe për kurdisje të tenderëve.

Isaki thotë se kryetari Aliu punësoi një familjare e po ashtu edhe drejtoresha e Kulturës një familjare të saj.

“E kam një pyetje për drejtorin Llabjani meqë kryetarin e Komunës nuk e kam prezent. Qysh është e mundur që balldëzka e Agim Aliut prej kontratës me Caritas ka kalu në kontratë të rregullt në çerdhe, pa konkurs? Në Komunën e Ferizajt është punësu kunata e drejtoreshës së Kulturës, zonjës Xhemile Murati- Shabani, e cila njëkohësisht është edhe asistente në Drejtorinë e Bujqësisë”- deklaroi Isaki.

Për punësimin e baxhanakeshës së kryetarit, drejtori i Arsimit, Afrim Llabjani, thotë se ka pasur konkurs.

“Nuk është vetëm një person që është punësu por edhe të tjera. Edukatore janë 13-14 që janë punësu. Në bazë të mundësisë nga Ministria e Arsimit. Për këtë rast ka pasur konkurs që kanë apliku edhe shumë edukatore të tjera”- deklaroi Llabjani.

Xhemile Murati- Shabani për punësimin e kunatës së saj thotë se edhe ajo është qytetare si të tjerët.

“Ajo ka punuar tek Qendra për Punë Sociale në vitin 2016, ka punuar te çerdhja ‘Ardhmëria Jonë’ në vitin 2015, ka punuar te Gjendja Civile në vitin 2012, te Zyra e Tatimit në Pronë, te Drejtoria e Bujqësisë 2013-2014, si dhe te Zyra e Prokurimit. Për momentin është te Zyra e Tatimit në Pronë, nëse nuk gaboj anketuese në terren. Paska aplikuar kunata në konkurs dhe ka të drejtë të konkurrojë dhe ende nuk është punësuar. Procedurat e punësimit bëhen nga Ministria e Punëve të Brendshme”- deklaroi Murati- Shabani.

Tutje Isaki foli edhe për një tender për festival, i cili u anulua nga Komuna e Ferizajt, sipas saj pasi që u bën të ditura tentativat për dhënien e këtij tenderi për ‘miqtë’ e pushtetit.

“Është një tender 390 mijë euro që fatmirësisht për të mirën e qytetarëve ne si opozitë e kemi blloku. Tenderi ka qenë për një festival për bashkatdhetarët që në fillim nuk e kanë sqaru fare. Ne mendojmë që tenderin ka pas me fitu një mik i afërt i drejtoreshës së Kulturës që i fiton gjithmonë tenderët brenda Komunës së Ferizajt”- shtoi Isaki.

Ajo shton se arsyetimi për anulimin e tenderit ishte për ‘shkaqe teknike’.

“S’ka mujt askush me i plotësu kriteret sepse është tender që brenda dy dite është bërë publik”- tha Isaki.

Për këtë tender, drejtoresha e Financave Sebahate Sadiku deklaroi se ky tender u inicua nga Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe se nuk është i kurdisur.

“Është mbyllur për shkak të mjeteve, kemi pasur bllokim të llogarisë së Komunës për shkak të përmbarimeve. Në mungesë të tyre u mbyll dhe është hapur në fund të vitit me një pjesë të mjeteve, më të vogël këtë vit”- shtoi Sadiku.

Me këtë deklaratë të drejtoreshës së Financave nuk u pajtua asamblistja Isaki, ajo shtoi se tani arsyetimi po ndryshon.

“Kur është anulu tenderi dhe i është prish kontrata asaj kompanie që ka apliku arsyetimi ka qenë për shkaqe teknike, e tash po thotë që s’kanë pas pare. Ne jemi të sigurt që ka pas ‘Gramafoni’, e ka fitu ‘AMC Hall’ që është i afërt me…”- shtoi Isaki.

Sadiku në anën tjetër thotë që nuk kanë aplikuar miq të afërt të askujt, teksa pretendimet e Isakit i quajti dezinformata.

Flamur Istrefi, shef i grupit parlamentar të LDK-së në Ferizaj deklaroi se disa drejtorë janë ‘në gjykata’.

“Duke filluar nga nënkryetari Aliu, shefja e Prokurimit dhe po hetohen drejtori i Infrastrukturës si dhe drejtoresha e Kulturës”- deklaroi Istrefi.

Drejtori i Infrastrukturës, Meriton Hajdini tha se nuk është në dijeni se po hetohet.

“Unë nuk po e di dhe s’paskam marrë ftesë dhe kurrë unë këtë nuk po e dija”- tha Hajdini.

Hetimet ndaj saj i mohoi edhe drejtoresha e Kulturës, Xhemile Murati- Shabani.

“Nuk jam në dijeni që jam nën hetime. Tash kah i kanë marrë këto informacione nuk e di, nuk kam informacion zyrtar”- tha ajo.

Tutje Istrefi foli edhe për tenderin për 150 vjetorin e qytetit që u dha si tender më negocim për tre vjet.

“Për të janë dhënë me negocim 330 mijë euro për tri vite. 2023 ka qenë 150 vjetori ndërkohë që festa duhet me vazhdu deri në vitin 2026”- shtoi ai.

Drejtoresha e Kulturës për këto aktivitete thotë se janë ndër më të mirat e realizuara në qytetin e Ferizajt.

“Kontrata është tre vjeçare për arsyen se do të realizohet një dokumentar, shfaqje dhe një monografi për qytetin e Ferizajt”- tha ajo.

 

Furnizimi me barna në Ferizaj

Drejtori i Shëndetësisë në Ferizaj, Kemajl Emini thotë se Ferizaj ka telashe me furnizim me barna nga lista esenciale.

Sipas tij, QKMF furnizohet nga Ministria e Shëndetësisë me vetëm 32.5 për qind.

“Jemi shumë keq me barna esenciale. Ministria e Shëndetësisë në nivel të Komunës jemi diku vetëm 32.5 për qind të furnizuar, që na ka mundësu neve që gjatë viteve 2024-2025 të investojmë 26 mijë e 556 euro për Emergjencë dhe kujdes Paliativ”- deklaroi Emini.

Kjo deklaratë e Eminit krijoi polemika në sallën e Kuvendit Komunal.

Asamblistja e LVV-së, Shqipe Jashari tha se duhet shikuar kërkesat që i bën QKMF në Ministri. Jashari shtoi se sipas ligjit është e ndaluar të blihen barnat esenciale.

“Nëse Komuna është duke ble barna të listës esenciale, po tregojnë vet që janë duke punu jashtëligjshëm. Unë punoj në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj dhe ka mjaftueshëm barna esenciale, vetëm varet nga kërkesat”- deklaroi Jashari.

Ajo shtoi se në Spitalin e Ferizajt furnizimi është 100 për qind me barna esenciale.

“Të listës esenciale po, unë jam menaxhere e kontratës tek lista e jashtë esenciales kështu që mjaft mirë e di që nevojat e Spitalit për listën esenciale dhe po flas për Spital, jo për QKMF-në. Çka janë për nevojat e Spitalit janë”- shtoi ajo.

Këto deklarata të Jasharit u kundërshtuan nga Emini, i cili thotë se është e pavërtetë që Spitali ka 100 për qind furnizim me barna, teksa thotë se me Statutin e ri të QKMF-së lejohet blerja e barnave esenciale.

“Kemi bërë kërkesa dhe furnizimin e kemi vetëm 32.5 për qind”- deklaroi ai.

Sylejman Metushi, asamblist i PDK-së dhe kirurg në Spitalin e Ferizajt kontribuoi në këtë debat duke thënë se ndonëse Spitali ka furnizim të mirë, nuk e arrin nivelin prej 100 për qind.

“Mundet me shku deri në 80 për qind, 75-80. Para disa ditëve kanë mungu edhe antibiotikët tash ka ardh një kontigjent i tyre. Në sallë na mungojnë drenat abdominal por furnizimi çalon”- deklaroi Metushi.

Jashari u kundërpërgjigj duke thënë se drenat janë jashtë listës esenciale. Për antibiotikët thotë se varet nga kërkesat. “Nëse ka shku kërkesa me kohë… ka mund me pas vonesa por jo mungesa. Nuk thash që nuk ka vonesa. Ka furnizim 100 për qind”- shtoi ajo.

Metushi në anën tjetër tha se për t`u vërtetuar kjo mjafton të shkohet në mëngjes në Spital.

“Mjafton me shku në mëngjes dhe me i pa pacientët duke blerë ilaçe. Ajo është dëshmi që furnizimi 100 për qind është krejtësisht i pavërtetë”- tha Metushi.

 

Akuza për legalizimin e uzurpimeve

Asamblisti nga LDK, Besim Haziri në ‘Jeta në Komunë’ tha se Komuna e Ferizajt po legalizon uzurpimet e pronave publike. Haziri shtoi se ka raste kur në Kuvend Komunal sillen pika të rendit të ditës pa material nga Drejtoria për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi.

“Në seancën e fundit ka ardh pika për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale pa listën e tyre, për fat të keq nga asambleja e pozitës ka kaluar. Skandal të veçantë ka në pronën në Zaskok, i cili ka marrë guximin të luaj pronat komunale pa kaluar në Kuvend”- deklaroi Haziri.

Tutje ai shtoi se ajo pronë u rikthye pas protestave dhe presionit medial.

“Prapë është futur në listë të vitit 2025 për dhënie në shfrytëzim të njërës nga ato prona dhe nuk i ka trajtuar asnjëherë kërkesat e qytetarëve për të ndërtuar një fushë sportive aty”- shtoi Haziri.

Sabri Murseli, drejtor për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi, thotë se problemin me uzurpimin e pronave e ka e gjithë Kosova dhe se shumica e objekteve janë të ndërtuara pa matje gjeodezike për shkak të mungesës së shënimeve nga vitet 1983 deri më 1999.

“Për pronat në listën e dhënies në shfrytëzim nuk është që me patjetër të jepet në shfrytëzim, por vetëm e planifikon sepse kjo duhet të harmonizohet me Planin Zhvillimor Komunal”- tha Murseli.

Ai shtoi se në Zaskok, për parcelën që foli asamblisti Haziri mund të planifikohen edhe destinime të ndryshme.

“Ajo parcelë me vendim të Kuvendit Komunal të vitit 2006 është destinuar për banim social. Që atëherë nuk është bërë asnjë ndërtim në atë parcelë. Me Planin e ri Zhvillimor Komunal, në bazë të kërkesës së banorëve ajo parcelë mund të destinohet për çfarëdo qëllimi që kanë banorët”- shtoi ai.

 

Shiriti i Agim Aliut

Gjatë mandatit të tij si kryetar i Ferizajt, Agim Aliu, promovoi disa projekte të realizuara në terren. Një nga projektet e promovuara është edhe nënkalimi i ri në Ferizaj, segmenti i parë i të cilit u lëshua në qarkullim më 09.08.2024. Në terren u gjet se në këtë nënkalim ka lagështi në mure. Drejtori i Infrastrukturës në Ferizaj, Meriton Hajdini, në debatin “Jeta në Komunë” deklaroi se ky projekt ende nuk ka përfunduar.

Probleme u gjetën edhe te rruga “Ahmet Kaçiku”, e promovuar si rrugë model nga kryetari Aliu. Në terren u gjetën puseta nën nivelin e rrugës e gropa. Për këtë rrugë, Hajdini thotë që në këtë rrugë është shtuar trotuari dhe shtegu i biçikletave.

Projekt tjetër i promovuar është edhe objekti i ri i KRM ‘Pastërtia’, objekt në të cilin u gjet lagështi, çarje në mure dhe dyshemenë e objektit.

Punimet janë ndërprerë në projektin e promovuar të shkollës “Konstadin Kristoforidhi” në Nerodime të Epërme. Rrethojat e këtij objekti të papërfunduar po rrezikojnë nxënësit e shkollës që luajnë në afërsi.

Blerim Rexhepi, drejtor i shkollës, thotë që ka muaj që nuk ka parë punime.

“Kah fundi i gushtit i kam pa që i kanë vendosë dritaret. Rrethojat dy-tri herë janë rregullu por për momentin janë dëmtu dhe rrezikojnë nxënësit”- deklaroi Rexhepi.

Në shtator të vitit 2023 u promovua edhe Qendra Rinore e Kinemaja në Ferizaj. Në objektin e Qendrës Rinore u gjet se muret i ka me lagështi, ngjashëm edhe bodrumi e tavani. Në anën tjetër, kinemaja nuk ekziston. Objekti është por nuk ka as ulëse e as pajisje për kinema. Në hapësirën në të cilën mendohej të kishte kinema ka çarje në dysheme dhe lagështi në mure.

Për këto objekte, drejtoresha e Kulturës, Xhemile Murati- Shabani, tha se janë trashëgimi nga ish-pushteti.

“Ka punë ende të papërfunduara, kemi paraparë edhe fazën e dytë të punimeve. Faza e dytë kryhet në mënyrën e rrjedhjes së procedurave. Duhet të shpallen procedurat përmes Zyrës së Prokurimit, nuk mund të japim afate sepse procedurat mund të zgjasin”- deklaroi Murati- Shabani.

Në Ferizaj u promovuan edhe tri salla të edukatës fizike, ajo në shkollën “Astrit Bytyçi”, ajo në Fshatin e Vjetër dhe ajo në Balaj. Sallat kanë mungesë të qasjes për persona me aftësi të kufizuar si publik, kanë mungesë të pajisjeve sportive të gjimnastikës si dhe të sporteve si basketbolli e volejbolli. Mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave tregojnë edhe për telashet me shtyllat e metalta brenda sallave që u rrezikojnë nxënësit.

Salla në Fshat të Vjetër nuk ka as instalim të energjisë elektrike dhe të ujit.

Për këto salla, drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani tha se janë në dijeni për këto telashe dhe se po punohet për t’i sanuar. “Këto janë çështje që nuk janë realizuar mirë nga ana e projektuesit. Këtë vit kemi paraparë që t’i evitojmë ato problematika që janë shfaqur në ato salla”- deklaroi Afrim Llabjani.