...Por Klina Ka “Shtëpi të Bardhë”

Sokol Bashota kishte premtuar se Shtëpia e Kulturës do të përurohej që në vitin 2010, por ajo ende nuk është kryer. Ndërtimi i Stacionit të Autobusëve, i premtuar po ashtu në fushatën zgjedhore të vitit 2009,  as që ka nisur; furnizimi me ujë të pijes vazhdon të jetë problem…

Por, Komuna e Klinës mund të mburret me “Shtëpinë e Bardhë” që ia ka ndërtuar vetes. Në debatin “Jeta në Komunë”, kryetari Bashota ka përmendur si të arritura edhe 70 kilometra rrugë të asfaltuara dhe një pjesë të lumit të rregulluar.

Gjatë debatit, përfaqësues të partive opozitare dhe qytetarë të Klinës kanë kritikuar kryetarin e Komunës se Stacioni i Autobusëve, edhe pas 13 vite nga paslufta, ende nuk është funksional.

“Qytetarët e Klinës presin në verë, në shi, në borë jashtë”, tha Skender Merturi i Vetëvendosjes.

“E vërteta është që ndërtimi i stacionit i autobusëve as që po diskutohet më, është harruar nga ky pushtet”, tha Enver Berisha i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Bashota, i cili qe dy mandate është kryetar, ka fajësuar qeverisjen e mëparshme se ka ndarë hapësirë publike të pamjaftueshme në afërsi të stacionit të trenave, për rregullimin e stacionit të ri të autobusëve. Ai ka thënë se Komuna është në procedurë gjyqësore me Agjencinë Kosovare të Pronave (AKP) për një hapësirë ku mendojnë ta zgjerojnë stacionin. Ai premton se kjo punë do të kryhet gjatë këtij mandati.

Edhe për Shtëpinë e Kulturës premton se do të jetë funksionale nga viti i ardhshëm, përfshirë sallat e sporteve, një teatër dhe bibliotekën.

Nga premtimet elektorale të Bashotës, në terren janë parë të realizuara shumë pak prej tyre. Ndër më kryesoret është cilësuar objekti i ri i komunës, apo siç është quajtur “Shtëpia e Bardhë”. Edhe pse në afërsi të saj janë parë ndërtesat të ngritura deri në 9 kate, dhe përkundër faktit që me planin urbanistik të Klinës është e rregulluar që ndërtesat të jenë vetëm deri në 6 kate.

<iframe src=”http://player.vimeo.com/video/47588246?title=0&byline=0&portrait=0&color=2e5191″ width=”500″ height=”363″ frameborder=”0″ webkitAllowFullScreen mozallowfullscreen allowFullScreen></iframe> <p><a href=”http://vimeo.com/47588246″>Debate Komunale 2012: Jeta në Klinë</a> from <a href=”http://vimeo.com/jetanekosove”>Jeta ne Kosove</a> on <a href=”http://vimeo.com”>Vimeo</a>.</p>

Plani urbanistik, sipas kryetarit është duke u ndryshuar. “Ai është në procedurë”, tha Bashota. Anëtarët të Vetëvendosjes në këtë komunë kanë thënë se ky ndryshim i planit urbanistik po bëhet sipas interesave të komunarëve. “Njëherë ndërtohen objektet, pastaj merret të bëhet ndryshimi i planit urbanistik, sipas interesave të tyre”, ka thënë Skender Murturi, gjatë debatit që është transmetuar në RTK.

Kryetari Bashota është arsyetuar duke thënë se,”ndërtimi i objekteve rreth komunës është bërë në harmoni me planin dhe të gjitha ligjet e komunës së Klinës”.

Sukses tjetër të qeverisjes së tij, vetë Bashota e ka cilësuar rregullimin e shtratit të lumit të qytetit në njërën anë, përgjatë një kilometri. Tashmë, sipas tij, është shpallur kompania fituese që do të rregullojë edhe 300 metra, në anën e majtë të lumit.

Kurse, projekti më i madh në fushën e arsimit të kësaj komune, ndërtimi i Shkollës së Mesme Teknike ende nuk ka mbledhur nxënësit në objektin e ri. Për të ishin ndarë dy milionë euro. Por pas kërkesës nga ana e Ministrisë së Arsimit që shkolla të ketë edhe një sallë të sporteve, janë dashur edhe 700 mijë euro, gjë që ka ndikuar në mospërfundimin e këtij objekti, sipas shpjegimeve të kryetarit Bashota. “Me premtimin nga Ministria e Arsimit ky objekt do të jetë i shfrytëzueshëm nga viti i ardhshëm”, thotë ai.
 
Megjithëse kritikon disa nga dështimet e kryetarit të komunës, Enver Berisha nga AAK-ja hesht kur i lexohet emri në listën e përfituesve të disa banesave.

Kryetari Sokol Bashota thotë se “banesat, më herët në legjislacionin e kaluar, janë ndarë të gjitha vetëm për një subjekt të vetëm politik. Tani ato i gëzojnë të gjitha subjektet së bashku”.

Në listën e përfituesve të banesave janë Enver Berisha (AAK), Fadil Gashi (LDK), Arben Limani (LDD), Vezire Elshani (LDK), Esat Raci (PDK) dhe kryetari Sali Bashota (PDK).

Kritika të tjera të parashtruara nga opozita e kësaj komune janë shpenzimet e tepërta publike që këtë vit janë deri në 80 për qind më shumë sesa vitin e kaluar. Bashota i arsyetoi me punën më të madhe që bëhet nga ana e Komunës.