Praktikantët - të Shfrytëzuar dhe të Pambrojtur

Derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës po mundohen të mposhtin papunësinë që ishte pasojë e krizës ekonomike të viteve të fundit, një hulumtim mbi çështjen e pagesave të praktikantëve në vende të ndryshme të punës nga ProPublica zbulon shkelje të kompanive dhe vakum në legjislacion. 

Hulumtimi është i pazakontë për nga tema, sepse merret me një kategori që nuk konsiderohet e punësuar dhe për shkak se SHBA tradicionalisht ndërhyn më pak se shtetet perëndimore europiane në treg, si dhe i pazakontë për nga teknika pasi hulumtimi botohet në vazhdimësi me artikuj që trajtojnë një aspekt të problemit dhe mbetet i hapur pasi thërret edhe më tej praktikantët të tregojnë rrëfimet e tyre. 

Mbi gjysma e të diplomuarve amerikanë thuhet se kanë kryer të paktën një praktikë në kompani të ndryshme, por, sipas hulumtimit, jo gjithmonë punëdhënësit kanë zbatuar ligjin kur bëhet fjalë për pagesat ofruar praktikantëve.

“Mund të themi se shumica e punëdhënësve në sektorin privat që punësojnë vullnetarë janë duke shkelur ligjin. David Yamada

Atyre që kanë mbaruar studimet dhe i rreken tregut të punës, ndërkaq, u kërkohet përvoja si praktikantë në të paktën një organizatë ose kompani para punësimit të tyre përfundimtar.

Në 15 shkrimet e publikuara deri më tani, ProPublica sjellë detaje për kornizën ligjore rreth pagesës së praktikantëve, ndikimin e mospagesës së tyre në treg dhe rastet specifike të vendosura para gjykatave të vendit.

Si rregullohet angazhimi i praktikantëve?

Sipas Departamentit Amerikan të Punës duhet të përmbushen disa kritere që firma të veprojë në përputhje me ligjin edhe kur nuk paguan praktikantin e saj.

Praktika, sipas ligjit, duhet t’i ngjajë një trajnimi që do të kryhej në një ambient edukativ. Ajo duhet të jetë në të mirë të praktikantit, i cili nuk duhet të zëvendësojë punëtorët që paguhen. 

Punëdhënësi, siç e përcakton ligji, nuk duhet të përfitojë nga puna të cilën e kryen praktikanti, ndërsa këtij të fundit nuk lejohet t’i premtohet punësimi në fund të praktikës. 

Tek pagesat që duhet bërë praktikantëve, megjithatë, ekziston dallim kur bëhet fjalë për llojin e kompanive. Përderisa kompanitë fitimprurëse duhet të paguajnë praktikantët, këta të fundit nuk duhet të presin ndonjë pagë nga organizatat jo-profitabile apo bamirëse.

“Mund të themi se shumica e punëdhënësve në sektorin privat që punësojnë vullnetarë janë duke shkelur ligjin”, citon ProPublica profesorin e së drejtës në Universitetin Suffolk të Bostonit, David Yamada.

“Hezitimi i praktikantëve të mospaguar është edhe më i madh kur bëhet fjalë për inicimin e një rasti tek gjykatat përkatëse.

Një formë e përdorur nga shumë kompani si arsyetim për mospagimin e praktikantëve janë kreditë universitare që përfitojnë studentët pas kryerjes së praktikës. Edhe kjo konsiderohet në mospërputhje me ligin.

Por, pavarësisht ekzistimit të kornizës ligjore që rregullon çështjen e pagesave për praktikantët, shumica e tyre hezitojnë të raportojnë rastet kur u janë shkelur të drejtat tek Departamenti Amerikan i Punës, të cilit i janë drejtuar vetëm disa ankesa përgjatë vitit të kaluar.

Hezitimi i praktikantëve të mospaguar është edhe më i madh kur bëhet fjalë për inicimin e një rasti tek gjykatat përkatëse.

Rastet para gjykatave

“Kur praktikantët iniciojnë një rast [para gjykatës] ai zakonisht zgjidhet jashtë gjykatës”, thotë avokati për çështje të punësimit, Michael Tracy, për të shtuar se praktikantët zakonisht ankohen se “nuk janë paguar në kohën kur kanë pritur dhe me shumën që kanë pritur”.

“I paguajnë një ose dy praktikantë që ankohen, ndërsa i mbajnë 20 apo 30 të tjerë që nuk paguhen. Ky është një model i mirë i biznesit”, thotë ai.

Por në fillim të qershorit 2013 një gjykatë mori një vendim të rëndësishëm rreth mungesës së ligjshmërisë në një rast të mospagimit të praktikantëve.

Gjykatësi William H. Pauley III vendosi që Fox Searchlight Pictures ka shkelur Ligjin Amerikan dhe atë të New York-ut për Pagat Minimale duke mos paguar dy producentë praktikantë për punën e bërë në skenë gjatë xhirimeve të filmit “Black Swan”.

Pauley vendosi se praktikantët, në esencë, kishin kryer punën e punëtorëve që paguhen duke organizuar skedarët, duke bërë fotokopje të dokumenteve të ndryshme, duke marrë urdhra për përgatitjen e drekës, duke u përgjigjur në telefonata, ndërsa kanë përfituar pak në aspektin arsimor nga këto veprime.

“Kur praktikantët iniciojnë një rast ai zakonisht zgjidhet jashtë gjykatës. Michael Tracy

“Shpresoj se ky [vendim] do të shokojë punëdhënësit që mendojnë se ‘nëse e quaj dikë praktikanët, nuk duhet ta paguajë atë”, i tha ProPublicas njëri nga akuzuesit, Eric Glatt.

Pavarësisht kundërshtimit të vendimit nga pala e akuzuar, gjykatësi Pauley urdhëroi që vendimi në këtë rast të marrë statusin e padisë kolektive duke u mundësuar të gjithë praktikantëve që nuk janë paguar nga kompania Fox Searchlight Pictures të kërkojnë pagat e tyre.

Që kur se u mor vendimi në favor të palës akuzuese në këtë rast, në Shtetet e Bashkuara janë iniciuar edhe raste tjera që vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e mospagesës së praktikantëve.

Rastet përfshijnë kompanitë si Condé Nast, Warner Music dhe Gawker Media.

ProPublica ofron një pasqyre të 21 rasteve për të cilat janë iniciuar procedurat para gjykatave. Prej tyre, 15 raste janë ende në proces, ndërsa tri raste janë zgjidhur. 

Derisa tek rasti Fox Searchlight Picturës fituese doli pala akuzuese, në janar të këtij viti në një rast që tre praktikantë iniciuan kundër kompanive Code Blue Billing & Coding, Inc., Magnetic Medical Management, Inc. dhe East Florida Eye Institute P.A., gjykata vendosi në favor të kompanive. 

Ndikimet e mospagesave ndaj praktikantëve

“Praktikantët e mospaguar nuk privohen vetëm nga pagat dhe përfitimet e tjera të punës, por mund ta gjejnë vetën një ‘qark vicioz ligjor’ kur bëhet fjalë për të drejtat civile”, vlerëson profesori David Yamada.

Në vitin 1994, Bridget O’Connor nisi praktikën e saj në Qendrën Psikiatrike Rockland, ku njëri nga mjekët dyshohet ta ketë sugjeruar atë të marrë pjesë në një orgji dhe të zhvishet tërësisht para takimeve me të. Femra të tjera në zyrën në fjalë kanë bërë akuza të ngjashme. 

Por, kur O’Connor bëri padinë, akuzat e saj për ngacmim seksual u hodhën poshtë meqë ajo nuk paguhej si praktikante. Një gjykatë federale e apelit vërtetoi vendimin e shkallës së parë për të hedhur poshtë padinë.

Vendimi në rastin O’Connor, sipas Yamadas, është marrë meqë praktikantët që nuk paguhen nuk janë “punonjës” sipas Aktit për të Drejtat Civile dhe se, rrjedhimisht, nuk janë të mbrojtur nga ai.

Aranzhimet aktuale ndërmjet punëdhënësve dhe praktikantëve të mospaguar, sipas hulumtimit të ProPublicas, nuk janë as të drejta e as të qëndrueshme.

“Praktikantët e mospaguar nuk privohen vetëm nga pagat dhe përfitimet e tjera të punës, por mund ta gjejnë vetën një ‘qark vicioz ligjor’ kur bëhet fjalë për të drejtat civile. David Yamada.

Angazhimi që organizatat u bëjnë praktikantëve “fillestarë” ose “vullnetarë” duke i obliguar me punë të punëtorëve të zakonshëm pa i paguar, nënvlerëson një pjesë të gjerë të popullatës amerikane – kryesisht të rinjtë.

Në këtë kuptim, punëdhënësit që në mënyrë aktive rekrutojnë dhe përdorin me rotacion talentët e rinj pa i paguar ata, shkelin një sektor kritik të industrive të tyre.

Të punosh si praktikant i papaguar mbetet një vendim individual, por kompleksiteti për të marrë këtë vendim vihet në pah nëse merret parasysh rënia ekonomike, pagesat studentore dhe realiteti financiar i të diplomuarve që kërkojnë punë, thotë ProPublica. 

Foto: Nga Traileri i filmit Black Swan

Shënim: Artikulli bazohet në një hulumtim të mediumit amerikan ProPublica.org që përbëhet prej një serie shkrimesh dhe është në vazhdim.

Linku i artikullit më të fundit: http://www.propublica.org/article/how-unpaid-interns-arent-protected-against-sexual-harassment