Ilustrim

Policia heton kontratën e QKUK-së për blerjen e kamerave

Qendra Klinike Universitare e Kosovës i ka paguar 104 mijë euro për blerjen dhe instalimin e kamerave në bazë të një kontratë të nënshkruar më datë 11 shtator 2020 me kompaninë ARTECH.

Kontrata është përmbyllur dhe pagesat janë realizuar nga QKUK-ja, mirëpo Auditori i Brendshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës thotë se punët nuk janë realizuar sipas kontratës. Menaxhmenti i ShSKUK-së raportin e Auditorit të Brendshëm e ka dërguar për hetim tek policia e Kosovës, e cila e ka konfirmuar për KALLXO.com se kanë nisur hetime për këtë kontratë.

Auditori në raportin e tij thotë se në depo ka mungesë të mallit që zyrtarisht është blerë.

“Ne gjatë auditimit nuk kemi gjetur sasinë e deklaruar të mallit në depo dhe nuk kemi gjetur pranimin  e mallit nga depoisti, i cili deklaron se deri më datë 27.08.2021 ditë e premte nuk ka pasur asnjë pranim të mallit nga kjo kontratë”, thuhet në raport.

Gjithashtu në raport thuhet se depoisti ka deklaruar se në të njëjtën datë është sjellë një sasi e mallit në depo por që nuk është pranuar formalisht.

Në raport thuhet se kamerat janë vendosur, por nuk janë funksionale pasi mungon dhoma e monitorimit.

“Në bazë të intervistës të bërë me menaxherin e kontratës është bërë montimi i kamerave në klinika dhe raporte por nuk janë funksionale sepse dhoma e monitorimit nuk ekziston, sipas kërkesës nga njësia kërkuese nuk është paraparë një projekt për funksionalizimin e dhomës për monitorim”, thuhet më tej në raport duke mos u sqaruar nëse dhoma e monitorimi ishte përgjegjësi e QKUK-së për tu realizuar.

Në raportin e Auditorit thuhet se mungojnë disa prej pajisjeve që kanë qenë pjesë e kontratës.

“Nuk është finalizuar puna sipas kontratës. Nuk është bërë montimi i Akceskontrolleve, Instalimi infrastrukturës dhe I pajisjeve, shtrirja e kabllove dhe pajisjeve të tjera përcjellëse, furnizimi, konfigurimi deri në finalizim- Testimi në kushte reale të punës me funksionalitet të plotë ndërsa janë paguar mjetet në tërësi”, thuhet në raport.

Hetimet për kontratën në vlerë 104 mijë euro

KALLXO.com ka kontaktuar kompaninë NTSh “ARTECH”, për të kërkuar sqarime rreth gjetjeve të cilat janë evidentuar në raportin e Auditorit të Brendshëm. Të njëjtit kanë thënë se rreth këtyre gjetjeve të Auditorit të brendshëm janë njoftuar vetëm përmes pyetjeve të nga KALLXO.com.

“ARTECH” ka deklaruar se të gjitha pikat e kontratës janë përmbushur dhe se gjetjet në Raportin e Auditorit të Brendshëm nuk janë të vërteta.

“Është e vërtetë që kontrata e lidhur mes neve si operator dhe QKUK-së, është përmbushur edhe nga çmimi, dhe ashtu është përmbushur tërësisht edhe te dorëzimi i mallit, sipas udhëzimeve të menaxherit të kontratës. Çdo pikë të kontratës e kemi zbatuar. Kemi kryer punët e parapara e të përcaktuara në kontratë. Kemi bërë montimin e kamerave. Kemi bërë montimin e “Accesskontrolleve”. Kemi bërë shtrirjen e kabllove. Për të gjitha këto ne disponojmë prova, dëshmitarët dhe fotografitë e bëra në vend të ngjarjes”, thuhet në përgjigjen e “ARTECH” për KALLXO.com.

Raporti i Auditorit për zbatimin e kontratës në vlerë 104 mijë euro për blerjen dhe instalimin e kamerave nga menaxhmenti i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës është dërguar tek organet kompetente për Policia e Kosovës.

“Bordi Drejtues i SHSKUK-së ka pranuar Raportin në fjalë. Pas pranimit të raportit, drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, menjëherë ka njoftuar organet kompetente”, thuhet në përgjigjen e ShSKUK-së.

Po ashtu, ShSKUK ka bërë të ditur se ndaj zyrtarëve të QKUK-së kanë filluar procedurat sipas dispozitave ligjore.

“Për personat përgjegjës është iniciuar ndërmarrja e masave konform dispozitave ligjore”, vazhdon më tej përgjigja.

Se kjo lëndë është duke u trajtuar nga organet kompetente e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

Ata kanë thënë për KALLXO.com se me këtë rast po merret Departamenti i Krimeve Ekonomike.

“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se Policia e Kosovës (DHKEK) e ka pranuar si rast, dhe njëkohësisht, është duke e trajtuar në koordinim me prokurorinë kompetente”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Çka parasheh kontrata?

Me këtë tender janë blerë 3 kamera të jashtme rrotulluese me laser në vlerë prej 7,500 euro, apo 2,500 për një. Me të njëjtin çmim është blerë edhe një kamerë tjetër rrotulluese me laser. QKUK-ja i ka kontraktuar edhe 2 kamera të brendshme për numërimin e njerëzve për 1,500 euro. Janë kontraktuar edhe 4 kamera të jashtme statike në vlerë prej 3,200 euro, apo 800 euro secila. Janë kontaktuar edhe 100 kamera të brendshme në vlerë prej 17 mijë euro, apo 170 per një kamerë. Gjithashtu me këtë tender janë blerë 6 televizione 55 inch për monitorim në vlerë prej 8,700 euro, apo 1,450 euro për televizor.

6 sete për montimin e TV në mur në vlerë prej 600 euro, 1 UltraHD Video Dekoder në vlerë prej 1,200 euro. Montimi i kamerave është bërë në vlerë është kontraktuar prej 2,560 euro. Gjithashtu, janë kontaktuar edhe 100 “Akseskontrolle” në vlerë prej 7,500 euro, 100 lexues të “Akseskontrolleve” në vlerë prej 3,500 euro.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës e kishte kontraktuar kompaninë NTSh “ARTECH” me 11 shtator 2020 për “Furnizimi dhe montimi i sistemit të integruar të monitorimit me kamera dhe Integrimi i sistemit të kontrollit të qasjes”.