Ilustrim - Logot e partive politike kosovare
Premtimet e fushatës zgjedhore që çojnë në përqeshje të kandidatëve
Premtimet e ndryshme, të cilësuara shpesh të pambulesë e arsyeshmëri, të panevojshme e pothuajse boshe, të pavend të patakt e me nuanca ofenduese, karakterizojnë fushatat zgjedhore në Kosovë.
Madje edhe qesharake po konsiderohet mënyra e prezantimit të premtimeve nga disa kandidatë për kryetarë të komunave gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen këtë të diel më 17 tetor në Kosovë.
Reagime të shumta, sidomos në media sociale së fundi ka ngjallur premtimi për organizimin e “Festivalit për gjyshet” në Ferizaj, me arsyetimin se ato janë lënë anash dhe nuk po i përmend askush.
Njohës të marrëdhënieve me publikun dhe proceseve zgjedhore në vend, vlerësojnë se përdorimi më gjërë i rrjeteve sociale, kësaj radhe ka ndikuar edhe në mënyrën e të bërit fushatë nga partitë politike, ndonëse gjuha e përdorur dhe premtimet e dhëna në këtë mënyrë, jo domosdoshmërisht do të përkthehen në votë për kandidatë të caktuar.
Albert Krasniqi nga organizata joqeveritare Demokraci Plus (D+), thotë se ka një diskrepancë ndërmjet premtimeve dhe programeve, në mënyrën e si janë përgatitur dhe si paraqiten nga kandidatët për këto zgjedhje lokale.
Sipas tij, ka kandidatë të cilët dallohen për të mirë në aspektin e asaj se si e kanë përgatitur ose konceptuar gjithë fushatën zgjedhore, “sa kanë dhënë energji në përgatitjen e programeve dhe zgjidhjet të cilat ofrohen për qytetin”.
Por ai shton se në të njëjtën kohë, ka edhe kandidatët të cilët gjithë mbështetjen të cilën e llogarisin prej qytetarëve, e bazojnë në përkrahjen që mund ta marrin nga subjekti politik apo nga Qeveria, “dhe shpeshherë tingëllojnë qesharak në premtimet të cilat ata i japin, duke tentuar të bëjnë një dallim me kandidatët e tjerë, por që kjo në fakt del si diçka negative sesa që mund t’u rrisë përkrahjen për kandidatët e tillë”.
Megjithëkëtë, Krasniqi konsideron se këtë herë fushata zgjedhore është më e moderuar dhe e kujdesshme sa i përket gjuhës së urrejtjes.
“Konsideroj që gara është më e qetë dhe gjuha e urrejtjes, fushata negative që kanë qenë të pranishme gjatë cikleve të kaluara zgjedhore. Kësaj here po duket që është më e kujdesshme, është më e moderuar si fushatë. Ndoshta ka të bëjë që shumë prej aktiviteteve të partive politike janë të orientuara drejt rrjeteve sociale”, tha ai për KALLXO.com.
Në lidhje me fushatën Krasniqi ka përmendur dhe garën për Prishtinën.
“Po ashtu edhe në komuna si Prishtina ta zëmë ku kryetari i komunës nuk është në garë për një mandat të ri, kjo ka bërë që më pak kandidatë të orientohen me akuza ose fajësime për qeverisjen e deritashme, por më shumë janë fokusuar në prezantimin e programeve të tyre se si do të qeverisin në rast se u besohet mandati prej qytetarëve”, ka thënë Krasniqi.
Edhe profesori i gazetarisë dhe mediave sociale në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” Alban Zeneli, thotë se këto zgjedhje janë karakterizuar kryesisht për mos përdorim të fushatës negative ndaj kundërkandidatëve, e që siç thekson ai, kjo është një gjë e mirë për diskursin publik në Kosovë.
Mirëpo, Zeneli shton se mungesa e akuzave ndaj të tjerëve si diskurs dominant është zëvendësuar me ide dhe projekte të cilat jo gjithmonë janë thënë në mënyrën më të mirë në publik.
“Në këtë kuptim disa nga deklaratat e kandidatëve për asamble dhe për kryetar komunash janë përqeshur. Disa prej kandidatëve kam përshtypjen që e kanë zgjedhur këtë gjuhë në mes humorit, satirës dhe premtimeve si formë për të rënë më shumë në sy tek zgjedhësit. Kjo është një strategji për të rritur prezencën mediale, por jo domosdo të përkthehet në votë”, theksoi ai për KALLXO.com.
Zeneli ka shtuar se një tjetër karakteristikë e fushatës së këtyre zgjedhjeve lokale është orientimi drejt rrjeteve sociale, për shkak të përdorimit të madh të tyre nga audienca në Kosovë, por edhe për shkak të masave ndaj pandemisë COVID-19.
“Orientimi drejt rrjeteve sociale ka ndikuar edhe në thjeshtësimin e gjuhës së përdorur dhe mjeteve të përdoruara për të arritur audiencën. Shembull, në këtë fushatë, kemi parë më shumë video, e më pak plan-programe konkrete të shkruara”, shprehet ai.
Përveç rastit të Ferizajt, gjatë fushatës gjithashtu janë komentuar dhe kritikuar edhe zotimet e kandidatëve të partive të tjera politike për udhëheqjen e Prishtinës, për mundësinë e realizimit të projekteve që kanë paraqitur.
Për Prishtinën, mes tjerash është prezantuar një ide për ndërtimin e një liqeni tek zona e stadiumit “Fadil Vokrri”, si dhe ndërtimi i një teleferiku që lidh lagjen “Arbëria” me qendrën e kryeqytetit.
Ndërsa ‘perla’ e premtimeve, madje edhe e ripremtuar është ajo e një kandidati për kryetar të Mitrovicës, që u premton qytetarëve ngrohtoren me bërthama të kumbullave.