Plazhi 6. Batllavë :)

Liqenit Batllava, i rrethuar me natyrë të bukur dhe rreth 30 kilometra nga Prishtina, i mungon infrastruktura përcjellëse për të qenë vend shumë atraktiv për turistët. Por, kjo gjendje pritet të ndryshojë deri në fund të vitit.
 
Sipas një projekti të financuar nga Bashkimi Europian dhe komuna e Podujevës, e që mban emrin “’Zhvillimi, përmirësimi dhe promovimi i turizmit në liqenin e Batllavës”, liqeni dhe “plazhet” e tij do të marrin tjetër pamje.

Bedri Sylejmani, menaxher i këtij projekti në komunën e Podujevës, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se për këtë projekt janë ndarë rreth 371 mijë euro, 44 e mijë prej të cilave i ka dhënë komuna. 

Sipas Sylejmanit, parashihet riparimi i rrugëve hyrëse për në liqe, ndërtimi i hapësirave për parkingje, rregullimi i gjashtë “plazheve” të liqenit, ndërtimi i fushave sportive etj.

“Pjesa kryesore e këtij investimi është Plazhi 6 (që njihet si te Plepat), i cili do të ketë një hapësirë me rreth 7000 metra katrorë me rërë”, tha Sylejmani. “Brenda kësaj sipërfaqeje do të vendosen çadrat me nga dy shtretër”.

Punimet për rregullimin e këtyre hapësirave, sipas Sylejmanit, pritet të fillojnë gjatë javës kur komuna parasheh edhe dhënien e kontratës për kompaninë ndërtuese.

Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë i tha gazetës se e ka përkrahur këtë projekt që nga qershori i vitit 2012.

Që atëherë, Sylejmani thotë se janë kryer disa faza ndërtimi.

“Është bërë emërtimi i vendeve të frekuentuara nga vizitorët, janë vendosur kontejnerë të mëdhenj për mbeturina, është bërë ndërtimi i kanos (vendi ku lidhen barkat)…”, tha Sylejmani.

Kontejnerët e vendosur përreth Batllavës duket se deri më tash nuk kanë kryer shumë punë, por komuna pret që liqeni të bëhet pjesë e rëndësishme e zhvillimit të saj pas fundit të këtij viti.

Ndërsa turizmi po hyn në agjendën e institucioneve, më 11 prill Alpet Shqiptare morën çmimin e parë për turizëm në kategorinë “Administrim i Destinacionit” nga Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimeve në Abu Dabi.

Më herët, alpet shqiptare ishin vlerësuar në mesin e 12-të destinacioneve të zgjedhura turistike për vitin 2013 nga 46 shtete sa ishin në garë.
 
Gazeta The New York Times i kishte paraprirë këtij shpërblimi duke përshkruar turizmin ballkanik dhe udhëtimin në këmbë në trekufirin Kosovë, Mali i Zi, Shqipëri.

Artikulli përshkruante turizmin ekzotik që e kishin bërë disa amerikanë, në një pako që është rezultat i një projekti të përkrahur nga agjencia gjermane për zhvillim GIZ.

Ekrem Hyseni nga sektori i përkrahjes së ekonomisë në GIZ i ka thënë gazetës se qeveria gjermane e ka përkrahur zhvillimin e turizmit në Kosovë që nga viti 2004-2005.

“Projektet kryesore të Qeverisë Gjermane në sektorin e turizmit kanë qenë dhe janë të orientuara në forcimin e kapaciteteve të institucioneve qeveritare, në hartimin e dokumenteve strategjike për zhvillimin e turizmit, përkrahjen në themelimin dhe funksionalizimin e shoqatave të bizneseve turistike, promovimin e turizmit kosovar në panairet regjionale e ndërkombëtare”, tha Hyseni.

Hyseni tregoi se për këto projekte qeveria gjermane ka pas bashkëpunim të ngushtë edhe me institucionet kosovare.

“Kemi një partneritet të ngushtë me Ministrinë për Tregti dhe Industrisë Departamentin e Turizmit si dhe me ministritë tjera relevante në nivel qendror dhe me komunat në nivel lokal”, tha ai. 

“Qëllimi i organizatës sonë ka qenë që përmes projekteve të përbashkëta të zhvillojmë kapacitetet vendore të cilat do të zhvillojnë më tej këtë sektor shumë aktiv dhe me potencial për zhvillim të ekonomisë dhe rritje të punësimit”.

Por, Hyseni thotë se buxheti që e ndajnë ministritë për zhvillimin e turizmit nuk është i mjaftueshëm për të zënë hapin më vendet e regjionit.

“Shqipëria dhe Mali i Zi, po bëjnë hapa të mëdhenj në këtë drejtim”, tha Hyseni.

Ministria nuk është përgjigjur për të diskutuar buxhetin dhe planet e saj për këtë sektor, ndërsa Hyseni i GIZ-it thotë se Kosovës nuk i mungojnë potencialet për zhvillimin e turizmit por i mungojnë kapacitetet institucionale.

“Pas detit, malet janë potenciali i dytë më i rëndësishëm në botë për zhvillim të turizmit”, tha ai.