Policia e Kosovës Trajnohet për Mbrojtjen e Dëshmitarëve

“Hetuesit policorë janë të parët që takojnë dëshmitarët, ndërtojnë besimin dhe negociojnë programet dhe masat e përshtatshme për mbrojtjen e tyre. Nëse hetuesit nuk arrijnë ta bindin dëshmitarin të bashkëpunoj, atëherë prokurori ose gjykatësi nuk mund të bëjë shumë dhe kështu rastet pezullohen”, citohet të ketë thënë Temur Shengelia nga Departamenti i OSBE-së për Siguri Publike.
 
“Ne besojmë se njohuritë e marra gjatë trajnimit do tu ndihmojnë hetuesve që ta krijojnë këtë besim”, shtoi ai.
 
Pjesëmarrësit në trajnim kanë ekzaminuar instrumentet e brendshme ligjore dhe linjat e komunikimit dhe bashkëpunimit në mes të aktorëve të ndryshëm, procedurat e pranuara ndërkombëtarisht që mund të aplikohen për të mbrojtur më mirë dëshmitarët, si dhe llojet e masave të mbrojtjes dhe sigurisë, shpenzimet dhe konceptin për gjykim të drejtë, thuhet në një komunikatë shtypi të OSBE-së.
 
Gjatë këtij trajnimi, i cili është vazhdimësi i një trajnimi të mëhershëm të OSBE-së të ofruar në muajin mars, është prezantuar edhe rëndësia e të drejtave të njeriut në mbrojtjen e dëshmitarëve, ku siguria e dëshmitarëve dhe të drejtat e tyre luajnë rol qendror dhe dëshmitarët nuk perceptohen si dikush që vetëm ofron dëshmi.