Posta Mbyll Pikën e Frekuentuar nga Studentët

Pika e njohur postare në Mensën e Studentëve ka nisur mbylljen sot në mengjes. Materialet dhe inventari janë duke u larguar nga aty.

E njohur për shkak të frekuentimit nga studentët që banojnë në konvikte, kjo pikë është mbyllur me vendim të menaxhmentit të ndërmarrjes publike “Posta e Kosovës”.

Menaxhmenti për mbylljën e saj ka si arsyetim mungesën e afarizmit.

“Posta e Kosovës Sh.A. ka planifikuar të mbyllë Zyrën Postare në objektin e Mensës së Studentëve për shkak të afarizmit jo të kënaqshëm në këtë Zyrë Postare, për të cilën ne paguajmë qira,” thuhet në përgjigjen e menaxhmentit të Postës dhënë  Gazetës Jeta në Kosovë.

Sipas menaxhmentit të PTK-së studentët duhet të bëjnë hall në disa pika tjera postare të cilat janë në afërsi të kampusit universitar.

Një prej tyre, sipas menaxhmentit gjendet në Rrugën “Agim Ramadani”, prapa Bibliotekës Kombëtare, një tjetër në objektin e Fakultetit Ekonomik dhe Juridik, një afër Fakultetit Teknik, ndërsa një tjetër gjendet përballë Fakultetit Filozofik.

“Të gjitha këto zyra postare ofrojnë shërbimin e pagesave për studentë si dhe të gjitha shërbimet tjera që ofrohen në Postën e Kosovës,” thuhet në përgjigjen e Postës së Kosovës.

Mirëpo përkundër që menaxhmenti thotë se janë këto katër pika ku mund të kryhen shërbime, zgjidhje tjetër janë duke bërë studentët.

Ata janë duke kryer shërbimet tek “IFJB Capital” që gjendet në afërsi të pikës ku ka qenë e vendosur deri më tash Posta e Kosovës.

Një numër i madh studentësh kryejn këto shërbime tek ky institucion financiar jobankar që është konkurrent i ndërmarrjes publike “Posta e Kosovës”.

Edhe “Capital”, edhe Posta e Kosovës ofrojnë kryerjen e shërbimeve si pagesa e semestrit, pagesat e provimeve, fletëpagesa për transkript të notave si dhe paraqitja e punimit të diplomës.