Popullsia gjermane në një nivel rekord pas ardhjes së refugjatëve ukrainas

Gjermania ka regjistruar më shumë se 84 milionë njerëz që jetojnë në vend këtë vit mes luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Luftërat në ish-Jugosllavi dhe Lindjen e Mesme shkaktuan gjithashtu rritjen e popullsisë së Gjermanisë në vitet 1992 dhe 2015.

Sipas Zyrës Federale të Statistikave Gjermane, popullsia e Gjermanisë ka arritur një rekord prej më shumë se 84 milionë banorësh këtë vit, e nxitur kryesisht nga një fluks refugjatësh ukrainas. 

Gjermania regjistroi imigrim neto prej 750,000 njerëzve nga Ukraina në gjysmën e parë të vitit 2022, sipas zyrës, përgjegjëse për mbledhjen e informacionit mbi shoqërinë gjermane, ekonominë dhe mjedisin.

“Faktori vendimtar për zhvillimin aktual është fluksi i refugjatëve nga Ukraina si rezultat i luftës ruse të agresionit”- tha zyra.

Ky fluks e shtyu rritjen e popullsisë së Gjermanisë në 1%, ose rreth 843,000 njerëz, në gjysmën e parë të vitit.

Për krahasim, popullsia gjermane u rrit me vetëm 82,000 njerëz, ose 0.1%, gjatë gjithë vitit 2021.

Gjermania arriti kulmin e popullsisë gjatë luftërave jugosllave dhe Lindjes së Mesme

Gjermania, tani vendi më i populluar i Bashkimit Evropian, ka parë rritje në një shkallë të krahasueshme me këtë vit vetëm tri herë më parë që nga viti 1990.

Rritja e popullsisë në secilën prej periudhave ishte e lidhur me një valë refugjatësh.

Në vitin 1992, refugjatët nga lufta në ish-Jugosllavi ndihmuan në shtimin e popullsisë me 700,000 dhe, në vitin 2015, Gjermania u bë shtëpia e më shumë se 1 milionë refugjatëve nga luftërat në Lindjen e Mesme.

Sipas Entit të Statistikave, popullsia femërore e Gjermanisë u rrit me 1.2%, dukshëm më shumë se ajo e meshkujve, e cila u rrit me 0.8%.

Kjo do të thotë se më shumë gra dhe fëmijë ikën nga lufta në Ukrainë, pasi burrat që mund të luftonin nuk lejoheshin të largoheshin nga vendi.

Edhe para një fluksi refugjatësh, Gjermania u bë një nga destinacionet më tërheqëse për migrantët, ndërkohë që kërkesa për fuqi punëtore u rrit.

Si një nga vendet më të pasura të BE-së, Gjermania ka një nga normat më të ulëta të lindshmërisë në botë dhe numrin më të ulët të të rinjve që jetojnë në Gjermani./Deutsche Welle

Përgatiti: Nuhi Shala