Prapaskenat e zgjedhjes së bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji

Ymer Fejzullahu është zgjedhur kryesues i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, me mandat 5-vjeçar. Fejzullahu ishte kandidati i dytë më i poentuar nga Komisioni vlerësues. Kurse anëtarë të bordit janë zgjedhur, Gani Buçaj, i cili është renditur i katërti me 60.66 pikë, si dhe Lutfije Dervishi, e cila ishte renditur e 12-ta me vetëm 50 pikë të grumbulluara pas intervistimit nga Komisioni vlerësues.

Emrat që janë dërguar para deputetëve për pozitën e kryesuesit të ZRRE-së janë, Ymer Fejzullahu dhe Vehbi Sofiu ndërsa për dy anëtarë të bordit të ZRRE-së janë, Astrit Saraqini, Gani Buçaj, Arjeta Pajaziti – Qerimi dhe Lutfije Dervishi.

Kandidatët e propozuar nga Qeveria e Kosovës për kryesues të bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu dhe Vehbi Sofiu, janë renditur si i dyti dhe i treti në listën prej 9 kandidatëve që i kanë shkuar ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli nga Komisioni intervistues.

Ymer Fejzullahu, është vlerësuar me 61.6 pikë ndërsa Vehbi Sofiu me 61.3 pikë. Kandidati i vlerësuar më së shumti për kryesues të bordit të ZRRE-së nga Komisioni vlerësues ka qenë Berat Lahu, i cili është renditur i pari me 71 pikë por emri i tij nuk është dërguar në Kuvend nga Qeveria.

Kandidati për pozitën e kryesuesit të bordit të ZRRE-së, Berat Lahu, fillimisht ishte eliminuar nga Komisioni përzgjedhës për shkak se në dosjen e aplikimit nuk kishte bashkëngjitur asnjë dëshmi mbi përvojën e tij të punës. Por Lahu ishte rikthyer në garë me vendim të Komisionit për shqyrtimin e ankesave me arsyetimin se në konkurs nuk është përcaktuar data deri kur kandidatët kanë të drejtë të plotësojnë dosjen e tyre.

Lahu gjithashtu është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, ai së fundmi është bërë asamblist i Kuvendit Komunal të Prishtinës duke zëvendësuar Adrian Berishën.

Sa i përket kandidatëve për dy anëtarë të bordit të ZRRE-së, Qeveria e Kosovës fillimisht ka propozuar katër kandidatët, Vehbi Sofiu, i cili është renditur si kandidati i dytë më i vlerësuar nga Komisioni intervistues me gjithsej 64.33 pikë; Gani Buçaj, i cili është renditur i katërti me 60.66 pikë; Arjeta Pajaziti – Qerimi, e shtata me 56.33 pikë dhe Lutfije Dervishi, e 12-ta me 50 pikë.

Pra, Qeveria e Kosovës nuk ka propozuar kandidatin e parë, Bekim Jakupi, i cili ka grumbulluar 71 pikë nga 80 sa ka qenë totali, as kandidatin Afrim Ajvazi, i cili është renditur i treti me 63 pikë.

Disa ditë pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës dhe emrave të propozuar, Qeveria ka marrë vendim që në vend të kandidatit Vehbi Sofiu, në katërshe të vendoset kandidati Astrit Saraqini, i cili ishte radhitur i teti me 56.33 pikë. Por Sofiu ka vazhduar të mbetet te emrat e propozuar për kryesues të bordit të ZRRE-së.

Rikthimi i kandidatëve në garë

BIRN e ka monitoruar procesin e shqyrtimit të aplikacioneve të kandidatëve për kryesues dhe dy anëtarë të bordit të ZRRE-së. Komisioni vlerësues për kryesues të bordit të ZRRE-së i ka kualifikuar për intervistim 9 kandidatë, ndërsa nga gara i ka eliminuar 7 kandidatë. Kurse për dy anëtarë të bordit janë kualifikuar 20 kandidatë për intervistim dhe 14 të tjerë janë eliminuar.

Kandidatët e eliminuar e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për ankimim. Me vendim të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Ekonomisë, më 27 maj është themeluar Komisioni ad-hoc për shqyrtimin e ankesave me këtë përbërje: Fahrije Qorraj – kryesuese (ME); Bislim Bislimi – anëtar (MKRS) dhe Lule Isufi – anëtare (MFPT).

Edhe pse BIRN ka bërë kërkesë për të monitoruar të gjithë procesin për zgjedhjen e kryesuesit dhe dy anëtarëve të bordit të ZRRE-së, Ministria e Ekonomisë nuk e ka ftuar BIRN-in që të monitorojë procesin e shqyrtimin e ankesave për këto pozita.

BIRN në fillim të procesit të intervistimit të kandidatëve për këto dy pozita ka siguruar ankesat dhe vendimet e Komisionit për shqyrtimin e ankesave.

Komisioni për shqyrtimin e ankesave ka miratuar pesë ankesa dhe ka refuzuar dy të tjera të kandidatëve për kryesues dhe dy anëtarë të bordit të ZRRE-së.

Kandidatët për pozitën dy anëtarë të bordit të ZRRE-së, Agim Binaku, Skender Buja (dëshmi të pjesshme – në bazë të Komisionit përzgjedhës ai nuk ka dëshmuar që ka 10 vjet përvojë punë në sektor), Idriz Ferati dhe kandidati për kryesues të bordi të ZRRE-së, Berat Lahu, janë eliminuar nga gara për shkak se nuk kanë bashkëngjitur dëshmi të përvojës së punës në dosjet e dorëzuara në ministri.

Por Binaku, Buja, Ferati dhe Lahu janë ankuar në vendimin e Komisionit vlerësues për eliminimin e tyre dhe Komisioni për shqyrtimin e ankesave ka aprovuar ankesat e tyre.

Komisioni për shqyrtimin e ankesave nuk ka marrë parasysh që ka edhe kandidatë të tjerë që janë eliminuar për shkak se të njëjtit nuk kanë bashkëngjitur dëshmi të përvojës së punës, siç janë kandidatët Besim Vishi, Shaban Berisha dhe Xhevdet Sejdiu por që të njëjtit nuk janë ankuar për eliminimin e tyre.

Në këtë rast diskriminimi ka ndodhur ndaj kandidatëve që nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e ankesës sepse duke shikuar vendimet e Komisionit të ankesave, të njëjtit mund të riktheheshin në garë.

Rregull nëpër të gjitha konkurset e institucioneve publike, si ato që janë zhvilluar me mbështetjen e BDO-së, kompanisë së angazhuar nga Ambasada britanike për ofrimin e mbështetjes në rekrutimin e zyrtarëve në pozita të larta në shërbimin civil edhe ato pa mbështetjen e tyre, dosjet asnjëherë nuk janë plotësuar pas përmbylljes së konkursit.

Komisioni për shqyrtimin e ankesave ka miratuar një ankesë dhe ka refuzuar një ankesë tjetër për pozitën kryesues i bordit të ZRRE-së. Ankesa e Berat Lahut është miratuar dhe i njëjti është kthyer në garë kurse ankesa e kandidatit Adhurim Haxhimusa është refuzuar.

Ndërsa për pozitën dy anëtarë të ZRRE-së, Komisioni për shqyrtimin e ankesave ka miratuar katër ankesa dhe ka refuzuar një ankesë. Ankesa e kandidatit Mehdi Godeni është refuzuar ndërsa janë miratuar ankesat e Agim Binakut, Adnan Preniqit, Idriz Feratit dhe Skender Bujës.

Asnjëri prej kandidatëve të rikthyer në garë pas miratimit të ankesave nuk është dërguar nga Qeveria në Kuvend për votim.

Kandidatët Berat Lahu (për kryesues të bordit të ZRRE-së), Idriz Ferati (për anëtar të bordit të ZRRE-së), janë eliminuar nga Komisioni përzgjedhës për shkak se nuk kanë bashkëngjitur asnjë dëshmi të përvojës së punës në dosjen e dorëzuar në Ministrinë e Ekonomisë. Komisioni për shqyrtimin e ankesave ia ka miratuar ankesat Lahut dhe Feratit.

“Me kriteret e konkursit të shpallur për pozitën e sipërtheksuar, tek seksioni i pestë i konkursit – informatë e përgjithshme për kandidatët lidhur me procedurat e konkurrimit, është përcaktuar lista e dokumenteve të nevojshme që kandidatët duhet të sjellin me rastin e aplikimit. Në bazë të shqyrtimit të konkursit Komisioni konstaton se aty nuk përcaktohet fare se a mund që kandidatët (dhe nëse po deri në cilën kohë), të plotësojnë aplikimin pasi ta kenë dorëzuar dosjen e aplikimit me dokumente a referenca mbështetëse por vetëm është përcaktuar data deri kur mund të bëhet aplikimi”, thuhet në arsyetimin e Komisionit për të dy ankesat.

Kandidati tjetër për kryesues të bordit të ZRRE-së, Adhurim Haxhimusa, është eliminuar nga gara nga Komisioni përzgjedhës për shkak se nuk ka ofruar dëshmi të përvojës së punës, pra dëshmi që e mbështesin atë që i njëjti e ka shkruar në CV-në e tij por edhe pse ai nuk ka sjellë dëshmi se është shtetas i Kosovës dhe ka vendbanim të përhershëm në Kosovë.

Komisioni për shqyrtimin e ankesave e ka refuzuar ankesën e tij. Komisioni për shqyrtimin e ankesave ka hedhur poshtë argumentimin e Komisionit të shkallës së parë në lidhje me përvojën e punës.

“Komisioni konstaton se në dosjen e aplikimit të kandidatit, gjegjësisht, në CV-në e tij, janë përshkruar të dhënat mbi përvojën e punës së kandidatit, vërtetohet se pala ka dëshmuar përvojë të punës në sektorin e energjisë nëse merret parasysh se përvoja e punës nga veprimtaria kërkimore, shkencore në lëmitë përkatëse konsiderohet përvojë e punës në sektor të caktuar. Megjithatë, në konkursin e shpallur tek pjesa e kritereve nuk përcaktohet nëse përvoja e punës nga veprimtaria kërkimore e shkencore konsiderohet ose jo përvojë e punës dhe Komisioni i shkallës së parë qartazi e ka interpretuar këtë çështje në atë mënyrë që nuk konsiderohet përvojë pune në sektorin e energjisë”, thuhet në arsyetimin e Komisionit për shqyrtimin e ankesave.

Por ky Komision ka vërtetuar argumentin në lidhje me dëshminë për nënshtetësi dhe vendbanim të përhershëm në Kosovë.

“Komisioni në çështjet që ndërlidhen me shtetësinë e palës dhe vendbanimin e përhershëm në Republikën e Kosovës, pavarësisht arsyeve morale në kontekstin e rrethanave ekonomike dhe shoqërore në Republikën e Kosovës, konkretisht raportin që ka vendi jonë me diasporën që nuk jeton në Kosovë, konstaton se ky kriter deri në këtë moment është i normuar me dispozitë ligjore në fuqi, përkatësisht me nenin 6 të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë dhe si i tillë është me fuqi detyruese pikërisht sepse është normë juridike”, vazhdon arsyetimi i Komisionit.

Kandidati Adnan Preniqi është eliminuar nga gara për shkak se i njëjti e ka bashkëngjitur letërnjoftimin me afat të skaduar. Kandidati tjetër për anëtar të bordit të ZRRE-së, Agim Binaku, është eliminuar nga Komisioni vlerësues për shkak se nuk ka bashkëngjitur asnjë dëshmi të përvojës së punës për të mbështetur atë që e ka shkruar në CV. Ndërsa Komisioni për shqyrtimin e ankesave ka konstatuar se Binaku ka sjellë dokumente të mjaftueshme për të dëshmuar përvojën e punës dhe ka miratuar ankesën e tij.

“…kandidati ka arritur të dëshmojë përvojën e punës së kërkuar me kriteret e konkursit dhe dispozitat përkatëse të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë dhe me këtë konstatohet se vendimi i shkallës së parë është nxjerrë në kushte të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike”, thuhet në arsyetimin e Komisionit për shqyrtimin e ankesave.

Kandidati Skender Buja është eliminuar nga Komisioni vlerësues për shkak se nuk ka ofruar dëshmi të mjaftueshme mbi përvojën 10-vjeçare në sektorin e energjisë, ashtu siç është kërkuar me konkurs. Por edhe ky është rikthyer në garë me vendim të Komisionit për shqyrtimin e ankesave.

“Gjatë shqyrtimit të dokumentacionit të bashkëngjitur aplikimit të kandidatit dhe po ashtu ankesës dhe dokumentacionit mbështetës,, Komisioni konstaton se arsyetimi i Komisionit të shkallës së parë, është i paqartë, konfuz dhe i pambështetur në prova konkrete për shkak se mbi bazën e hamendësimeve, arrinë në konkluzione e konstatime të cilat kanë pasur efekt në rezultatin e shprehur në dispozitiv të Vendimit”, theksohet në arsyetimin e vendimit.

Kandidati Mehdi Godeni ishte eliminuar nga gara për shkak se i njëjti i ka përfunduar studimet themelore në vitin 2016 dhe sipas Komisionit nuk ka përvojë të mjaftueshme të punës pas diplomimit. Komisioni për shqyrtimin e ankesave e ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë dhe ka refuzuar ankesën e Godenit.

Me vendimet e Komisionit për shqyrtimin e ankesave nuk është pajtuar Komisioni intervistues me këtë përbërje: Rifat Blakaj – kryesues; Enis Spahiu – anëtar dhe Makfirete Dibrani – anëtare.

Në raportin të cilin Komisioni ia ka dërguar ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë shprehur keqardhje lidhur me vlerësimin e Komisionit të ankesave.

“Ku mendojmë se janë cenuar parimet themelore të një konkursi të hapur dhe transparent, duke iu dhënë kandidatëve që janë ankuar mundësinë e plotësimit të dokumentacionit pas përmbylljes së konkursit”, theksohet në raport.

Ndryshimi i pikëve nga anëtarët e Komisionit

Konkursi për kryetar dhe dy anëtarë të bordit të ZRRE-së është zhvilluar pa asistencën e ekspertëve britanikë. Ambasada britanike ishte tërhequr nga ky proces pasi Kuvendi kishte dështuar dy herë të votonte kandidatët e përzgjedhur në bashkëpunim me ekspertët britanikë.

Edhe pse ekspertet britanikë nuk kanë asistuar në konkursin e fundit, Komisioni vendor e ka aplikuar metodologjinë e intervistimit që aplikojnë ekspertët britanikë. Pyetjet janë përzgjedhur para fillimit të intervistimit të kandidatëve. Të gjithë kandidatëve u është dhënë kohën e barabartë për t’u përgjigjur si dhe atyre u janë parashtruar pyetjet e njëjta. Poentimi është bërë në mënyrë autonome nga anëtarët e Komisionit vlerësues ndërsa në rastet kur kishte diskrepanca të mëdha është diskutuar dhe argumentuar nga anëtarët e Komisionit vlerësues.

Anëtarët e Komisionit po ashtu i kanë diskutuar pikët e dhëna pasi kanë bërë vlerësimet individuale. Mirëpo, kishte raste kur anëtarët e Komisionit vlerësues i kanë ndryshuar pikët për kandidatë të caktuar në fund të ditës së intervistimit dhe pa ndonjë diskutim.

Te katër kandidatë për kryesues të bordit të ZRRE-së dhe te dy kandidatë për anëtarë të bordit të ZRRE-së, anëtarët e Komisionit intervistues kanë ndryshuar pikët.

Njëri nga anëtarët e Komisionit i ka ndryshuar pikët në 4 kompetenca te kandidati Armend Ymeri. Pikët janë ndryshuar me arsyen se kandidati është poentuar duke supozuar se maksimumi i pikëve të dhëna për një kandidat është 8, e jo 10 pikë siç ishte numri maksimal i pikëve të caktuara për një përgjigje. Pikët e ndryshuara: nga 3 në 4, nga 4 në 5, nga 4 në 6 dhe nga 4 në 5.

Kurse, një anëtar tjetër i Komisionit vlerësues i ka ndryshuar pikët duke e ulur vlerësimin për kandidatin Astrit Saraqini, i cili është intervistuar i dyti me radhë. Nga 8 kompetenca sa kanë qenë gjithsej, janë ndryshuar pikët në 5 kompetenca, nga 8 është bërë 7; nga 8 është bërë 6; nga 7 është bërë 6; nga 8 është bërë 7 dhe nga 7 është bërë 6. Pra nga vlerësimi total prej 56 pikëve, poentomi për Saraqinin është ulur në 50 pikë nga ky kandidat. Kjo ulje e pikëve ka ndikuar që totali i pikëve të marra nga Saraqini të ulet nga 58 në 56 pikë. Me 58 pikë, Saraqini do të renditej si kandidati i 4-të më i votuar, kurse në listën finale Saraqini është renditur i pesti. Saraqini është propozuar nga Qeveria për anëtar të bordit të ZRRE-së.

Pikët janë ndryshuar edhe për kandidatin Vehbi Sofiu, duke ju shtuar pikët në dy pyetje të kompetencës. Rritja e pikëve për Sofiun, rriti edhe mesataren e tij nga 60.6 në 61.3 pikë. Ndryshimi i pikëve nuk ka ndikuar në ngritjen e tij në renditjen finale.

Te kandidati Edmond Nulleshi, një anëtar i Komisionit vlerësues i ka zvogëluar pikët në njërën nga tetë kompetencat, përkatësisht nga 7 i është ulur në 5 pikë.

Ndërsa për pozitën dy anëtarë të bordit të ZRRE-së, pikët janë ndryshuar te dy kandidatë, Arsim Sherifi dhe Idriz Ferati.

Te kandidati Arsim Sherifi, pikët janë ndryshuar në njërën nga kompetencat nga 7 në 8. Te kandidati Arsim Sherifi kishte diskrepancë në poentim mes tre anëtarëve të Komisionit vlerësues. Vlerësimi total i njërit anëtar të Komisionit ishte 41 pikë, kurse dy të tjerë e kishin poentuar me 60 dhe 65 pikë, nga 80 pikë sa ishte maksimumi që mund të merrte një kandidat. Përkundër diskutimeve, anëtarët e Komisionit nuk i kanë ndryshuar pikët e dhëna për Sherifin. Por, anëtarët e Komisionit vlerësues kanë reflektuar tek rasti i kandidatit Idriz Ferati, tek i cili po ashtu kishte diskrepancë në poentim. Pas diskutimeve njëri anëtar i Komisionit ka zvogëluar pikët në dy kompetenca. Në të dy kompetencat pikët janë ulur nga 7 në 5, pra vlerësimi i përgjithshëm është ulur nga 54 pikë në 52 pikë.

Zvarritja e zgjedhjes së anëtarëve dhe kryesuesit të ZRRE-së

Për herë të katërt Qeveria ka dërguar emrat në Kuvendin e Kosovës për kryesues të bordit të ZRRE-së. Konkurset për kryesues të bordit të ZRRE-së janë shpallur, rishpallur e janë anuluar për disa herë me radhë, që nga viti 2018, kur ekzekutivi është udhëhequr nga Qeveria Haradinaj.

Për herë të tretë, në vitin 2019, në Kuvend kishin shkuar si kandidatë më të suksesshëm Petrit Pepaj dhe Naim Sahiti, pas një procesi të intervistimit që nuk është zhvilluar në përputhje me praktikat e BDO-së, kompanisë së angazhuar nga Ambasada britanike për t’i ofruar asistencë institucioneve të Kosovës në rekrutim.

Ambasada ishte tërhequr nga procesi i rekrutimit të kryesuesit të bordit të ZRrE-së, pasi Kuvendi dy herë kishte dështuar t’i emërojë kandidatët që britanikët i kishin përzgjedhur pas proceseve të gjata të rekrutimit.

Edhe konkursi për dy anëtarë të bordit të ZRRE-së është shpallur gjatë mandatit të Qeverisë Hoti. Por pas ardhjes në pushtet të Qeverisë Kurti, ky konkurs është anuluar.

Në konkursin e anuluar për dy anëtarë të bordit të ZRRE-së, në listë të ngushtë kishin hyrë gjashtë kandidatë, ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Sala Berisha – Shala, Naim Sahiti, Driton Sejdiu, Afrim Ajvazi, Sami Shatri dhe Skënder Xani. Në intervistim nuk kishte ardhur kandidatja Sala Berisha – Shala kështu që Komisioni kishte intervistuar vetëm pesë kandidatë. Sipas Komisionit vendor, të emërueshëm ishin katër kandidatë, Sami Shatri, Skender Xani, Naim Sahiti dhe Afrim Ajvazi.

Ndërsa sipas BDO-së, kompanisë së angazhuar nga Ambasada britanike për mbështetje në rekrutimin e zyrtarëve nëpër pozita të larta, të emërueshëm kanë qenë vetëm dy kandidatë, Naim Sahiti dhe Skender Xani.

Bordi i ZRRE-së është jofunksional që nga fundi i vitit 2020 pra për më shumë se 7 muaj.

Një nga çështjet kryesore që e pret këtë bord menjëherë pas funksionalizimit është shqyrtimi i licencës për kompaninë serbe “Drutsvo Electrosever”, për furnizim me energji elektrike të katër komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.

Shënim, 16 gusht 2021:

KALLXO.com ka pranuar reagimin e Komisionit vlerësues të procesit të përzgjedhjes së kryesuesit dhe dy anëtarëve të bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), në përbërje të Rifat Blakaj – kryesues; Makfirete Dibrani – anëtare dhe Enis Spahiu – anëtar.

Klikoni KËTU për të lexuar reagimin dhe përgjigjen e redaksisë.