Polaku Transplantoi Veshkën në Kosovë
Në Prokurorinë e Varshavës në Poloni ishte i ulur dëshmitari Sadaj Tadeuz. Ai kishte pranuar një ftesë nga kjo prokurori që përmes video-lidhjes të dëshmonte në Rastin Medicus. Gjykata kishte siguruar dërgimin e ftesës dhe video-lidhjen përmes ndihmës juridike ndërkombëtare.
Dëshmitari Sadaj Tadeuz, në përgjigje të pyetjeve të prokurorit, dëshmoi për gjithë atë që kishte kaluar gjatë vitit 2008.
“Para se të vija për transplantim në Kosovë, kisha katër vjet që me shëndet nuk isha mirë; për tri vjet me radhë isha në dializë, pasi që asnjëra nga veshkat nuk kishte funksion”, tregoi Tadeuz.
Ai tregoi gjendjen shëndetësore që kishte para transplantimit. “Në dializë shkoja çdo dy ditë, për nga katër orë, e meqë veshkat nuk më punonin atëherë kisha nevojë për transplantim”. Po ashtu tha se transplantimin mund ta bënte në Poloni, pasi njerëzit duhej të prisnin deri në 20 vjet.
“Kam kërkuar në internet për transplantim, e nga interneti gjeta se transplantimet ishin të lejuara në Malejzi dhe gjithandej në Azi. Por unë kërkoja në Evropë. Nga një klinikë gjermane mora një e-mail dhe kontaktova me të”. Ai tregoi se ishte doktori turk, Yusuf Sonmez, i cili e kishte kontaktuar dhe e kishte ftuar për një vizitë në Stamboll.
Dëshmitari kishte udhëtuar nga Varshava direkt në Stamboll, ku kishte marrë një taksi për në hotel, e aty më pas e kishte takuar doktor Somnezin dhe së bashku kishin shkuar në pjesën tjetër të Stambollit, tek klinika e këtij të fundit.
“Në Stamboll kam qëndruar katër ditë dhe kam bërë dy dializa si dhe më janë marrë kampion të gjakut për analiza”, tha dëshmitari.
Ai kishte pritur përgjigje nga dr. Somnezi për tre muaj, e pastaj ai e kishte lajmëruar përmes e-mailit dhe i kishte shpjeguar gjendjen e tij shëndetësore dhe i kishte thënë se është koha të bënte transplantin e veshkës. Dëshmitarit i ishte dashur të udhëtonte për në Stamboll prapë.
“Në korrik të 2008, unë udhëtova për në Stamboll, ku atje takova prapë dr. Yusufin, i cili më propozoi një spital, por nuk e dija që është në Kosovë”, tha Tadeuz. Ai saktësoi se bashkë me këtë mjek kishte udhëtuar për në Kosovë.
Dëshmitarit nuk i kujtohej se në cilin qytet kishte arritur, e as sa larg gjendej klinika ku kishte marrë trajtim. Ai nuk kishte parë as emrin e vendit e klinikës, krejt kjo për shkak të gjendjes shëndetësore që kishte pasur dëshmitari në atë kohë.
Atij i kujtohej se e kishte dhënë pasaportën dhe kishte nënshkruar disa dokumente. “Ju dhashë pasaportën e pastaj i nënshkrova disa dokumente, ato ishin në disa gjuhë… Dokumentet i prezantoi një burrë i shkurtër me flokë të zeza, i moshës 40 deri në 50 vjet”, tha Tadeuz.
Lidhur me operacionin, dëshmitari tregoi se kishte qëndruar vetëm 1 ose 2 orë pas arritjes dhe pastaj e kishin futur në operacion. “Ekipi që më operoi ishte në krye me Yusuf Somnezin, si anesteziologe ishte një femër”.
Pas operimit, dëshmitari kishte qëndruar dy ditë pa vetëdije dhe kur ishte zgjuar e kishte ndier veten më mirë, trajtimi në klinikë kishte zgjatur për 10 ditë, më pasi kishte udhëtuar për në Stamboll, së bashku me djalin e tij.
Kostoja e operimit ishte 25 000 euro. “10 000 euro i dhashë kur isha në Stamboll për vizitën e parë, ndërsa 15 000 euro të tjera i dhashë në klinikë… Ato ia dhashë në dorë Yusufit”.
Pasi dëshmitarit iu treguan disa foto, ai arriti të njihte vetëm Yusuf Somnezin, ndërsa të tjerët nuk i njihte. Po ashtu, kolegji ia afroi kamerën për secilin të pandehur, por ai tha se nuk i njihte asnjërin nga ta.
Gjendja shëndetësore e dëshmitarit Sadaj Tadeuz në përgjithësi tani është e mirë. “Atëherë isha gjysmë i vdekur, e tani jam i gjallë”, e përshkroi gjendjen e tij.
Në këtë seancë, mbrojtësi i Driton Jiltës, Ismet Shufta, filloi pyetjet në anglisht, e kryetari i kolegjit reagoi duke i thënë që t’i bënte pyetjet në shqip, por mbrojtësi vazhdoi me pyetjet në anglisht.
Pas pushimit, kryetari i kolegjit i tërhoqi vërejtjen se “kolegji nuk do ta tolerojë më një mosrespektim nga ana tij”. Shufta, edhe seancën e kaluar, i ishte kërcënuar kolegjit se do t’i raportonte “në instanca të larta” për mënyrën se si po e gjykonin këtë rast. “Nëse do të ketë prapë tentativa të tilla, kolegji nuk do të ketë tolerancë për ju dhe do të ju gjobisë”, tha kryetari i kolegjit.
Në këtë seancë si dëshmitar u dëgjua edhe dr. Daut Gorani, kardiolog, i cili kishte punuar në Klinikën Medicus prej muajit maj 2008 deri në shtator 2008. Dëshmitari tregoi se nuk kishte parë asnjë të huaj në klinikë, kjo pasi që nuk shkonte shpesh atje.
Të pandehurit në këtë çështje janë Lutfi Dervishi me profesion mjek dhe profesor i urologjisë; Arban Dervishi, ekonomist i diplomuar; Driton Jilta, mjek dhe ish-punëtor shëndetësor i OSBE-sënë Kosovë; Ilir Recaj, mjek njëkohësisht ish-sekretar Permanent në Ministrinë e Shëndetësisë në kohën e ministrit Alush Gashi; Sokol Hajdini, Islam Bytyqi dhe Sylejman Dula, të tre mjekë anesteziologë.
Të gjithë këta akuzohen për krim të organizuar, trafikim me njerëz, ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe shpërdorim i detyrës zyrtare, ose i autorizimit, të gjitha në bashkëkryerje.