Porositë Kundërthënëse të Beogradit

Më 19 shtator 2013, u vra zyrtari lituanez i EULEX-it, Audrius Senavicius Klaipeda. Politikanët nga Serbia e dënuan vrasjen. Vrasësit i quajtën “armiq të Serbisë” dhe “njerëz që nuk duan ta shohin Serbinë duke përparuar”. Analistët nga Serbia shprehën shqetësimin se kjo vrasje do t’i vishet Serbisë, pa marrë parasysh se kush e ka kryer, dhe do t’i dëmtojë shanset që Serbia ta marrë datën për hapjen e negociatave për aderim në Bashkimin Europian gjatë takimit të Këshillit të BE-së në dhjetor 2013.

Unë i shihja këto reagime në kanalet televizive serbe, nga një hotel në Beograd, ku isha ftuar si paneliste në Belgrade Security Forum (BSF), Konferecë që u jepte mundësi politikanëve kryesorë të Serbisë ta adresonin incidentin në veri të Kosovës në prani të pjesëmarrësve nga Kosova dhe BE-ja.

Por shumica prej tyre nuk erdhën. Kryeministri serb Daçiq ishte paraparë të fliste në panelin e parë plenar mbi procesin e integrimit në BE si mjet shtetndërtues. Ai e anuloi pjesëmarrjen dhe dërgoi si zëvendësim ministrin për integrime në BE, Branko Ruzhiq. Ai erdhi, foli dhe iu desht të ikte pas pak ngaqë agjendën e kishte të ngjeshur atë ditë. Zëvendëskryeministri i parë, Aleksandër Vuçiq, ishte paraparë të fliste për çështje sigurie në panelin e dytë plenar. Ai nuk erdhi për arsye shëndetësore dhe nuk dërgoi zëvendësim. Këshilltari i Presidentit Nikoliq, Marko Gjuriq, i paraparë të fliste në një panel të mbyllur me homologun e tij nga Kosova si dhe analistë dhe politikanë të tjerë kosovarë, gjithashtu e anuloi pjesëmarrjen pa dërguar zëvendësim.

Si rezultat i kësaj vale anulimesh, pjesëmarrësit nuk arritën të dëgjojnë se çfarë në të vërtetë mendon Beogradi për eskalimin tragjik të situatës në veri të Kosovës, se çfarë efekti do të ketë kjo për implementimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, apo çfarë do të duhet të bëjë Beogradi në lidhje me të.

Pjesa më kundërshtuese e marrëveshjes për normalizim ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ka për qëllim shthurjen e strukturave paralele të kontrolluara nga Serbia në veri të Kosovës dhe hapjen e mundësisë për zgjedhjen e përfaqësuesve të rinj atje, përmes zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 3 nëntor 2013 në gjithë vendin.

Por votuesit në veri të Kosovës nuk kanë informacion të mjaftueshëm se çfarë ndryshimesh do të sjellin këto zgjedhje për ta. Beogradi është duke u dërguar porosi kundërthënëse.

Një javë para BSF-së, Council for Inclusive Governance (CIG) organizoi takimin e radhës me zytarë dhe analistë të lartë nga Serbia dhe Kosova, duke përfshirë edhe serbët nga jugu dhe veriu i Kosovës. Atje, një përfaqësuese e serbeve të veriut iu drejtua përfaqësuesve nga Beogradi: “Une jam e arsimuar dhe e mirinformuar. I shoh lajmet rregullisht. Por ja këtu, për herë të parë në këtë takim, po dëgjoj që ne do të votojmë në zgjedhje të Kosovës, do të krijojmë institucione lokale të Kosovës dhe implementojnë ligje të Kosovës…Neve na kanë thënë për 14 vjet rresht se veriu i Kosovës dë të jetë pjesë e Serbisë dhe ne nuk do të kemi nevojë të bashkëpunojmë me Prishtinën apo të përdorim dokumente ku shkruan ‘Republika e Kosovës’ – a do të ndryshojë e gjithë kjo tani?”.

Ky nuk ishte shqetësimi i vetëm i shprehur atë ditë. “Çka do të bëhet me vendet tona të punës në sektorin publik?” – pyeti një përfaqësues tjetër i serbeve verior. “Janë mbi 20,000 vende të punës që sot Serbia i financon. Por prej tyre vetëm nja 6,000 mund të transferohen në sistem të Kosovës. E të tjerat? Si do t’i ushqejmë ato familje?”.

Përgjigjet nga zyrtarë të Beogradit në takim ishin kthjellëse. Ata spjeguan se Serbia është në krizë ekonomike dhe nuk ka mundësi të paguajë më për vende fiktive të punës në Kosovë. Në fakt, vendet fiktive të punës, si menaxhmenti i “Pristina Aerodrom” apo kyetari serb i komunës paralele të Prishtinës, duhet të shuheshin doemosdo, si me marrëveshjen Kosovë-Serbi, si pa të.

Kjo nuk është porosi që dëgjohet pubilikisht nga zyrtarë nga Beogradi. Gjatë kohës kur ndodhjte takimi i CIG-së në Shkup, ministri serb për “Kosovë dhe Metohi”, Aleksandar Vulin, foli para mediave në Beograd dhe tha që Serbia nuk do ta ndyshojë politikën e vet në Kosovë dhe se këto zgjedhje vetëm sa do ta përforcojnë prezencën e Serbisë këtu. “Nëse i kemi 10 kryetarë komunash nga Lista serbe që përkrahet nga Qeveria e Serbisë, ne mund të vazhdojmë të financojmë krejt çka kemi financuar deri tani dhe nuk do ta shuajmë asnjë vend pune…Kjo është arsyeja pse ne duhet të votojmë që t’i zgjedhim dhjetë kryetarë komunash të afërt me Beogradin, e jo me Prishtinën. Në këtë mënyrë, edhe me gjithë presionin nga e gjithë bota, ne do të vazhdojmë ta finansojmë jetën në Kosovë dhe Metohi dhe në mënyrë legjitime”.

Qeveria në Beograd synon t’i kontrollojë kyetarët e rinj të komunave serbe në Kosovë dhe përmes tyre të kontrollojë pjesë të Kosovës. Do që të sigurohet se politikanët luajal ndaj Qeverisë së Beogradit do t’i fitojnë zgjedhjet në Kosovë. Në të njejtën kohë, kjo Qeveri është zotuar se do ta implementojë marrëveshjen Kosovë-Serbi, që do të thotë, përveç tjerash, se Serbia duhet t’i lejojë votuesit serbë në Kosovë t’i zgjedhin lirshem përfaqësuesit e vet dhe pastaj t’i lejojnë ata përfaqësues të bashkëpunojnë me Prishtinën.

Këto janë qëllime kunderthnëse që rezultojnë në porosi kundërthënëse. Në kontekstin e veriut të Kosovës, porositë kundërthënpse janë të rrezikshme. Ekziston rreziku për incidente tjera të dhunshme më afër ditës së zgjedhjeve. Beogradi duhet ta implementojë pjesën e vet të marrëveshjes, t’i qartësojë porositë që u dërgon serbëve të Kosovës dhe të lejojë tranzicion paqësor në veriun e Kosovës.