Seanca e gjykimit të ish-gjyqtares Safete Tolaj - Foto: KALLXO.com

Polici me aktakuzë për korrupsion aktiv në Policinë e Kosovës

Një hulumtim i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, në fillim të vitit të kaluar rezultoi me aktakuzë në tetor të po të njëjtit vit ndaj gjykatëses së Deçanit, Safete Tolaj, djalit të saj Fisnik Tolajt  ndërsa hetimi pasues i prokurorisë përfshiu edhe policin  Granit Shehaj.

Muaj më vonë prokuroria ngriti aktakuzë ndaj tre të pandehurve.

Sipas aktakuzës i pandehuri Fisnik Tolaj dhe Granit Shehaj (zyrtar policor) ishin takuar dhe ky i fundit duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkalon kompetencat e tij dhe i jap shumën prej 1 mijë e 900 euro të pandehurit Fisnik Tolaj për të ndikuar tek e pandehura Safete Tolaj, e cila më 2 janar 2017 kishte caktuar masën e paraburgimit për një të pandehur.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas marrjes së parave në vlerë të 1 mijë e 900 eurove, të dhëna nga polici Granit Shehaj, Safete Tolaj masën e paraburgimit për të pandehurin e kishte  zëvendësuar me masën e dorëzanisë.

Në kohën kur po gjykohet për korrupsion  Granit Shehaj vazhdon të punoj polic në stacionin e  Klinës ndërsa policia ende nuk ka nisur procedurat disiplinore ndaj tij për shkakun e vetëm që Inspektoriati Policor nuk e ka njoftuar policinë për kallzimin penal dhe aktakuzën.

KALLXO.com ka kërkuar nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës, të dijë se çfarë masash disiplinore janë marrë ndaj policit Granit Shehaj, pasi që ai akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

IPK-ja me anë të një përgjigje drejtuar KALLXO.com ka thënë se rasti është trajtuar nga Departamenti i Hetimeve në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë dhe si pjesë e procedurës hetimore ndaj Shehajt është ngritur kallëzim penal në këtë prokurori.

“Inspektorati Policor i Kosovës gjatë zhvillimit të hetimeve i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e transferit ndaj zyrtarit policor G. Sh nga njësia ku ishte duke punuar për shkak të mos pengimit të hetimeve. Pas ngritjes së kallëzimit penal, rasti është dërguar edhe në Drejtorinë e Standardeve Profesionale – Policia e Kosovës për hetim disiplinor si pjesë e procedurës administrative”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Po ashtu IPK kishte rekomanduar KALLXO.com që të pyes Policinë e Kosovës në lidhje me procedurën administrative të çështjes disiplinore.

KALLXO.com në disa pyetje drejtuar Policisë së Kosovës, respektivisht Drejtorisë së Standardeve Profesionale, ka kërkuar të dijë se cilat masa disiplinore do merren për policin Shehaj.

Policia e Kosovës, përmes një përgjigje ka thënë se DSP nuk ka pranuar asgjë nga IPK.

“Ju informoj se Drejtoria e Standardeve Profesionale deri më sot nuk ka pranuar lënde disiplinore nga IPK-se për punonjësin (Granit Shehaj) për të cilin ju interesoheshi”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

KALLXO.com ka kërkuar nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës, të dijë se në çfarë date është dërguar hetimi disiplinor.

IPK në një përgjigje ka thënë se kallëzimi penal, nuk është dërguar në Policinë e Kosovës, respektivisht në Drejtorinë e Standardeve Profesionale.

“Pas konsultave me Departam​entin e Hetimeve në lidhje me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se IPK nuk e ka përcjellë akoma këtë rast (kallëzimin penal) në Drejtorinë e Standardeve Profesionale të PK-së”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

KALLXO.com, përsëri ka dërguar pyetje në IPK në lidhje me arsyen se pse kallëzimi penal dhe masat disiplinore nuk kanë shkuar në DSP, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe policin, Granit Shehaj i cili përmes telefonit tha se ai është transferuar dhe se ende është duke punuar në polici.

“Po jam duke punuar, jam transferuar në Klinë prej Decanit. Nuk ka masë nuk shqiptohet masë pa vendim të gjykatës veç merret një masë e përkohshme për shkak të hetimeve. Nuk shqiptohet masë në polici pa vendim të gjykatës. Mu vetëm më kanë transferu, në polici nuk ka tjetër ose është transferi ose suspendimi pa pagesë. Unë transferin e kam prej 13 prillit të 2017-tës jam në transfer dhe do të zgjas deri në procesin  e përfundimi të gjykimit. Është transfer për shkak të hetimeve. Nëse shpallesh i pafajshëm kthehesh prapë në stacionin që ke qenë”, tha Shehaj për KALLXO.com

Kujtojmë që për të njëjtin rast për të cilin gjykohet zyrtari policor, Granit Shehaj, Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishte suspenduar atëkohë gjyqtaren Safete Tolaj menjëherë pas ngritjes së aktakuzës ndaj saj.

https://kallxo.com/rast-i-shenjestruar-ish-gjyqtarja-tolaj-serish-para-gjykates/

https://kallxo.com/deshmitari-ne-decan-flitej-se-djali-i-gjyqtares-tolaj-kryente-pune-ne-gjykate/