Policia blen 40 radarë dore, radarët mobilë dhe pajisjet elektronike bllokohen në OShP

Policia e Kosovës ka blerë 40 radarë të dorës në vlerë 449 mijë e 700 euro ndërsa pjesa tjetër e tenderit për 10 radarët mobilë dhe 185 pajisjet elektronike është bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, që nga tetori i vitit 2021, për shkak të ankesës së dy kompanive dhe mungesës së bordit për të marrë vendim.

Në qershor të vitit të kaluar Policia e Kosovës kishte hapur tender për blerjen e radarëve dhe pajisjeve elektronike me vlerë të parashikuar prej 1 milion e 259 mijë euro.

Por nga tri pjesë sa i ka ky tender, Policia ka arritur të blejë në fund të dhjetorit vetëm 40 radarët e dorës me të cilët do të pajisen njësitë e trafikut.

Kontratën në vlerë 449 mijë e 700 euro e ka fituar kompania “Fitim R. Bilalli B.I”.

Ndërsa për pjesa e dytë të tenderit ku janë parashikuar 220 mijë euro për të blerë 10 radarë dore dhe pjesa e tretë të tenderit me vlerën e parashikuar prej 259 mijë euro për blerjen e 185 pajisjeve elektronike, kanë ngecur në tavolinën e Gjykatës së Tenderëve për shkak të ankesave të dorëzuara nga dy kompani.

Ky institucion është për më shumë se 9 muaj është pa bord funksional dhe rrjedhimisht nuk mund të merret vendim për këto dy pjesë të tenderit deri në emërimin e bordit të ri.

Më 28 shtator, Policia e Kosovës kishte rekomanduar kompaninë “Fitim R. Bilalli B.I” për radarët e dorës, për radarët mobilë ishte rekomanduar grupi i operatorëve “Botek ShPK” dhe “Pricom ShPK” ndërsa për pajisje elektronike ishte rekomanduar kompania “Clastertech”.

Ankesat për pjesën e dytë dhe të tretë të tenderit kanë ardhur nga kompanitë “Botek ShPK” dhe “Infosoft System”, pasi të njëjtat janë eliminuar nga gara.

Pasi ankesat e tyre janë refuzuar nga Policia e Kosovës, të njëjtat më 18 tetor kanë deponuar ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Kompania “Infosoft Systems”, e cila është ankuar për pjesën e dytë të tenderit (radarët mobilë), në ankesën e saj në OShP pretendon se oferta e tyre ka qenë më e lira dhe ka plotësuar kërkesat minimale teknike dhe funksionale të bazuara në dosjen e tenderit të Policisë së Kosovës.

Në ankesën të cilën e ka bërë “Botek ShPK”, për pjesën e tretë të tenderit (pajisjet elektronike), pretendohet se Policia e Kosovës ka shtrembëruar faktet e prezantuara në kërkesën për rishqyrtim dhe ka dhënë përgjigje që nuk lidheshin me kërkesën që kishte bërë kjo kompani si dhe kishin injoruar provat e prezantuara.

Këto ankesa janë shqyrtuar nga ekspertët e OShP-së.

Për ankesën e kompanisë “Botek ShPK”, eksperti  shqyrtues i ka propozuar Panelit Shqyrtues që të aprovohet si e bazuar, të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe lënda të kthehet në rivlerësim për pjesën e tretë.

Ndërsa ankesa e kompanisë “Infosoft Systems” është aprovuar si pjesërisht e bazuar dhe eksperti shqyrtues ka propozuar që vendimi i Policisë për pjesën e dytë të tenderit (radarët mobilë) të vërtetohet.

Edhe pse ankesat janë shqyrtuar nga ekspertët, për to ende nuk mund të merret ndonjë vendim për shkak të mungesës së bordit të OShP-së që nga 1 prilli i vitit 2021.

Që nga ajo kohë, numri i ankesave nga operatorët ekonomik në drejtim të OShP-së ka shkuar në 600.

Tentativat për ta funksionalizuar bordin ishin bërë me hapjen e konkursit më 26 maj, por në Kuvend më 6 dhjetor përfundimisht dështoi procesi i emërimit të kryetarit dhe anëtarëve të këtij bordi.

Procesi i përzgjedhjes së bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit është kthyer në pikën zero. Qeveria e ka hapur përsëri më 10 dhjetor konkursin e ri për anëtarë dhe kryetar të bordit të OShP-së.

Ditë më parë KALLXO.com raportoi edhe se një tender tjetër të Policisë së Kosovës, ai për blerjen e jelekëve antiplumb për zyrtarët policorë, i cili po ashtu është bllokuar në OShP, për shkak se kompanitë ofertuese kanë shfrytëzuar mundësinë që të ankohen në Organin Shqyrtues të Prokurimit për këtë çështje dhe e njëjta nuk ka bord për marrjen e vendimeve për këto ankesa.