Policët e Mitmarrjes Kishin Precedent Penal

Shënim: Artikulli fillimisht është botuar më 24.09.2012 01:05:58

Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar të dhëna të reja që tregojnë se policët të cilët ishin kapur duke marrë mito më 18 qershor të këtij viti, në afërsi të Fushë-Kosovës, kishin edhe precendent tjetër penal. Ata ishin lejuar të punojnë në Policinë e Kosovës edhe pse për ta prokuroria kishte ngritur propozim-aktakuzë.

Dy policët Veton Gashi dhe Hidajet Krasniqi akuzohen se më 6 tetor të vitit 2008 e kishin keqtrajtuar qytetarin Veton Prelvukaj nga prokurori publik Imer Bekaj i cili ka ngritur propozim-aktakuzë më 9 tetor 2009. Ajo ishte protokolluar në Gjykatën Komunale të Prishtinës tri ditë më vonë, më 12 tetor.

Propozim-akuza ngarkon Veton Gashin i lindur më 1977 me banim në Velani të Prishtinës dhe Hidajet Krasniqin i lindur më 1965 me banim në Dardhishtë të Obiliqit, se më 6 tetor 2008, në orën 23:30, derisa Veton Prelvukaj po udhëtonte me një kombibus të cilin e kishte ndalur policia në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë për shkak të mos ndezjes së dritave dhe teksa ai ishte afruar për të kuptuar se çfarë po ndodhte me shoferin, e keqtrajtuan, prangosën dhe e morën me veturë viktimën.

“Gjatë transportimit të tij në stacionin policor i pandehuri Veton Gashi nga ulësja e parë e anës së djathtë të veturës me grushta e godet dy herë (viktimën) në anën e majtë të fytyrës”, thuhet në propozim-akuzë.

“Në atë moment, ndërhyn i pandehuri Hidajet Krasniqi, e frikëson (viktimën) dhe i drejtohet me fjalët ‘në stacion kemi me t’i nxjerrë dhëmbët një nga një’”, vazhdon propozim-akuza. “I pandehuri pëson lëndime të lehta trupore në mollëzën e faqes së majtë”.

Prokurori thotë se kështu të pandehurit në bashkëveprim kanë kryer veprën penale të keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare.

Prelvukaj thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se ai, gruaja e tij dhe shoku Drini Hoxha e kishin bërë në një vizitë në një qendër tregtare në afërsi të Fushë Kosovës.

“Kemi qenë me ble gjëra në ETC dhe duke u kthyer na kanë ndalë policia. Arsyeja e ndaljes ishte sepse shokut tim Drini Hoxha nuk i punonin dritat e furgonit”, rrëfen Prelvukaj. Sipas tij, policët të cilët e kishin ndalë furgonin ishin sjellë keq me ta, ndërsa pas protestës së Prelvukajt për sjelljen e tyre, ai ishte arrestuar nga kjo patrullë policore.

“U kam thënë jeni shumë arrogantë dhe ata më kanë arrestuar” Veton Prelvukaj. 

“U kam thënë jeni shumë arrogantë dhe ata më kanë arrestuar”, thotë Prelvukaj.

Pas qëndrimit për një kohë në stacionin e Fushë Kosovës, ai ishte transferuar në stacionin numër 4 të policisë në Prishtinë nga ku edhe ishte dërguar për në spitalin e qytetit për shkak të lëndimeve, në po të njëjtën natë, të cilat ai thotë se i ka marrë nga goditjet e policit Gashi.

Raporti i mjekut kujdestar dhe ekspertiza e mjekësisë ligjore, të cilat i posedon gazeta, vërtetojnë se Prelvukaj ka pasur lëndime trupore.

Për këto sjellje të policëve Prelvukaj ishte ankuar pothuajse në të njëjtën kohë në Inspektoratin Policor të Kosovës dhe në Prokurorinë e Shtetit.

Përkundër faktit se provat e paraqitura nga Prelvukaj ishin të njëjta, këto dy organe kanë sjellë vendime të kundërta për këtë rast.

Inspektorati Policor i Kosovës, më 24 shkurt 2009, i kishte kthyer atij një përgjigje në të cilën e njoftonte se hetimet në rastin e tij ishin mbyllur për shkak të mungesës së provave.

“Pas zhvillimit të hetimeve dhe pas plotësimit me informata shtesë, kemi ardhur në përfundim se nuk ka bazë ligjore për shkelje disiplinore”, thotë në letrën e tij Valdet Hoxha, drejtor i departamentit për hetime në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK). “Kryeshefi ekzekutiv ka marrë vendim që të ndërpresë hetimet (në mungesë ta fakteve)”.

Gjashtë muaj më vonë, Prokuroria Komunale në Prishtinë përkatësisht prokurori Imer Beka, ngret propozim-akuzë.

I kontaktuar nga gazeta, polici i pandehur Gashi nuk ka dashur të prononcohet për këtë rast ndërsa polici Krasniqi nuk ka pasur qasje në telefonin e tij për mese një javë.

Zyrtarët e Inspektoratit Policor të Kosovës pretendojnë se mbyllja e hetimeve në atë rast ka qenë veprim normal, pasi sipas tyre në atë kohë Inspektorati Policor ka vlerësuar se nuk ka pasur prova për të vazhduar më tutje. Tash kreu i hetimeve në IPK, Jetullah Aliu, e arsyeton mbylljen e hetimeve me faktin se inspektorati në atë kohë nuk ka pasur kompetencat të cilat i ka tani.

Sipas tij, tash IPK ka kompetenca të kryej hetime penale të cilat në atë kohë është dashur t’i kryente policia pasi lënda të ketë qenë përcjellë nga inspektorati.

“Mandati i atëhershëm i inspektoratit i ka kufizuar hetuesit në grumbullimin e disa prej provave” Jetullah Aliu – IPK  

“Mandati i atëhershëm i inspektoratit i ka kufizuar hetuesit në grumbullimin e disa prej provave”, thotë Aliu.

Aliu nuk është në dijeni se prokuroria ka ngritur ndonjë propozim-akuzë për këta zyrtarë policorë të Kosovës. “Ne nuk kemi informatë se ndaj tyre është ngritur ndonjë propozim-akuzë”, thotë Aliu. Megjithatë, ai konsideron se është çështje e prokurorisë që ta njoftojë inspektoratin në këso raste ku të dyshuar janë policët e Kosovës.

Prokurori Imer Bekaj thotë e se ai nuk e ka obligim ligjor t’i njoftojë qoftë inspektoratin qoftë Policinë e Kosovës për rastet kur ngriten aktakuza ndaj tyre. 

Policia e Kosovës, në një përgjigje të saj, pohon se nuk ka qenë përgjegjëse për të hetuar këtë rast. “Për informimin tuaj në atë periudhë kohore që ju referoheni, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Kosovës nuk ka qenë kompetente për të zhvilluar hetime disiplinore lidhur me rastet kur punonjësit e Policisë kanë qenë të dyshuar për veprimtari penale, prandaj ky rast është hetuar nga IPK-ja . Ju lutem drejtojuni IPK-së për informacione më të hollësishme”, thuhet në përgjigjen e policisë për këtë rast.

Për dallim prej këtij rasti,  pjesa më e madhe e policëve të Kosovës të cilët akuzohen për vepra penale, suspendohen nga puna deri në përfundim të gjykimit, mirëpo këtu moskoordinimi i organeve të ndjekjes ka bërë që këta policë të vazhdojnë punën e tyre – deri në momentin kur ishin kapur duke marrë mito në rrugën Prishtinë-Pejë.

Policët Veton Gashi dhe Hidajet Krasniqi u suspenduan pas raportimit të gazetës për mito.

Në Gjykatën Komunale të Prishtinës, nën drejtimin e gjyqtares Shahadije Gërguri, deri më tash janë mbajtur gjashtë seanca në lidhje me rastin e rrahjes. Seanca e radhës është planifikuar të mbahet për 11 tetor.

Inspektorati policor thotë të mos jetë në dijeni as për këto seanca.

Në raste të tjera, kur policët gjenden fajtorë për vepra të kryera në detyrë zyrtare nga gjykata, ata largohen nga vendet e punës.

<iframe src=”http://player.vimeo.com/video/50017597?autoplay=1″ width=”569″ height=”356″ frameborder=”0″ webkitAllowFullScreen mozallowfullscreen allowFullScreen></iframe>