Egzona Shala, Foto: KALLXO.com

Prapaskenat e largimit nga puna të ambientalistes së 'papërshtatshme'

Egzona Shala, ekologe dhe aktiviste për mbrojtjen e mjedisit, një muaj kishte punuar në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), në kuadër të një projekti të Agjencisë Europiane të Mjedisit (EEA). 

Ajo nuk kishte nënshkruar një kontratë, por e kishte marrë konfirmimin nga donatori (EEA) që e njëjta do të jetë në pozitën e asistentes së koordinatorit (National Fokal Point – NFP), që punon në kuadër të Agencisë.

Një muaj pasi kishte filluar punën, asaj i është kërkuar të mos dal më në punë ndërsa procedura e rekrutimit ishte anuluar nga kryeshefi ekzekutiv i AMMK-së, Ilir Morina. Ky i fundit kishte qenë i suspenduar kur Shala ishte pranuar në punë.

Më 1 tetor 2020, ish-ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi kishte marrë vendim për pezullimin e kryeshefit ekzekutiv të AMMK-së, Ilir Morina. Pezullimi i tij ishte bërë me arsyetimin se “ka dështuar të përmbushë përgjegjësinë e tij, në sigurimin e zbatimit të rekomandimeve nga raportet e auditimit”.

“Ka ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj zyrtarëve të MEA-s, gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare dhe ka treguar neglizhencë gjatë bashkëpunimit me menaxhmentin e MEA-s”, thuhej në vendim.

KALLXO.com ka zbualuar prapaskenat që kanë çuar në largimin nga puna të Egzona Shalës, si dhe shkresat që Morina i kishte dërguar në Agjencisë Evropiane të Mjedisit. 

Egzona Shala kishte filluar punën me 15 dhjetor 2020, mirëpo deri në largimin e saj ajo nuk kishte nënshkruar asnjë kontratë.

“Unë kam marrë të gjitha materialet e nevojshme që përzgjedhja ime është bërë komfor rregullave të Agjencisë Evropiane, ushtruesi i detyrës së KE-së në AMMK ka qenë i pajtimit që gjithçka prej procedurës ka fillu dhe që unë mundem me fillu lirisht me datën 15 dhjetor me dalë në zyre të AMMK-së. Më është hapur e-maili e me janë krijuar kontaktet”, ka thënë Shala për KALLXO.com.

Shala ka thënë se vetmja arsye që nuk kishte arritur kontrata kanë qenë koha që kanë marrë procedurat e dërgimit të saj nga EEA.

“E vetmja arsye që nuk ka arritur kontrata është që ajo duhet të mbërrijë e printuar dhe e vulosur nga EEA me anë të postës dhe pastaj AMMK me u pajtu dhe pastaj zyrtarizohet, por deri në momentin e kontratës unë e kam pasur vendimin, i cili ka fuqinë e njëjtë dhe bazën e njëjtë sikurse kontrata, veçse në kontratë definohen më shumë detyrat, kushtet dhe përgjegjësitë dhe më pas me kontratë unë vendosem në Ligjin e Shërbyesve Civil”, ka potencuar Shala.

Kthimi i Ilir Morinës në pozitën e kryeshefit 

E gjithë procedura e rekrutimit të Shalës ishte zhvilluar derisa Ilir Morina kishte qenë i suspenduar nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), ndërsa pozitën e kryeshefit e kishte ushtruar Mentor Sylmeta.

Më 13 janar, Ilir Morina ishte kthyer në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të AMMK-së. Dy ditë më pas, me 15 janar i kishte kërkuar Egzona Shalës që të lirojë vendin e punës deri në verifikim të procedurës së përzgjedhjes së saj. Kjo kërkesë i ishte bërë Shalës, 1 muaj pasi ajo kishte filluar punën.

Që nga largimi prej zyreve të Ministrisë, Egzona Shala ka thënë se për 74 ditë nuk ka marrë asnjë përgjigje se çka ka ndodhur me verifikimin e procedurës.

“Pas daljes nga zyra kam kërkuar me e-maile zyrtare dhe atyre ju kanë dashur 74 ditë për të verifikuar procedurën e përzgjedhjes time. Gjatë tërë kohës kam kërkuar dhe as nuk jam marrë parasysh emailet e mia ku kam kërkuar informata se çfarë po ndodhë. Kam shpresuar se do të ftohem prej KE me u konsultu dhe me ditë arsyen kryesore se çka nuk ka ndodhë aty edhe pse realisht unë isha në ushtrim të detyrës”, ka thënë Shala për KALLXO.com.

Kurse më 19 mars, kryeshefi Morina kishte marrë vendim për anulimin e procedurës së rekrutimit përmes së cilës ishte përzgjedhur Egzona Shala si asistente e NFP-së.

Përzgjedhja e Egzona Shalës është bërë pa konkurs publik. Por, koordinatori për Kosovë (NFP), Afrim Berisha, ka thënë se Agjencia Evropiane e Mjedisit nuk ka kërkuar shpallje publike por vetëm prezantim të CV-ve të personave që i plotësojnë kriteret e kërkuara.

“Sa i përket përzgjedhjes së listës së kandidatëve për intervistim për pozitën e asistentes së NFP-së për Kosovë, EEA nuk ka kërkuar shpallje publike, por vetëm prezantim e CV-ve që i plotësojnë kushtet e kërkuara. Selektimin e CV-ve e kam bërë unë nga njohuritë që kam pasur për përvojën dhe punën e kandidatëve në fjalë, ndërsa aprovimin e tyre e ka bërë EEA dhe ish ushtruesi i detyrës së KE-së AMKK-së, Mentor Sylmeta”, kishte thënë Afrim Berisha për Divizionin e Burimeve Njerëzore kur i ishte kërkuar sqarim rreth procedurave të rekrutimit të Egzona Shalës.

Prapaskenat: “E papërshtatshme për ministrinë”

Aktivistja për mbrojtjen e mjedisit, Egzona Shala ka thënë se në një vlerësim që kryeshefi ekzekutiv i AMMK-së, Ilir Morina e kishte dhënë te EEA për Egzona Shalën, atë e kishte konsideruar si të papështatshme për Ministrinë për shkak të aktivizmit ambiental të saj përmes një organizate të shoqërisë civile.

“Faktikisht në komentin e tij ka qenë se unë nuk jam e përshtatshme për ministrinë, unë jam aktiviste që luftoj për mjedisin dhe për hidrocentralet. Mbi të gjitha as nuk është kërkuar një mendim i tij dhe nuk ka pasur kohë e as mundësi ta vlerësojë performancën time dhe nuk e kuptoj mbi cilën bazë ai ka dhënë mendim për mua”, ka thënë Shala.

KALLXO.com ka kërkuar nga Ilir Morina, të gjithë komunikimin që ai e ka bërë me EEA-në në mënyrë që të verifikojë nëse pretendimet e Shalës qendrojnë. 

Ilir Morina i ka dërguar KALLXO.com të gjitha komunikimet në lidhje me rekrutimin e Egzona Shalës, brenda dhe jashtë ministrisë, por nuk e ka dërguar emailin të cilin ai ia ka nisur EEA-së në lidhje me Egzona Shalën me datën 9 shkurt.

KALLXO.com përsëri ka kërkuar letrën që Morina ia kishte nisur EEA-së por i njëjti ka thënë që nuk po e kupton pyetjen tonë.

Morina ka refuzuar të na dërgojë shkresën që ia kishte dërguar EEA-së. Megjithatë, Morina e ka dërguar në KALLXO.com përgjigjen që EEA ia kishte kthyer atij, e në të cilën flitet për të kaluarën e Shalës.

Në përgjigjen e 2 marsit për Morinën, EEA kishte thënë se aktivizmi në shoqërinë civile nuk është arsye që kandidatja të refuzohet.

“Sipas mendimit tonë fakti që kandidatja është aktive në shoqërinë civile, në këtë rast në OJQ, nuk është arsye që të refuzohet si person. Në të kundërtën kjo tregon përfshirje dhe angazhim në çështjet ambientale”, theksohet në përgjigjen e EEA-së për kryeshefin Ilir Morina.

EEA më tej ka shkruar se punësimi i asistentes së NFP-së është kompetencë e AMMK-së dhe se roli i EEA-së është krejtësisht asistues. 

“Në këtë kontekts është vendimi juaj si kryeshef i AMMK që të vendosni nëse doni ta nënshkruani kontratën me kandidaten. Nëse ju vlerësoni se kandidatja shkel rregullat e brendshme të AMMK-së përbën një rrezik për integritetin e organizatës tuaj ose konflikt interesi, sigurisht që është në kompetencën tuaj ta refuzoni kandidaten”, theksohet në letrën e EEA-së.

Por në fund Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) ka potencuar se nuk ka indikacione që kandidatja Egzona Shala ka qenë e përfshirë ose do të përfshihet në aktivitete të jashtëligjshme.

Agjencia Evropiane e Mjedisit ka kërkuar konfirmim nga AMMK se kontrata me Egzona Shalën nuk është nënshkruar në mënyrë që të vazhdohet me procedurat për kandidaten tjetër për këtë pozitë.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje edhe nga EEA në lidhje me procedurat e rekrutimit të Egzona Shalës dhe për letrën të cilën kryeshefi ekzekutiv i AMMK-së, Ilir Shala ia ka dërguar atyre.

Agjencia Evropiane e Mjedisit në përgjigjen e saj për KALLXO.com ka theksuar se asistentët e NFP-së janë të punësuar nga Agjencitë Kombëtare të Mbrojtjes së Mjedisit ose ministritë. 

“EEA kontribuon me institucionin partner në pagat e tyre dhe ofron këshilla për zgjedhjen e kandidatëve në këtë rol. Kandidatët e mundshëm zgjidhen paraprakisht nga institucionet kombëtare”, ka thënë EEA.

Ata kanë theksuar se EEA nuk është punëdhënës dhe nuk ka marrëdhënie kontraktuale me asistentët. 

“Si i tillë, roli ynë në procesin e përzgjedhjes është thjesht këshillues, i takon institucionit kombëtar të bëjë zgjedhjen përfundimtare dhe të hyjë në marrëdhënie kontraktuale. EEA nuk bën ndonjë vlerësim të procedurave kombëtare të përzgjedhjes”, përfundon përgjigja e EEA-së.

Kryeshefi Ekzekutiv i AMMK-së, Ilir Morina ka thënë se nëse dëshmohet se ky proces ka shkuar sipas ligjeve në fuqi, ai do ta nënshkruajë kontratën e punës për Egzona Shalën.

“Nëse ndonjë organ ligjor mund ta interpretojë ndryshe këtë proces dhe të na dokumentojë se asaj i takon ky vend i punës dhe i jep mundësi DBNJ-së të MMPHI-së për t’ia përgatitur kontratën, unë do ta nënshkruaj atë. Mirëpo në të kundërtën sipas interpretimeve të deritanishme, do hapet konkurs dhe do të inkurajohet të aplikojë dhe të futet në procedura ligjore e barabartë me të tjerët, në një konkurs të hapur, transparent dhe të paanshëm siç e kërkon ligji”, ka thënë Morina për KALLXO.com.

Anulimi për shkak të pretendimeve për shkelje ligjore

Kryeshefi Ekzekutiv i AMMK-së, Ilir Morina ka thënë për KALLXO.com se e ka anuluar këtë procedurë të rektrutimit për shkak se nuk janë respektuar ligjet në fuqi gjatë procedurës së rekrutimit të Egzona Shalës.

Por para anulimit të kësaj procedure të rekrutimit, më 12 shkurt 2021, Ilir Morina i ishte drejtuar Divizionit për Burime Njerëzore nga të cilët ka kërkuar që të verifikohet procesi i aplikimit, intervistimit dhe ftesës për punë të kandidates, Egzona Shala.

“Të verifikoni tërë procesin e aplikimit, intervistimit dhe ftesës në punë për kandidaten në fjalë. Të verifikoni dhe sqaroni shkeljet e mundshme nëse ka. Të sqaroni për KE se a ka konflikt interesi. Të më udhëzoni për hapat e mëtutjeshëm për marrje masash apo për miratim të procesit. Asistent NFP do punojë në rolin e zyrtarit publik sipas Ligjit për Shërbim Civil dhe a do të paguhet nga paratë që do të derdhen në konton e MEA nga EEA. A është në rregull kjo procedurë apo duhet të jetë ndryshe”, thuhet në kërkesën e Morinës.

Rreth një muaj më vonë, Divizioni i Burimeve Njerëzore i është përgjigjur kërkesës së kryeshefit ekzekutiv, Ilir Morina.

Sipas tyre, procesi i rekrutimit të Egzona Shalës nuk ka kaluar përmes Divizionit të Burimeve Njerëzore të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit. Ndërsa për shkeljet e tjera të mundshme ligjore, ata kanë thënë se nuk kanë kompetencë.

“Në rast se ju keni dyshime, ju sugjerojmë të adresoheni te Zyra e Auditimit të Brendshmëm apo instancat tjera relevante. Për sqarimet për konflikt të mundshëm interesi ju sugjerojmë të drejtoheni te personi përgjegjës i përcaktuar në bazë të ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik apo drejtpërdrejtë në AKK”, thuhet në përgjigjen e Divizionit të Burimeve Njerëzore.

Ky Divizion e ka informuar kryeshefin Ilir Morina se nga 13 korriku 2020 ka hyrë në fuqi Ligji për zyrtarët publik, përmes të cilit rregullohet marrëdhënia juridike në mes shtetit dhe zyrtarëve publik.

Kryeshefi Ekzekutiv i AMMK-së, Ilir Morina ka thënë se gjatë rekrutimit të Egzona Shalës nuk është marrë fare në konsideratë Ligji për Zyrtarë Publik.

“Për këtë arsye procedurat e pranimit dhe lidhjes së kontratës duhet të jenë komfor Ligjit për Zyrtarë Publik dhe rregulloreve në fuqi. Me datë 12 mars 2021 kam pranuar përgjigjen se bazuar në Ligjin e punës, neni 8 – konkursi publik, Ligji për Zyrtaret Publik, paragrafi 2 i nenit 2, paragrafi 4 dhe 6; neni 64 – Regjimi juridik i punësimit për nëpunësin e Shërbimit Publik, Neni 65 – punëdhënësi dhe përfaqësuesi i tij, neni 79 – Nëpunësit administrativ dhe mbështetës, Neni 80 – konkurrimi, asnjë prej tyre nuk janë implementuar as që janë marrë parasysh”, theksohet në përgjigjen e Ilir Morinës për KALLXO.com.

Në vendimin për anulim të procedurës së rekrutimit të Egzona Shalës, Ilir Morina ka kërkuar përgatitjen e procedurave të reja për rekrutimin e asistentes së NFP-së bazuar në legjislacionin në fuqi.

“Kam kërkuar përgatitje të procedurave të reja sipas legjislacionit në fuqi dhe kam obliguar NFP z. Berisha që në koordinim me DBNJ-në dhe sektorëve të tjerë të përgatis procedurat për rekrutim të Asistent NFP për Kosovë. Kam kërkuar nga NFP që t’i njoftojë kandidatët që kanë qenë në intervista dhe t’i inkurajojë që të aplikojnë me rastin e hapjes së konkursit”, theksohet në përgjigjen e Morinës.

NFP në Komision disiplinor për shkak të procedurave të rekrutimit

Për shkak të procedurave të rekrutimit të zhvilluara për përzgjedhjen e Egzona Shalës, NFP për Kosovë, Afrim Berisha është dërguar në komision disiplinor.

“Për shkak të rekrutimit pa procedura dhe pa konsultim me DBNJ-në e ministrisë, më ka obliguar që ta dërgojë në komision disiplinor, komision i cili është themeluar tek para dy dite dhe kam kërkuar që ta shqyrtojë lëndën dhe të marr masa ose nëse ka pasur të drejtë, të na japë rrugë për këtë çështje”, ka thënë Morina për KALLXO.com.

Duke pritur përgjigje nga ky komision ose nga Inspektorati i Punës apo KPMSHCK, ata ende nuk e kanë hapur konkursin për këtë pozitë. 

Por, koordinatori për Kosovë (NFP), Afrim Berisha ka thënë se ai ka ndjekur udhëzimet, këshillat dhe procedurat e rekomanduara nga zyrtarët përkatës të Agjencisë se Mjedisit të Evropës dhe praktikat e mëhershme që janë zbatuar për procesin e rekrutimit për pozitën e asistentes së NFP-së. 

Ai ka shtuar se në asnjë nga këto procedura, praktika dhe udhëzime nuk është kërkuar zbatimi i Ligjit për Zyrtarë Publik, meqenëse pozita në fjalë nuk është pozitë e zyrtarit publik, por pozitë e bazuar në një marrëveshje dypalëshe mbi një projekt të caktuar.

“Pas marrjes së njoftimit nga ana Agjencisë së Mjedisit të Evropës, nga AMMK është kërkuar konfirmimi i këtyre ndryshimeve. Pas konsultimeve paraprake me u.d. të kryeshefit të AMMK-së, z. Mentor Sylmeta, unë në cilësinë e koordinatorit (NFP) kam konfirmuar se AMMK pajtohet për angazhimin e znj. Egzona Shala në pozitën e asistentes se NFP dhe po ashtu jemi dakorduar për periudhën e fillimit të ushtrimit të detyrës”, ka thënë Berisha.

Por kryeshefi ekzekutiv i AMMK-së, Ilir Morina ka thënë se përzgjedhja e personave që kanë mbajtur më herët pozitën e asistentes së NFP-së është bërë në bazë të ligjit dhe rregullave në fuqi.

“Sa i përket znj. Andina dhe me herët Iliriana dhe Arlinda janë përzgjedhur së bashku me personelin e ministrisë sipas rregulloreve të kohës dhe Ligjit për shërbyes civil. Flasim për dokumente të vitit 2008 deri 2012. Kurse siç e kam cekur në vitin 2016, 2017 dhe me radhe na është dhënë obligim nga Zyra Kombëtare e Auditorit  të RK dhe nga auditori i brendshëm me dokumente të ndara që të veprojmë me konkurs të hapur, duke krijuar barazi, transparencë dhe konkurrencë”, ka thënë Morina.

Morina ka theksuar se ai nuk ka pranuar të nënshkruaj diçka të jashtëligjshme.

“Unë jam marr me ligjin dhe zbatimin e ligjit dhe nuk kam pranuar të nënshkruaj diçka jashtëligjore, gjithashtu Divizioni i Burimeve Njerëzore nuk më ka përgatitur kontrata pa qenë të kaluara procedurat ligjore. Asgjë tjetër këtu nuk ka ndodhur”, ka përfunduar Morina.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.