Ish polici i NJRSh-së, Andrija Rakiq, Foto: Kossev

Polici i suspenduar nga IPK si i dyshuar në rastin e laboratorit të drogës, nënshkruan kontratë me qeverinë e Serbisë

Pesë ditë më parë, Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë njoftoi zyrtarisht se ka nisur nënshkrimi i kontratave me ish-zyrtarët serbë të cilët deri para pak javësh ishin zyrtarë të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit, nga dhjetori ata do të nisin të financohen nga qeveria e Serbisë.

“Në këtë mënyrë premtimi i bërë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, qytetarëve tanë në Kosovë të larguar nga institucionet, se shteti do të kujdeset për secilin prej tyre dhe se askush nuk do të mbetet pa përkrahje të shtetit, po përmbushet” – thuhej në njoftimin e Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.

KALLXO.com mëson se në mesin e ish-zyrtarëve që ofruan dorëheqje nga Policia e Kosovës e që nënshkroi kontratë me Serbinë është edhe Andrija Rakiq, ish-pjesëtar i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në veri të Mitrovicës i cili ishte arrestuar më 24 maj të këtij viti për tri vepra penale atë të keqpërdorimit të detyrës, pengim i të privuarit si dhe ndihmë kryesve pas kryerjes së veprës penale.

Rasti lidhet me zbulimin e laboratorit të drogës në fshatin Izvor, që gjendet në Komunën e Zveçanit.

Andrija Rakiq i cili shihet edhe në pamjet që ka publikuar mediumi Kossev gjatë nënshkrimit të kontratës me Serbinë, dyshohet se kishte dëmtuar kamerat e sigurisë dhe pajisje të tjera në afërsi të laboratorit të drogës.

Ish zyrtari policor i NJRSh-së, Andrija Rakiq | Foto: Kossev

Për këtë arsye, ai vazhdonte të ishte i suspenduar edhe gjatë ditës kur ofroi dorëheqje nga Policia e Kosovës.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, Inspektorati Policor i Kosovës.

“Duke ju referuar kërkesës suaj, IPK ju njofton se zyrtari i poshtëshënuar vazhdon të jetë i suspenduar bazuar në rekomandimin e IPK-së. I njëjti ka qenë i arrestuar nga hetuesit e IPK-së dhe ndaj të njëjtit IPK ka ushtruar kallëzim penal me dyshimin për tri vepra penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare” dhe “Dhënia e ndihmës kryeseve pas kryerjes penale” – thuhet në përgjigjen e IPK-së pas interesimit të KALLXO.com lidhur me rastin.

Në anën tjetër kontratat të cilat filluan të nënshkruhen ditë më parë, nuk i kanë komentuar për KALLXO.com as institucionet kyçe të Kosovës, Qeveria e Ministria e Punëve të Brendshme.

Ka qenë presidentja Osmani, ajo që pas takimit në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe president serb, Aleksandar Vuçiq, më ndërmjetësimin e shefit të BE-së për Politika të Jashtme, Josep Borell, që reagoi duke përmendur edhe iniciativën e qeverisë së Serbisë për nënshkrimin e këtyre kontratave.

Presidentja Osmani, duke pretenduar për anshmërinë e Borell, Osmani listoi disa marrëveshje, për të cilët ajo thotë se nuk janë impelementuar nga pala serbe, duke e renditur edhe nënshkrimin e kontratave.

“Shkelja e pikave 9, 10 dhe 11 të Marrëveshjes së vitit 2013 ku është paraparë integrimi i serbëve në polici, gjyqësi, etj. Për më tepër, ditët e fundit kemi parë shkelje flagrante të kësaj marrëveshjeje me nënshkrimin e kontratave me institucionet ilegale të Serbisë dhe asnjë reagim të BE-së;” – ka shkruar të hënën në mbrëmje presidentja Osmani.