Politizohet bordi i ndërmarrjes së Gjakovës

Komuna e Gjakovës, e udhëhequr nga Ardian Gjini, e ka politizuar bordin e Kompanisë Rajonale “Çabrati”. Bordi i “Çabratit”, që është ndërmarrje publike lokale e Komunës së Gjakovës që merret me grumbullimin dhe menaxhimin e mbeturinave dhe mirëmbajtjes së rrugëve edhe kompletuar me datën 8 janar. Në bord janë emëruar: Kushtrim Brahimaj, Ardiana Çela Baraku, Jeton Dalladaku dhe Gazmend Hoti.

Kushtrim Brahimaj, ishte kandidati me më së shumti pikë të fituara në konkursin e komunës për anëtar të bordit, me 191 të tilla. KALLXO.com ka gjetur se Brahimaj ishte sekretar i degës së AAK-së në Gjakovë dhe ishte dorëhequr nga kjo pozitë vetëm një vit më herët.

Brahimaj, në profilin e tij në ‘Facebook’ ka foto të publikuara në zgjedhjet e brendshme të AAK-së, por edhe me figura të larta të kësaj partie, sic është Daut Haradinajn.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Brahimaj ka thënë se nuk është pjesë e AAK-së, por ka thënë se ka lidhje familjare me Daut Haradinajn.

“Jo nuk jam anëtar i AAK-së, vetëm votues. Dautin e kam nip nuk besoj që është e ndaluar. Unë kam shumë miq në Aleancë, edhe në parti të tjera dhe absolutisht jo”, ka thënë Brahimaj në përgjigjen e tij përmes telefonit.

Për më tepër, Brahimaj shihet në disa fotografi ku ka marrë pjesë në zgjedhjet e brendshme të AAK-së, dega në Gjakovë, por ai thotë se ishte pjesëmarrës pa ndonjë pozitë në ato takime.

“Kam qenë pa ndonjë cilësi, unë të tregova një fshehtësi, vota është e fshehtë por ta tregova. Unë jam përkrahës i Aleancës, por nuk kam ndonjë pozicion. Dhe si i tillë kur nuk ke pozicione politike në parti, nuk ke kufizime në shërbimin civil. Absolutisht po nuk e fshehi, jam votues i Aleancës”, ka deklaruar Brahimaj.

Por, është kryetari i Komunës së Gjakovës dhe njëkohësisht i dëgës së AAK-së në këtë KOmunë, Ardian Gjini që e konfirmon lidhjen e Brahimajt me partinë e tij.

Sipas tij, Brahimaj ka qenë sekretar i degës së AAK në Gjakovë fillimisht, e më pas nënkryetar i degës. Sipas Gjinit, Kushtrim Brahimaj ka dhënë dorëheqje para një viti e gjysmë nga këto pozita në parti.

“Bordi i ri është zgjedhur plotësisht me meritë. Pjesën më të madhe as nuk i kam njohur. Bordi i ri del me raport për punën e deritashme të KRM ‘Çabrati’”, ka thënë Gjini në përgjigjen e tij.

E Ligji për Ndërmarrje Publike thotë se një i emëruar i bordit nuk duhet të ushtrojë ndonjë funksion në ndonjë parti politike, të paktën në 36 muajt e fundit para aplikimit.

“Një person ka të drejtë të shërbejë si drejtor vetëm nëse i plotëson të gjitha kushtet më poshtë: është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në nenin 17, paragrafi (k) të Ligjit për Ndërmarrje Publike në Kosovë.

Drejtor i bordit në këtë ndërmarrje është zgjedhur edhe Gazmend Hoti. Hoti në profilin e tij në “Facebook” ka bërë fushatë për të votuar Nismën Socialdemokrate. Ai thotë se nuk është ndihmuar nga partia që të zgjedhet në këtë pozitë.

“Jo ka qenë procedurë e rregullt, unë kam aplikuar dhe jam pranu, i kam plotësuar kriteret. Nuk ka pasë kurgjo”, ka thënë Hoti shkurtimisht përmes telefonit.

Në njoftimin e Komunës së Gjakovës për listën e ngushtë të kandidatëve, thuhet se 5 kandidatë janë eliminuar dhe 4 prej tyre nuk kishin përvojë në menaxhim.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Komunën e Gjakovës, për të kuptuar përvojën në menaxhim dhe përgatitjen profesionale të anëtarëve të zgjedhur, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Komuna nuk ka kthyer përgjigje.

Akuza ndaj Ardian Gjinit për politizim të bordit

Një nga vendimet e para që ka marrë bordi me përbërjen e re është shkarkimi i kryeshefit, Berat Hadri. Ai është shkarkuar nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes ‘Çabrati’ më datë 22 janar të këtij viti.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Hadri hedh akuza ndaj kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjinit, për politizim të bordit. Sipas Hadrit, arsyeja e shkarkimit të tij është tërësisht politike.

“Çështja e shkarkimit është çështje politike që është bo shkarkimi edhe mos qasja e interferencave dhe plotësimi i apetiteve të komunës ndaj ndërmarrjes. Shkarkimi është puro politik, për shkak se bordin e kaluar që e kanë shkarku edhe atë paligjshëm, e ka shkarkuar kryetari i komunës, pasi ata nuk kanë pranuar me e shkarku kryeshefin ekzekutiv. E ka shkarku atë bord, që me e emëru një bord tjetër, që e ka qysh ai don edhe e interferon”, ka deklaruar Hadri.

Sipas tij, ai e ka lënë ndërmarrjen me mbi 70 mijë euro plus dhe me një stabilitet financiar, që sipas Hadrit, është hera e parë në 20 vjet që ndërmarrja ka dalur plus.

E në anën tjetër, kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini i ka mohuar akuzat e Hadrit, duke thënë se ato janë të pavërteta.