Policia turke gris afishet e partisë opozitare që vënë në pikëpyetje rezervat e Bankës Qëndrore Turke

Policia turke vendosi vinça, njësi policore anti-trazira dhe topa uji për t’i grisur afishet e vendosur nga opozita përmes të cilëve kërkohej të dihej se çfarë kishte ndodhur me rezervat e bankës qendrore të vendit – të çuara dëm në një përpjekje të dështuar për të ngadalësuar rënien e monedhës kombëtare turke.

Të mërkurën, qindra policë të njësisë anti-trazira, duke përdorur topa uji dhe vinça të u futën në ndërtesat e Partisë Popullore Republikane, CHP (Cumhuriyet Halk Partisi), partia kryesore opozitare, dhe i larguan afishet dhe pankartat përmes të cilëve shtrohej pyetja: “Ku janë 128 miliardë dollarë?”

CHP ka organizuar një fushatë në lidhje me fatin e rezervave të Bankës Qendrore Turke në mediat sociale dhe më vonë ka vendosur pankarta nëpër ndërtesat dhe billbordet e saj.

“E kuptojmë pse janë nevojtur vinçat, por pse nevojiteshin topat e ujit dhe njësitë policore anti-trazira? Mos kini frikë nga CHP; kini frikë nga punët e paligjshme dhe krimet që bëni”, shkroi Canan Kaftancıoglu, udhëheqësi i CHP në Stamboll, përmes llogarisë së tij në Twitter të mërkurën në mëngjes.

Lideri i CHP, Kemal Kilicdaroglu, gjithashtu kritikoi ndërhyrjen e policisë.

“Në mes të natës … ju [Presidenti Rexhep Tajip Erdogan] dërguat forca speciale të policisë në degët tona të partisë. Arsyeja ishte të grisnit afishet ‘Ku janë 128 miliardë dollarë’! Ne po pyesim për paratë e të varfërve, atyre në nevojë dhe jetimëve”, shkroi Kilicdaroglu në Twitter.

Zyra e prokurorëve në Stamboll urdhëroi policinë për të vepruar për shkak se thuhej se afishet ishin fyese ndaj Presidentit Erdogan.

Gjatë kohës kur ministria e financave udhëhiqej nga dhëndri i Erdoganit, Berat Albayrak, banka përdori 128 miliardë dollarë amerikanë, pothuajse të gjitha rezervat e saj, për të ndaluar rënien e vlerës së lirës (monedha turke), mirëpo ky veprim kishte qenë i pasuksesshëm.

Më 9 korrik të vitit 2018, kur Albayrak u bë ministër i Financave, një dollar amerikan ishte ekuivalent me 4.55 lira turke. Sot, ndërkohë, një dollar është ekuivalent me mbi 8 lira turke

Sipas ekonomistëve, rezervat e Bankës Qendrore të Turqisë janë tani – 43.2 miliardë dollarë amerikanë.

Qeveria pretendon se rezervat e bankës ende janë në 95.3 miliardë dollarë amerikanë, për të cilat ekonomistët dhe institucionet financiare ndërkombëtare kanë dyshimet e tyre.

Goldman Sachs bëri të ditur në muajin nëntor se Banka Qendrore shpenzoi më shumë se 100 miliardë dollarë amerikanë të rezervave të saj për të ndaluar rënien e lirës turke në 10 muajt e parë të vitit 2020.

Pas zhvlerësimit të pandalshëm të lirës turke dhe mosmarrëveshjeve në aspektin e politikave me Presidentin Erdogan, katër guvernatorë të rinj të bankës qendrore janë emëruar në 20 muajt e fundit.

Guvernatori i fundit, Naci Agbal, u emërua nga Erdogan vitin e kaluar mes shpresave të mëdha pasi dhëndri i tij u largua nga posti i tij ministror.

Sidoqoftë, megjithëse lira turke filloi të fitonte vlerë ndaj dollarit, guvernatori i ri i bankës u shkarkua shpejt, më 20 mars. Në një ditë të vetme, lira turke humbi më shumë se 15 për qind të vlerës së saj.

Albayrak, i cili gjerësisht konsiderohet si personi më përgjegjës për keqmenaxhimin e rezervave të huaja të Turqisë dhe për krizën më të madhe ekonomike të Turqisë, tani është i padukshëm dhe nuk është fotografuar që nga dorëheqja e tij.

 

Përkthyer nga: Nuhi Shala