Njësia Speciale e Policisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Policia obligohet t’ia pranoj jelekët antiplumb kompanisë që ia shkëputi kontratën në vitin 2019

Në qershor të këtij viti Policisë së Kosovës i është refuzuar një ankesë nga ana e Gjykatës së Apelit në lidhje me vendimin e datës 27 korrik të vitit të kaluar të Gjykatës Themelore në Prishtinë për shkëputjen e kontratës për furnizim me jelekë antiplumb me kompaninë ALL-Zone.

Njoftimi për dhënie të kontratës nga Policia e Kosovës ishte bërë më 27 korrik të vitit 2016 ndërsa më 31 mars të vitit 2017 Policia e Kosovës kishte lidhur kontratë me kompaninë “ALL Zone” për blerjen e jelekëve antiplumb për zyrtarët policor të Kosovës.

Dy vite më pas më saktësisht me datë 25 mars të vitit 2019, Policia e Kosovës kishte shkëputur kontratën me kompaninë “ALL Zone” nën arsyetimin se e njëjta kompani ka shkelur Nenin 14 pika e parë të Kushteve të Përgjithshme të Kontratës e cila thotë se “autoriteti kontraktues mund ta ndërpres kontratën për shkak të vonesës së furnizimit nëse dëmet e likuiduara, përkatësisht dënimet kontraktuese arrijnë në tavanin 10%”.

Kompania sipas një vendimi të siguruar nga KALLXO.com, e kishte informuar policinë se mund të pranoj jelekët antiplumb më datë 25 mars të vitit 2019 nga ora 13, por policia i kishte shkëputur kontratën deri sa kjo e fundit kishte afat deri më 31 korrik të vitit 2020 për t`u zbatuar.

Shkëputja e kësaj kontratë sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë është bërë në mënyrë të jashtëligjshme ndërsa pas vërtetimit të fakteve për këtë cështje, Policia e Kosovës obligohet që të pranoj të gjitha mallrat të cilat janë prodhuar në kuadër të kontratës dhe urdhërblerjes për furnizim me jelekë antiplumb.

Madje sipas vendimit të datës 27 korrik 2020 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Policia e Kosovës duhet t’ia paguaj kompensimin e përgjithshëm kompanisë ALL-Zone në shumën prej 1 milion e 628 mijë e 559 euro së bashku me kamatëvonesën sipas normës vjetore 8 përqind e cila është llogaritur nga data 11 prill 2019, gjithashtu PK duhet të paguaj shpenzimet procedurale të gjykatës në blerë prej 4 mijë e 761 euro.

Ky vendim i Gjykatës Themelore të Prishtinës është aprovuar edhe nga Gjykata e Apelit i cili mban datën 6 korrik të këtij viti.

Sipas dokumentit të siguruar nga KALLXO.com, Policia e Kosovës duhet ta zbatoj vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për shkak se Gjykata e Apelit nuk ka gjetur asnje shkelje në vendimin e shkallës së parë.

Për këtë çështje KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Policisë së Kosovës si palë e paditur në këtë kontest.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe sikurse çdo institucion tjetër është e obliguar të zbatojë të gjitha vendimet e organeve të drejtësisë (gjykatave) dhe do ta zbatojë edhe këtë vendim”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për KALLXO.com.

Tutje sipas tyre, tenderi i ri i hapur për blerjen e 3 mijë e 250 jelekëve antiplumb ka qenë i planifikuar edhe më herët se marrja e vendimit të Gjykatës së Apelit.

“Ky projekt ka qenë i planifikuar shumë më herët ngase Policia e Kosovës vazhdimisht ka nevojë për jelekë antiplumb duke marrë parasysh se jelekët antiplumb janë me afat të skadimit dhe ata duhet zëvendësuar vazhdimisht, si dhe proceset e rekrutimit/punësimit te Policëve të rinj të cilët duhet pajisur me jelek antipumb (një gjeneratë është duke u trajnuar në AKSP në Vushtrri)”, thuhet tutje në përgjigjet e PK-së për KALLXO.com.

Si u shkëput kontrata me kompaninë e kontraktuar ALL-Zone?

Në vitin 2019 kompania “ALL-Zone” kishte paditur Policinë e Kosovës për shkak të mos përmbushjes së kontratës si dhe për kompensim dëmi. Kompania në fjalë ka thënë se Policia e Kosovës i ka shkëputur kontratën në mënyrë të jashtëligjshme për tenderin furnizim me jelekë antiplumb.

Policia e Kosovës në korrik të vitit 2017 kishte lidhur kontratë me kompaninë ALL-Zone për furnizim me jelekë antiplumb. Kompania ka qenë e detyruar që ta furnizoj me mallra të kontraktuara Policinë e Kosovës në afat prej 180 ditëve pas marrjes së lejes së transportit.

Vlera totale e blerjes së jelekëve antiplumb në atë kohë ka qenë 1 milion e 394 mijë e 560 euro ndërsa shuma e sigurimit të tenderit ka qenë 159 mijë e 180 euro.

Me datë 2 gusht të vitit 2017 Policia e Kosovës ka lëshuar urdhrin e parë për blerjen e jelekëve antiplumb në vlerë të 453 mijë e 480 eurove. Një urdhër tjetër për blerjen e jelekëve antiplumb është lëshuar nga Policia e Kosovës në nëntor të vitit 2018 në vlerë të 321 mijë e 80 eurove, ndërsa urdhri i tretë nga Policia e Kosovës për blerjen e jelekëve antiplumb është bërë në dhjetor të vitit 2018 në vlerë të 620 mijë eurove.

Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit të cilën e ka siguruar KALLXO.com, Kompania “ALL-Zone” më 23 janar 2018 përmes kompanisë prodhuese belge të jelekëve antiplumb ka siguruar lejen e eksportimit, pasi këto jelekë konsiderohen pajisje strategjike, ndërsa pas sigurimit të lejes është organizuar edhe transporti rrugor ndërsa më 19 dhjetor 2018 autoritetet serbe e kishin ndaluar mallin për shkak se konsiderohej mall për ushtrinë dhe jo për policinë.

Jelekët antiplumb kanë mbetur të bllokuara për 60 ditë në Serbi ndërsa përmes kanaleve diplomatike malli ishte zhbllokuar por transportuesit janë detyruar që të njëjtin mall ta dërgojnë sërish në vendin e origjinës jo ta fusin në Kosovë.

Pas këtij problemi është bërë ri- organizimi i transportit në linjën tjetër rrugore Belgjikë – Gjermani – Austri – Slloveni- Itali – Shqipëri, dhe në fund në Kosovë.

Tutje vendimi thotë se sipas kërkesës së Policisë së Kosovës në takimin informues dhe emailit të datës 15 mars 2019  për dërgimin e dëshmive dhe procedurave të ndjekura dërgohen edhe sqarimet e kërkuara dhe dokumentacioni përfshirë edhe leja e eksportit.

Më 20 mars 2019 Kompania “ALL-Zone” kishte informuar policinë e Kosovës në lidhje me ecurinë e transportit nga Belgjika duke i bashkangjitur edhe fletëngarkesën në të cilën evidentohet edhe ngarkesa e jelekëve antiplumb.

Dy ditë më vonë pra më 22 mars 2019, kompania e kontraktuar i informon Policinë e Kosovës për transportin e jelekëve antiplumb i cili kishte mbërritur në Portin e Italisë dhe ishte nisur drejt portit të Shqipërisë.

Tutje Kompania e kishte njoftuar Policinë e Kosovës se malli i kontraktuar sipas urdhrit të blerjes mund të merrej nga policia më 25 mars të vitit 2019 ndërsa kishte kërkuar nga i njëjti institucion përgjigje se kur mund ta dërgoj mallin.

Me të njëjtën datë kur Policia e Kosovës mund të pranonte jelekët antiplumb, sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, e njëjta përmes menaxheres së kontratës kishte shkëputur kontratën në kundërshtim me nenin 8 të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve.

Gjykata Themelore në Prishtinë- Departamenti për Çështje Ekonomike në bazë të provave të cilat kishte poseduar ka gjetur se vendimi i Policisë për Shkëputjen e Kontratën për furnizim me jelekë anti plumb  ka qenë i jashtëligjshëm dhe në kundërshtim me nenin 14 të kushteve të përgjithshme të kontratës, sepse kompania kishte dorëzuar mallin brenda afateve të kontraktuara pasi kohëzgjatja e kontratës ka qenë deri në korrik të vitit 2020.

Gjykata ka vërtetuar faktin se Policia e Kosovës ka pasur kontratë të lidhur me Kompaninë “ALL-Zone” ndërsa vendimi është i datës 31 korrik 2017 për furnizim me mallra strategjike- jelekë antiplumb.

Kompania më 25 mars të vitit 2019 në ora 11:41 kishte njoftuar Policinë e Kosovës se mund ta pranoj jelekët antiplumb nga ora 13:00, Policia e Kosovës përmes menaxheres së kontratës në po të njëjtën ditë në orën 13:44 ka dorëzuar vendimin për shkëputje të kontratës.

Në qershor të këtij viti Policia e Kosovës ka hapur tender për blerjen e më shumë se 3 mijë jelekëve antiplumb për zyrtarët policor.

Karakteristikat e jelekëve antiplumb janë Njëri nga antiplumat për të cilat ka hapur tender Policia e Kosovës, është antiplumb i cili vishet nën rroba dhe peshon më pak se 3 kilogram gjithashtu nuk është i dukshëm për syrin e publikut, ndërsa dy llojet e tjera të antiplumave njëri 8 kilogram dhe ai për Njësitë Speciale 10 kilogram vishen mbi uniformën policore dhe janë të dukshëm.