Policët e NJRSH-së, Arben Daci, Qaush Mataj dhe Blerim Nikçi, në shoqërinë e Noizyt, data 27.11.2024, Foto: Instagram
Policët në shoqërinë e Noizyt, i cili për disa muaj kërkohej nga Policia e Kosovës
Jo rrallë herë, ata që janë të thirrur që të trajtojnë raste penale, shihen në shoqëri me persona të cilët kanë të kaluar kriminale dhe janë të përfshirë në vepra penale.
Muaj më parë, organet e rendit nisën kërkimin për një këngëtar i cili dyshohej se ishte përfshirë në një rrahje, në një diskotekë në Pejë. Rigels Rajku i njohur si Noizy po kërkohej nën dyshimin se ka kryer veprën penale: “lëndim i rëndë trupor”.
Ai nuk ishte paraqitur para organeve të rendit në Kosovë, ndërsa Policia e Shqipërisë të njëjtin e kishte arrestuar e më pas ishte dorëzuar në Kosovë në Polici të Pejës.
KALLXO.com ka pranuar disa fotografi të cilat tregojnë se policët që ishin përkujdesur që ta dërgonin Noizyn në seancë gjyqësore, pasi ndaj të njëjtit u kërkua një masë e sigurisë, ditë më vonë u panë në një ambient krejt tjetër: në kafene.
Tre policë u panë në shoqërinë e një personi, i cili u ishte shmangur kërkesave për paraqitje në Polici, konsiderohej se ishte në arrati dhe po hetohej për veprimtari kriminale.
KALLXO.com ka siguruar fotografitë në të cilat shihen tre policë: Arben Daci, Blerim Nikçi dhe Qaush Mataj.
Të njëjtit janë zyrtarë në Njësinë e Reagimit të Shpejtë në rajonin e Pejës. Të tre zyrtarët ishin pjesë e ekipit që shoqëruan këngëtarin Noizy në seancën për caktimin e masës së sigurisë – masë kjo e kërkuar nga Prokuroria e Pejës.
Në seancën e cila u mbajt më 06.11.2024 në Gjykatën e Pejës shihen zyrtarët policorë derisa përcjellin Noizyn drejt Gjykatës, brenda në Gjykatore.
Vetëm pak ditë më vonë, të njëjtit policë në një fotografi që ka siguruar KALLXO.com shihen derisa janë duke pirë kafe në një kafene, nën shoqërinë e këngëtarit të njëjtë, pra Noizyt dhe në shoqëri të personave të tjerë.
KALLXO.com ka kërkuar një sqarim nga ana e Policisë Rajonale në Pejë në lidhje me këtë rast, por nuk ka pranuar një sqarim nga policët, për çka ekipi ka kërkuar reagimin e tyre ndaj kësaj afërsie me një ish të kërkuar, i cili po hetohet për vepër penale.
Në një përgjigje për ekipin e KALLXO.com, Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka thënë vetëm se rasti është duke u trajtuar nga njësitet kompetente.
KALLXO.com shkoi më tutje, duke telefonuar policët që u panë nën shoqërinë e të dyshuarit për lëndim të rëndë trupor.
Në një bisedë përmes telefonit, KALLXO.com ka marrë sqarimin e njërit polic që shihet në fotografinë e publikuar në rrjete sociale. Arben Daci tha fillimisht se nuk është kompetent të flasë për këtë çështje, ndërsa konfirmoi për KALLXO.com se është nisur hetimi për rastin.
Daci pranoi për ekipin e KALLXO.com se bashkë me Blerim Nikçin e Qaush Matajn e kanë ruajtur dhe siguruar praninë e këngëtarit shqiptar në seancën për caktimin e masës së sigurisë.
“Më datë 06.11.2024 që e kemi ruajtur në Spital dhe është mbajtur seanca ndaj të njëjtit, ndërsa fotografia është shkrepur më 27.11.2024 dhe më 28 nëntor. Pastaj, unë e kam shpërndarë në rrjete sociale. Pra 3 javë, 21 ditë është dallimi nga seanca deri te fotoja.” – shpjegon zyrtari policor Arben Daci.
Për kërkesën e KALLXO.com në lidhje me afërsinë e policëve me të dyshuarin për rrahjen në diskotekë në Pejë, Daci thotë se pas kërkesës së KALLXO.com kanë dhënë deklaratë edhe në standarde profesionale në Pejë.
“Për atë rast, përmes asaj kërkese që e keni bërë ju, rasti është duke u trajtu në standarde profesionale pas pyetjeve të juaja që i keni dërgu.” – tha Daci tutje gjatë telefonatës me ekipin e KALLXO.com.
Ai mohoi se kishte ndonjë afërsi me këngëtarin Noizy, ndërsa arsyeton edhe takimin me të.
“Kurrë në jetë hiç se kam njoftë. Ishim në një mall në Prishtinë, ishim për të blerë pajisje policore, ishim me shokët, kolegët që dalim edhe pas orarit. Ti e din që gjendja jonë logjistike nuk është e mirë – policore. Kemi shku me i ble disa gjëra policore. Rastësisht e kemi parë një shok të Noizyt në Parking dhe ai na ka njoftë neve. Na ka thënë ‘A mundem me pi një kafe me ju?’. Pastaj, ai e ka thirrë Noizyn dhe nuk kemi qëndru as 10 minuta.” – ka treguar polici Daci.
“Fotografinë e kam shkrepë, unë e kam postu. Nuk kam pasë kurrë kontakt më herët, vetëm atë ditë që jemi taku rastësisht. Unë kurrë nuk e kisha publiku fotografinë nëse e kisha ditë që e qes keq Policinë apo ajo fotografi do të krijonte ndonjë telashe.” – arsyetohet Daci.
Tutje, ai thotë se nuk kanë pasur asnjë vërejtje në lidhje me trajtimin e të dyshuarit në ditën e seancës.
“Përderisa nuk ka vërejtje për punën që e kemi kry, sigurimin në Spital. Pastaj, edhe në seancë, edhe kthimin prapë në Spital dhe deri te Vendimi i Gjykatës për lirimin e tij me kaucion. Nga ana jonë gjithçka ka qenë profesionale dhe prapë nëse ka nevojë prapë kemi me qenë profesional. Aty nuk mundet me pas vërejtje, pse e kemi bërë një fotografi. Unë jam përgjigjur edhe në standarde profesionale për pyetjet të cilat ju i keni drejtuar.” – tha Daci.
Sipas tij shkak i takimit ishte bërë një shok i këngëtarit që i njihte policët. E njohja ishte në ditën kur ishte mbajtur seanca, pasi shoku i këngëtarit kishte parë policët që po mbikëqyrin dhe sigurojnë Noizyn.
“Prej orës 08:00 në mëngjes, deri në ora 18:00 në mbrëmje unë e kam ruajtur në Spital Noizyn. E kam sjellë në Gjykatë. E kam kthy prej Gjykatës. Shoku i tij na ka thirrë për kafe. S’kam pasë asnjë kontakt me Noizyn.” – shton, tutje, ai.
Sipas Dacit, këngëtari ende nuk ka ndonjë vendim të prerë në rastin e tij dhe se kjo sipas tij nuk mund të krijojë ndonjë problem.
“Unë te kisha ditë apo te kisha mendu që paraqet ndonjë problem, ai person është i dyshuar për rrahje por përderisa nuk ka aktakuzë, nuk ka ndonjë Vendim të prerë nga Gjykata…, unë nuk jam polic fillestar i rastit, nuk jam hetues, as prokuror, as gjyqtar që mundem me ndërhy apo me ndiku në rast. Te kisha ditë që i bëjë dëm vetes apo institucionit nuk e kisha postu me vetëdije të plotë.” – thotë ai.
Daci thotë se me dy kolegët e tij që u panë, edhe në seancë, edhe në kafene, dalin gjatë gjithë kohës edhe jashtë orarit të punës.
“Asnjëherë nuk e kemi ditë që do të takohemi me Noizyn. Ka qenë rastësisht gjithçka. A po më kupton, unë po të them që aty sa kam mujt me i kuptu pyetjet që i keni dërgu, keni pyetur ‘nëse mund të ndikojmë në rast!?’. Unë, prapë, po them, unë ato 10 orë sa e kam ruajt kam qenë shumë profesional. Edhe prapë me qenë herën tjetër që është i kërkuar apo diçka unë nuk ndikohem që ai është yll i muzikës. Unë jam profesional.” – përfundon bisedën Daci.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe policin tjetër i cili shihet në fotografi, Qaush Mataj.
I njëjti tha se tashmë deklarimin e tij e ka dhënë në Standarde Profesionale, brenda Policisë dhe se nuk ka të drejtë të japë informacione më shumë.
“Nëse keni nevojë për sqarime kërkoni në Zyrën për Media. Unë nuk mund të japë të dhëna për këtë çështje. Deklarimin për këtë që po pyetni e kam dhënë në standarde profesionale. Ata po merren me rastin.” – tha Mataj shkurt përmes telefonit.
Polici tjetër, Blerim Nikçi nuk i është përgjigjur telefonatave të KALLXO.com për të dhënë versionin e tij për këtë ngjarje.
KALLXO.com ka raportuar më 05.11.2024, se këngëtari nga Shqipëria, Rigels Rajku i njohur si Noizy është dorëzuar në Stacionin Policor në Pejë, disa muaj pasi ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.
Lajmin për KALLXO.com e kishte konfirmuar edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Është dorëzuar në Stacionin Policor, do të hetohet nga hetuesit policorë dhe më pas do të ndalohet për 48 orë.” – pati thënë Nikçi për KALLXO.com.
Rigels Rajku i njohur si Noizy dhe Bahtjar Bajraktari – shtetas i Kosovës ishin të dyshuar për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” – pas një rrahje që kishte ndodhur në një diskotekë në Pejë.
Policia e Shqipërisë, më 07.08.2024, kishte arrestuar Noizyn dhe Bajraktarin.
Në kërkim të Policisë së Kosovës ishte shpallur edhe Arkimed Lushaj, këngëtari nga Shqipëria i njohur si Stresi.
Më 01.11.2024 Lushaj ishte dorëzuar në Policinë e Kosovës, në objektet e Drejtorisë Rajonale në Pejë.
Stresi ishte shpallur në kërkim të Policisë më 06.08.2024 si i dyshuar për ndihmë në kryerjen e veprës penale “lëndim i rëndë trupor”.
Një ditë pas dorëzimit, Stresi ishte liruar nga ndalimi prej 48-orësh, pasi të njëjtit i ishte ofruar mundësia e dorëzanisë me shumën prej 20 mijë euro.
Pas rrahjes në diskotekë, reperi Noizy kishte reaguar më 06.08.2024 duke thënë se nuk është në arrati e se në këtë rast është viktimë e një kallëzimi të rremë.
“Prej disa ditësh jam bërë pjesë e titujve mediatik si pasojë e një denoncimi të padrejtë kundrejt meje, për një ngjarje të ndodhur në Pejë, ku unë nuk kam gisht fare, zero.” – pati thënë Noizy në reagimin e tij.
Ai, tutje, kishte shtuar se po ndjek rrugën ligjore me profesionistë të fushës për të shmangur kurthin e padrejtësisë, të cilin pretendon që është duke u bërë ndaj tij.
“Dua të bëjë me dije dhe të garantojë këdo dhe çdo institucion se kurrsesi nuk jam në arrati apo sfidim ndaj drejtësisë, por po ndjek rrugën ligjore me profesionistë të fushës për të shmangur kurthin e padrejtësisë ndaj meje dhe për t’i dhënë zgjidhje çështjes në bashkëpunim me organet e Drejtësisë në Kosovë.” – pati thënë ai.
Tutje, ai shtoi se bashkë me Studio të Avokatisë do të kontribuojnë maksimalisht për të shuar çdo dyshim që rëndon ndaj tij.
Kujtojmë që Noizy ka qenë i përfshirë edhe më parë në një rast në Kosovë.
Reperi i njohur shqiptar nga ‘label’-i OTR, Rigels Rajku (Noizy) e ka pranuar fajësinë në akuzën e Prokurorisë për një konflikt të vitit 2016, në qendër të Prishtinës.
Në deklarimin e tij gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Noizy kishte thënë se ndihet keq për konfliktin në të cilin ai kishte mbetur i plagosur.
“Akuzën e pranoj. E kuptoj shumë mirë. Unë ndihem me të vërtet fajtor. Nuk e di a do të më pranohet kjo, por kërkoj falje, kjo ka ndodhë, ne jemi të rinj dhe ne e kemi falë njëri-tjetrin. Kemi vendosë që të kaluarën ta lëmë prapa…” – kishte thënë Rigels Rajku-Noizy para Gjykatës, më 17.09.2018.
Më 13 shtator të vitit 2016, rreth orës 17:15 në Parkingun para hotelit “Swiss Diamond” kishte ndodhur një përleshje mes dy prej grupeve më të mëdha të reperëve: atë të OTR-së nga Shqipëria dhe BabaStars nga Kosova.
Si pasojë e kësaj përleshjeje mbetën të lënduar disa persona – përfshirë edhe Rigels Rajkun i njohur për publikun si Noizy. Atij i ishte hequr një plumb gjatë një ndërhyrjeje kirurgjike.