Policia Maqedonase Përplaset me Protestuesit

Është përshkallëzuar  protesta në Shkup e disa qindra ish-punëtorëve të firmave shtetërore maqedonase, të cilat falimentuan gjatë tranzicionit drejt ekonomisë së lirë të tregut, pasi që qeveria nuk ishte e gatshme për të biseduar me ta.

Policia ka ndaluar disa prej ish-punëtorë dhe ka arrestuar lideren e tyre, Liljana Georgievska, kur disa nga protestuesit u përpoqën të çajnë kordonin policor.

Por Georgievska është liruar nga policia, menjeherë pasi një përfaqësues i Komitetit të Helsinkit të Maqedonisë intervenoi te forcat e rendit.

 “Unë i them qeverisë: mos bëni rrëmujë, sepse Bosnja dhe Ukraina nuk do të jetë e mjaftueshme për të përshkruar se çfarë do të ndodhë me të”, kishte thënë Georgievska pak  para arrestimit.

Në janar të këtij viti, Qeveria Maqedonase ka miratuar një paketë masash për të bërë përmirësimin e statusit të punëtorëve të vjetër të firmave shoqërore, duke u dhënë atyre një bonus mujor prej vetëm 100 eurosh.

Me miratimin e kësaj pakete, kryeministri maqedonas Nikola Gruevski kishte thënë se kjo do t’u ndihmojë  punëtorëve të ish-ndërmarrjeve publike numri i të cilëve është rreth 7 mijë, për t’u përballur me problemet ekonomike.

Megjithatë, protestuesit thonë se miratimi i kësaj pakete u ndihmon vetëm pak njerëzve dhe është një publicitet para zgjedhjeve presidenciale të cilat do të mbahen në muajin prill.

Gjatë protestës, Georgievska kishte thënë se vetëm 350 punëtorë nga tri kompani kanë përfituar prej masave që ka ndërmarrë qeveria, kurse një korpus prej 6000 punëtorëve ka mbetur në rrugë.

Dy grupe kundër varfërisë në Maqedoni, Lëvizja për Drejtësi Sociale dhe Lëvizja e Majtë kanë përkrahur protestuesit dhe disa prej anëtarëve të tyre të kapur nga policia më vonë janë liruar.

Liza Bendevska, zëdhënësja e policisë në Shkup ka thënë për Nova.TV se policia nuk ka bërë ndonjë arrestim.

Por disa fotografi dhe xhirime para selisë së qeverisë tregojnë se disa oficerë të policisë keqtrajtojnë lideren e ish-punëtorëve Georgievska.

Protestuesit fillimisht ishin mbledhur para ndërtesës të Sindikatës më të madhe të Punëtorëve të Maqedonisë (SSM), e cila akuzohet së është e afërt me qeverinë, por kreu i kësaj organizate Zhivko Mitrevski kishte refuzuar për t’u takuar me protestuesit.

Sikur vendet e tjera të Ballkanit, edhe Maqedonia ka një numër të lartë të papunësisë. Rroga mesatare në Maqedoni është 300 euro, kurse papunësia është rreth 30 për qind.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, e cila e përdor përkufizimin e varfërisë të pranuar nga Eurostat-i, një nga tre maqedonas jeton në varfëri.