Postimi i Nikoliqit për Serbinë Ishull Nxit ‘Stuhi’ në Twitter

Një nga togfjalëshat më të popullarizuar për përdoruesit serb të Twitter-it, dy ditëve të fundit është “Nëse Serbia do të ishte një ishull”.

Kjo ndodhi pasi Presidenti serb Tomislav Nikoliq kishte postuar një “cicërimë” gjatë një vizite në Kinë duke deklaruar se, “Nëse imagjinojmë Europën si oqean, atëherë Serbia është një ishull nga i cili Kina mund të furnizojë tërë oqeanin europian me prodhimet e veta”.

Postimi i çuditshëm i Nikoliqit provoki më shumë se 1500 përdorues të Twitterit të postojnë formulimet e tyre ironike, të gjitha duke filluar me fjalët: “Nëse Serbia të ishte ishull”.

Një përdorues kishte postuar këtë formulim komik: “Nëse se Serbia do të ishte një ishull, deputetët në parlament do të hidhnin sandale mbi njëri-tjetrin”.

Të tjerët shkruanin se nëse Serbia do të ishte një ishull, “do të quhej Atlantis “, ose se qeveria do të  “rikonstruktonte plazhin gjatë gjithë verës”, duke aluduar në faktin se Serbia po kalon nëpër një riorganizim të gjatë të kabinetit qeveritar.

Përdoruesit e Twitterit nuk e kanë lënë pa përmendur edhe vendet tjera të rajonit, me të cilat Serbia ka marrëdhënie të ngurta.

Një përdorues shkruante se në qoftë se Serbia do të ishte një ishull, “Mali i Zi do të ishte një traget”, ndërsa një tjetër kishte postuar se “Kroacia do të ishte nën sipërfaqe”.

Dikush tjetër shkroi se “Nëse Serbia do të ishte një ishull , Kosova do të ishte Shën Stefani i saj [ishull në brigjet e Malit të Zi ]”.

Një postim kishte thënë poashtu se “nëse Serbia ishin një ishull, do të besonte se është kontinent”.