Kandidatët e AAK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza: KALLXO.com

Plani për arsim i koalicionit AAK-Nisma: Rritje të pagave për mësimdhënësit dhe digjitalizim të shkollave

Reformë kurrikulare, rritje të pagave të mësimdhënësve, ndërtim të Çerdheve modulare dhe vendosje të urave lidhëse mes niveleve për orientimin në karrierë janë disa nga zotimet që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) i ka dhënë për sistemin e arsimit, me anë të Programit për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Në kohën kur AAK-ja ishte në pushtet, një prej projekteve që e kishte realizuar në fushën e arsimit ishte ndërtimi i Kampusit të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren. Por, nëse ia del ta marrë sërish drejtimin e Qeverisë pas Zgjedhjeve të 9 shkurtit, kjo parti synon ta ndërtojë një Kampus tjetër – atë të Universitetit të Gjilanit.

Ky është vetëm njëri nga zotimet e AAK-së, ngase në listën e saj ka shumë premtime të tjera, që nisin nga rritja e pagave të mësimdhënësve për 50%, ndërtimi i Çerdheve lëvizëse me materiale të lehta, rritja e Fondit për arsim në 6% të GDP-së, pagimi i mësuesve shqiptarë në shkollat shqipe në diasporë, e deri te rritja e buxhetit për arsim në 916 milionë euro.

Kandidatët e AAK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza, KALLXO.com

Katër nga 110 kandidatët e koalicionit të AAK-së me Nismën, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30 dhe Listën Ideal: Teuta Haxhiu, Haki Abazi, Nazim Gagica dhe Mensur Neziri besojnë që në krye me Ramush Haradinajn do të vazhdoheshin projektet që kanë mbetur në gjysmë nga mandati i kaluar.

Këtë bindje të pasuar me shumë zotime e premtime, kjo katërshe e ka shpërfaqur gjatë “Debatit Përnime”, më 14.01.2025.

A do të rivlerësohen mësimdhënësit?

Në katër vjet mandat të Qeverisë Kurti ka pasur një përplasje të dukshme mes institucioneve qendrore dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit – lidhur me futjen në testim vlerësues të mësimdhënësve nëpër shkollat e Kosovës.

Sindikata në vazhdimësi e ka kundërshtuar një gjë të tillë, duke vlerësuar se kjo ide është ofenduese ndaj mësimdhënësve, pasi ata janë të diplomuar dhe janë vlerësuar gjatë studimeve nga profesorët.

Se a do ta bëjë një gjë të tillë AAK-ja, kandidati për deputet, Mensur Neziri, i cili njëherësh është profesor në Universitetin “Haxhi Zeka” në Gjilan, tha se nuk do të vazhdohet kjo politikë e ministres nga Vetëvendosja, Arbërie Nagavci.

“Një test klasik që t’i vendosë mësimdhënësit në test për të parë se sa janë njohuritë e tyre është disi si një fyerje për mësimdhënësit.” – tha ai, duke e cilësuar si “politikë të dështuar” qasjen e Qeverisë Kurti. Sipas tij, AAK me partnerët e saj në koalicion nuk do ta realizojnë një gjë të tillë asesi.

Kandidati i AAK-së, Mensur Neziri; Foto: Naser Fejza, KALLXO.com

Neziri tha se zhvillimin profesional Aleanca do ta ketë prioritet, në mënyrë që çdo mësimdhënës të ketë trajnime të vazhdueshme në bazë të nevojave profesionale.

Teuta Haxhiu, një nga anëtaret e kamotshme të Aleancës, e cila është në mesin e 110 kandidatëve të tjerë për deputetë, pas një shkëputje që pati nga prania e saj në institucionet qendrore, premtoi se nëse kandidati tyre, Ramush Haradinaj do të vijë në krye të Qeverisë do ta rrisin koeficientin e pagave, qysh në rishikimin e parë të buxhetit të vendit.

“Nëse flasim për vitin 2019-2020 kemi pasur 205 milionë për të gjithë Komunat për arsimin, që i bie 33% e krejt fondit për pagat e sektorit publik. Ndërsa, për vitin 2025 janë paraparë fondi i pagave për arsim 248 milionë, kurse fondi i përgjithshëm do të jetë 916 milionë.” – tha ajo.

Haxhiu u zotua se do ta ruajnë dinjitetin e mësimdhënësve, duke ia rritur pagat përmes koeficientit, që kjo parti e parasheh të jetë 155 euro.

Risi e quajtën kandidatët e kësaj partie planin që t’i paguajnë edhe mësuesit që japin Gjuhë shqipe në shkollat në diasporë.

Edhe pse nuk shpalosi një plan të hollësishëm, Haxhiu tha se mësimin shtesë në diasporë do ta rregullojnë me ligj, pasi sipas saj mësimdhënësit po punojnë atje në baza vullnetare ose të varur financiarisht nga bizneset.

“Për mësimdhënësit që janë në diasporë do të marrë përgjegjësinë vetë shteti i Kosovës që t’i paguajë pagat e tyre.” – tha ajo, duke u ballafaquar më pas me konstatimin e Kreshnik Gashit se për t’u paguar mësimdhënësit nga shteti i Kosovës është jetike një Marrëveshje bilaterale mes Kosovës dhe shtetit përkatës.

Përgjigja e Haxhiut sërish ishte e shkurtër dhe pa hollësi: “Do ta rregullojmë me ligj”.

Se si do të rregullohet çështja e mësimdhënësve të diagnostifikuar me sëmundje, ajo tha se do të nxirret një Ligj i veçantë, në mënyrë që këta mësimdhënës të dalin në pension të parakohshëm me pagë të plotë.

Çka për infrastrukturën shkollore?

Teuta Haxhiu shpjegoi se në Programin e tyre zgjedhor kanë planifikuar të bëjnë përmirësimin e infrastrukturës fizike, me kritere bashkëkohore për të gjitha shkollat në vend, si dhe të kenë trajtim të barabartë si ndaj institucioneve arsimore publike ashtu edhe ndaj atyre private.

Ndër të tjera, ajo tha se do t’i përfundojnë të gjitha shkollat që kanë mbetur të papërfunduara, e më pas nëse ka kërkesa nga Komunat do t’i shqyrtojnë nevojat.

Ajo premtoi se për sigurinë në shkolla do të punojnë në trekëndëshin didaktik mes shkollës, prindit dhe mësimdhënësit.

Kandidatja e AAK-së, Teuta Haxhiu; Foto: Naser Fejza, KALLXO.com

Në anën tjetër, kandidati për deputet, Nazim Gagica, i cili ka qenë drejtor i Arsimit në Komunën e Gjilanit, tha se Programi i tyre përfshin ndërtimin e Çerdheve modulare.

Sipas tij, Çerdhet e tilla do të ndërtohen në afat prej 40 ditësh prej materialeve të lehta, të montueshme, prej paneleve të drurit dhe materialeve të parafabrikuara.

Gagica tha se këto Çerdhe do të jenë ekologjike dhe të qëndrueshme, si dhe rezistente ndaj tërmeteve dhe zjarreve.

Edhe pse nuk pati shifra konkrete, por iu afrua një milionëshit, Gagica tha se kostoja është më e ulët se Çerdhja që e promovoi kryeministri Albin Kurti në Kaçanik.

“Çerdhja e proklamuar nga kryeministri Albin Kurti në Kaçanik i ka vetëm 40 fëmijë, ndërsa me ne do të jenë 120 fëmijë. Këto Çerdhe mund të lëvizin. Në qoftëse se bie numri i nxënësve mund të bartet prej një lokaliteti në një tjetër.” – tha ai.

Se si do t’i integrojnë studentët serbë që vijojnë mësimin në strukturat paralele në Komunat veriore të Kosovës, Neziri tha se e kanë vetëm një standard – Kushtetutën e Kosovës.

“Kudo që ato institucione ushtrojnë atë veprimtari, ato duhet ta bëjnë në bazë të Ligjeve dhe Rregulloreve të Kosovës.” – tha ai.

Kurse për integrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, Neziri tha se në Universitet i kanë disa kuota të caktuara për pakicat, ku studentët garojnë dhe mund të fitojnë.

Mirëpo, sipas tij, nëse pjesëtarët e komuniteteve nuk aplikojnë, atëherë nuk kanë ndonjë zgjidhje për këtë gjë.

Dështimet në arsim, si do të rritet cilësia?

Rezultatet e dobëta në testin e standardizuar PISA, është një ndër çështjet që e kanë sfiduar ndër vite sistemin e arsimit në Kosovë. Ky test për vite me radhë shpërfaqi një performancë jo të kënaqshme në njohuritë bazike të nxënësve kosovarë.

Rezultatet e PISA-s për vitin 2022 treguan se nxënësit kosovarë performuan rreth 83% dobët në lexim, rreth 79% dobët në shkencë, rreth 85% dobët në matematikë. Në këtë test të vitit 2022 morën pjesë 6027 nxënës 15-vjeçar, nga 229 shkolla të Kosovës.

Mensur Neziri tha se nëse fitojnë votat e mjaftueshme do të realizojnë reformë në kurrikulat shkollore që nga arsimi parashkollor e deri te niveli parauniversitar.

Neziri premtoi se do t’i bëjnë analizë teksteve shkollore, pasi që sipas tij, ato jo çdo herë janë të përshtatshme me aftësitë kuptimore e me rezultatet që janë të përcaktuara me kurrikula.

“Si pasojë e kësaj kemi rezultate të dobëta në testin PISA.” – tha ai.

Një pjesë e reformës së tyre në arsim, sipas tij, parasheh përcjelljen profesionale që nga klasa e parë deri në të nëntën, në mënyrë që nxënësit të drejtohen ose orientohen më mirë drejt Shkollës të Mesme, e “pastaj Shkolla e Mesme të jetë urë lidhëse për orientim në Universitet”.

Ai tha se do të bëjnë rikthimin e Kontratës Kolektive, duke e quajtur hap të gabuar nga qeverisja aktuale mosrespektimin e saj. Sipas tij, Aleanca do të ketë buxhet të veçantë për realizimin e kësaj Kontrate.

Kandidati Haki Abazi tha se në katër vjetët e fundit është shkatërruar dialogu social dhe është parandaluar Kontrata Kolektive.

“Mendoj që me tre-katër milionë euro program të digjitalizimit të lëndëve kryesore mund ta përfshijmë edhe diasporën. Vetëm duhet vullnet politik.” – tha ai.

Kandidati i AAK-së, Nazim Gagica; Foto: Naser Fejza, KALLXO.com

Ndërsa në Arsimin e Lartë, Neziri tha se do të bëjnë digjitalizimin e përmbajtjeve mësimore dhe përfshirjen e programeve në bazë të trendit të punës.

“Do të insistojmë që të rrisim buxhetin në fushën e shkencës dhe hulumtimit, në mënyrë që në Universitet të gjenerojnë të hyra me interes vendor dhe ndërkombëtar. Kështu, jo vetëm që do të rritet performanca, por edhe institutet ekzistuese do të mund të hulumtojnë në fushën e arsimit të lartë.” – tha ai.

Por, Neziri nuk ofroi hollësi të tjera se çka do të thotë pavarësi financiare dhe në çfarë fazash mund të shtrihet një premtim i tillë, në mënyrë që të jetësohet.

Në këndvështrimin që shpërfaqi ai, pavarësia financiare nënkupton që në aspektet akademike, “do të krijohen mundësi që studentët të aplikojnë në projekte ndërkombëtare dhe vendore për të fituar mjete financiare për Universitetin”.

Ai premtoi se do ta ndërtojnë edhe një Kampus të ri për Universitetin Publik të Gjilanit “Haxhi Zeka”. Sipas tij, sapo ta marrin mandatin do të bëhet një studim fizibilitetit në aspektin teknik dhe do të iniciohen të gjitha procedurat për ndërtimin e Kampusit.

Në anën tjetër, Neziri tha e kanë me prioritet që studentët të jenë të liruar nga pagesa, por me kusht, e jo të jenë të liruar dhe të shkojnë në ato Programe, përmes së cilave nuk kanë pastaj një marrëdhënie pune.

Ndërsa, Nazim Gagica shpërfaqi një plan tjetër që është i fokusuar në nivel të Shkollave të Mesme, me fokus të veçantë ato profesionale, që sipas tij duhet të arrijnë një autonomi financiare duke punuar vetë nxënësit për të siguruar të holla për Shkollën.

“Shkollat profesionale do të absorbojnë të hyra nga puna që e bëjnë nxënësit dhe mësimdhënësit. Sinjalizimi i rrugëve mund të bëhet nga vetë nxënësit. Për shembull, pastrimin e veturave komunale, ku shpenzohen mijëra euro në tenderë, mund ta bëjnë vetë nxënësit tanë në Shkolla profesionale; [pastaj] mirëmbajtja e rrjeteve dhe teknologjisë…” – tha Gagica.

Me paratë e gjeneruara, sipas tij, mund të krijohet një autonomi menaxhuese.

Kandidati Haki Abazi, i cili së fundmi aderoi në AAK, e më parë ishte edhe zëvendëskryeministër në Qeverinë Kurti si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se në arsim do të kenë një qasje pragmatike dhe racionale.

“Një qasje jo vetëm pragmatike, por racionale e konkrete të AAK-së dhe koalicionit tonë ndaj një sektori që është degradu për 25 vjet në mënyrë konstante – pjesërisht nga politizimi e tentimi për ta bërë sektorin makinë votuese.” – tha Abazi për sistemin e arsimit.

Kandidati i AAK-së, Haki Abazi; Foto: Naser Fejza, KALLXO.com.

Megjithatë, përgjatë 25 vjetëve të kaluara, në periudha të caktuara në pushtet ishte edhe partia në të cilën po kandidon për deputet në këto Zgjedhje.

Çka për rajonin 05?

Haki Abazi tha se në rajonin 05 kanë kapacitete të plota për përpunimin e drurit, për turizmin në pjesën e Sharrit, për përpunimin e hekurit, duke filluar prej fabrikës së gypave që ka qenë gjigant, e që sipas tij, vazhdon me qenë prodhuesi më i madh i gypave në Europën Juglindore.

“AAK-ja ka dhënë përkushtimin për zhvillimin e Sharrit dhe Qendrës së skijimit në Brezovicë” – tha ai.

Abazi tha se Centrali me gaz duhet të ndërtohet në rrethinën e Obiliqit, aty ku sipas tij janë kyçjet për transmisionin shpërndarës. “Do të ishte gabim që të tentohet të bëhet diku tjetër.” – tha ai.

Kurse për Impiantin për trajtimin e ujërave të zeza në Ferizaj, Abazi tha se Qeveria e udhëhequr prej Haradinajt nuk ka me qenë pengesë.

“Trajtimi i ujërave në nivelin komunal ka qenë një projekt i financuar nga Qeveria hungareze dhe është zhagitur për katër vjet.” – tha ai.

Kurse, Nazim Gagica për impiantin që kishte nisur në Gjilan në kohën e Qeverisë Haradinaj tha se do ta mbyllin në këtë mandat qeverisës.

Përvoja e Aleancës në pushtet

Në Zgjedhjet e fundit të vitit 2021 AAK fitoi 7.07% të votave. Me këtë zuri 8 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Ramush Haradinaj në vitin 2005 ishte për tre muaj Kryeministër i Kosovës. Në atë kohë, ai dha dorëheqje pas 100 ditësh qeverisjeje, pasi u akuzua nga Tribunali i Hagës për “krime lufte”.

Kjo parti, e mori pushtetin edhe njëherë në vitin 2017, por kësaj radhe në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës dhe NISMA-n, i njohur si PAN. Qeveria Haradinaj e filloi mandatin më 09.19.2017 pas humbjes së Isa Mustafës dhe zgjati deri më 3 shkurt 2020 pas humbjes në Zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.

Qeveria Haradinaj ishte formuar gjatë një seance maratonike në Kuvendin e Kosovës, me 61 vota – minimumi që i duhet një Qeverie për ta marrë besimin e deputetëve.

Votimi i Ekzekutivit kosovar ishte mundësuar falë votave të deputetëve të subjektit politik nga radhët e komunitetit serb, Listës Serbe, e cila u largua më vonë nga Qeveria. Rrjedhimisht, kjo bëri që koalicioni qeverisës që përbëhej nga PDK-AAK-NISMA të mos i ketë votat e duhura për vendimmarrje në Kuvendin e Kosovës.

AAK në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 garon në koalicion me Nismën, Konservatorët, Forumin Intelektual E30 dhe me Listën Idealin.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.