Politika e Lëshimeve të Mëdha

Në vitin 2009, Komisioni Europian mori vendimin që qytetarëve të Serbisë t’u mundësohet udhëtimi pa viza për në shtetet e BE’së. Në të njëjtën kohë i njëjti vendosi që Kosovën ta ndajë nga Serbia dhe ta fus në listën e zezë të Shengenit, që do të thotë se për kosovarët do të mbetet i aplikueshëm regjimi i vizave për në BE. Por, Serbia e sheh Kosovën si zgjatim të shtetit të vet dhe ende lëshon pasaporta për kosovarë. A do të thotë kjo se kosovarët që udhëtojnë me pasaporta të Serbisë do të mund të shkojnë në BE pa viza? Jo.

Komisioni Europian e kishte menduar edhe këtë: në mënyrë që të dallohen kosovarët nga qytetarët e Serbisë, ai kërkoi nga Beogradi që t’u lëshojë pasaportat kosovarëve nga një organ tjetër (Koordinaciona Uprava za Kosovo i Metohiju). Për këta pasaporta nuk do të vlejë aplikimi i liberalizimit të vizave. Në këtë mënyrë të gjithë kosovarëve, pa dallim përkatësie etnike, gjinie ose dokumenti të udhëtimit, do t’u ndalohet hyrja pa viza për në BE. Ndërsa Serbisë jo vetëm që ju mundësua udhëtimi pa viza, por ju lejua vazhdimi i trajtimit të qytetarëve të Kosovës si qytetarë të Serbisë. Dy me zero për Serbinë.

Në ndërkohë, Komisioni Europian në vitin 2009 paraqiti një propozim për fillimin e një ‘dialogu për vizat me perspektivë të liberalizimit të vizave’ për Kosovën. Ky dialog do të përcillet me një strategji (jo udhërrëfyes, si është quajtur dokumenti përcjellës për vendet e tjera të Ballkanit perëndimor) me kushte teknike që do të duhet të plotësohen në mënyrë që Kosova të fitojë liberalizimin e vizave.

Por, për Kosovën është vendosur edhe një sfidë, një parakusht shtesë për nisjen e dialogut, që nuk ka qenë aty për vendet tjera të Ballkanit: Kosova duhet ta themelojë një sistem të mirëfilltë të riintegrimit të personave të riatdhesuar, sistem të cilin Shqipëria as sot nuk e ka, edhe pse ka kohë që e ka fituar liberalizimin e vizave. Kosova pra është duke u veçuar nga vendet tjera të Ballkanit edhe në procesin që mund ta shpie drejt liberalizimit të vizave.

Pasi që të nisë dialogu dhe Kosovës t’i jepet strategjia për liberalizimin e vizave, qeveria do të ketë punë edhe disa vite për plotësimin e kushteve në të. Vendeve të ndryshme të Ballkanit ju kanë nevojitur prej 18 deri në 30 muaj t’i plotësojnë kushtet teknike për liberalizimin e vizave. Mendoj që Kosovës do t’i duhen mbi 36 muaj, duke marrë parasysh shpejtësinë me të cilën progresi arrihet këtu.

Pjesa kryesore e liberalizimit të vizave është në të vërtetë teknike. Por, nisma e saj, vendimi për nisjen e dialogut në mes të BE’së dhe vendit që kërkon liberalizimin e vizave ka qenë gjithmonë ngjarje politike. Shpallja e pavarësisë së Kosovës kishte shërbyer si katalizator për t’i ofruar Serbisë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, në mënyrë që ata mos të ndihen si humbës total. E kur ky iu dha Serbisë, ishte e pamundur t’ju refuzohet vendeve tjera që kishin nisë procesin në të njëjtën kohë me të. 

BE’ja po kërkon një moment të tillë politik për ta nisur dialogun për viza me Kosovën. Një moment kur Kosova do të ndihet si humbëse e madhe në mënyrë që prezantimi i nisjes së dialogut të shihet si lloj dhurate për Kosovën. Dhe duke e kërkuar këtë moment, BE’ja vendosë kushte e parakushte që e zvarrisin procesin tutje. 

Javën e shkuar, komisionerja europiane për punë të brendshme, z.Malmstrom, tha në Shkup se Kosova ka përparuar në plotësimin e parakushtit për nisjen e dialogut. Kjo u përkthye nga qeveritarët si dritë e gjelbër për nisjen e dialogut së shpejti. Fjali të tilla kosovarët kanë dëgjuar çdo 2-3 muaj për dy vjet rresht dhe ato kurrë nuk u shndërruan në asgjë tjetër pos fjalëve boshe. Në janar të vitit 2010, zyrtarë nga Ministria e Punëve të brendshme që sapo ishin kthyer nga Brukseli u cituan në disa të përditshme kosovare të kenë thënë se dialogu për vizat veç sa s’ka filluar.

Në verë, pas një vizite nga drejtori për Ballkan Pier Mirrel, qeveritarët dolën disa herë në media të na njoftojnë se dialogu për viza do të nisë në shtator 2010, më së largu. Pasi u publikua raporti i progresit 2010, qeveritarët na thanë se dialogu për viza do të niste definitivisht në dhjetor 2010. Këtë informatë e kishin të sigurt nga Brukseli. Por, dialogu nuk nisi as në pranverë të 2010’ës, as në vjeshtë të 2010’ës, as në dimër të 2010-ës. Paralajmërimi se do të nisë në dimër të 2011, duhet marrë prapë me skepticizëm.

Fjalët e zyrtarëve europianë janë të besueshme dhe mund të shndërrohen në politika vetëm kur ato të shkruhen në letër dhe të botohen në ëeb-faqet zyrtare si vendime të BE’së. Pra, ka dy probleme në këtë rrafsh: që BE’ja jozyrtarisht i jep premtime të rrejshme qeverisë së Kosovës dhe që kjo e fundit i merr ato si të kryera, pa ndonjë analizim, dhe na i kumton neve. 

Janë dy mësime kryesore që mund të nxirren nga ky tregim. I pari vlen për neve qytetarëve: qeveria e Kosovës nuk e ka as idenë më të vogël se si funksionon BE’ja dhe cilat premtime janë të besueshme e cilat jo. Kur na i shet qeveria neve disa nga këto premtime si akte të kryera, ne duhet t’i marrim ato me shumë rezerva. Mësimi i dytë është për qeverinë e Kosovës: ajo duhet të mësohet t’i artikulojë më mirë dhe më zëshëm kërkesat e veta drejt Brukselit. Përndryshe Kosova nuk do të fitojë kurrë asgjë nga asnjëra nga proceset në të cilat është e involvuar. 

Qeveria e Kosovës duhet t’i shikojë pak strategjinë e Qeverisë së Serbisë në relacion me Brukselin dhe të mësojë prej saj. Serbia është treguar e aftë në vjeljen e përfitimeve të mëdha duke bërë kompromise të vogla. Me shumë zhurmë për secilën kërkesë të tyre, serbët arritën ta realizojnë të pa-arritshmen: edhe liberalizimin e vizave edhe vazhdimin e trajtimit të Kosovës në  sy të BE’së si pjese të vetën. 

Qeveria e tashme e Kosovës është e aftë  ndërkaq në bërjen e kompromiseve të mëdha për vjeljen e përfitimeve shumë të vogla. Kosovarët as nuk po e gëzojnë liberalizimin e vizave për Serbinë përmes pasaportave serbe e as nuk po e fitojnë procesin e vet që do t’ua mundësonte lëvizjen e lirë në shtetet e BE’së.