Ilustrim

Planeti në duart tona

Jemi duke hyrë në epokë të re gjeologjike – Antropocenin, ose Epokën e Njeriut. Për të parën herë pas 300 mijë vjetësh nga shfaqja e njerëzimit, njeriu është kthyer në forcën dominuese në formësimin e së ardhmes së planetit, dhe nuk është më planeti që na jep neve formë. Veprimet tona, veçanërisht varësia jonë nga lëndët djegëse fosile dhe konsumi i materialeve, janë bërë shkaku i ndryshimeve klimatike, kolapsit të biodiversitetit, ndotjes së ajrit dhe ujërave dhe degradimit të tokës. Ka ardhur koha që të gjitha shoqëritë të hapin rrugë të reja zhvillimore.

Nuk do të ishte dashur që Covid-19 të na kapte në befasi. Prej kohësh shkencëtarët kanë parashikuar ngjarje të motit ekstrem dhe shpërthimin e epidemive të viruseve që kalojnë nga bota natyrore tek njeriu. Po nuk e ndryshuam marrëdhënien tonë me natyrën, Covid-19 nuk do të jetë kriza e fundit me të cilën përballemi. Që njerëzimi të mbijetojë dhe të lulëzojë në Antropocen, është e domosdoshme të lehtësohen trysnitë mbi planetin.

Covid-19 i ka ekspozuar dobësitë në shoqëritë tona, dhe kudo i ka përkeqësuar pabarazitë. Për të parën herë prej 30 vitesh, zhvillimi global njerëzor është i kërcënuar të përmbyset prej ndikimeve të krizës së Covid-19, e cila i ka goditur më rëndë njerëzit më në nevojë.

Teksa shënojmë 30 vjetorin e Raportit të Zhvillimit Njerëzor të UNDP-së (RZhNj), raporti i këtij viti përdor një lentë eksperimentale për vlerësimin e zhvillimit njerëzor dhe qasjeve të nevojshme për sigurimin e një ekuilibri më të mirë mes njerëzve dhe planetit në Antropocen. Raporti na tregon se ende asnjë shtet nuk është duke arritur nivele të larta të zhvillimit njerëzor pa ushtruar trysni të dëmshëm mbi planetin.

Indeksi i Zhvillimit Njerëzor i përshtatur për Trysnitë Planetare ndryshon renditjen   

Me ndryshimin e trajektores së zhvillimit njerëzor dhe rritjen e pabarazive sociale dhe planetare, raporti prezanton një Indeks të ri të Zhvillimit Njerëzor të përshtatur (që merr parasysh) për Trysnitë Planetare (IZhNjP). Përveç konsiderimit të zhvillimit njerëzor në aspektet shëndetësore, arsimore dhe të standardeve të jetesës, indeksi përfshin edhe ndikimet mbi planetin duke konsideruar gjurmën që lë secili vend në emetimet e CO2 dhe të materialeve. IZhNjP sugjeron se përparimi në zhvillimin njerëzor nuk është rritur me shpejtësinë që e kemi vlerësuar deri më tani, duke qenë se ky zhvillim ka çuar në trysni të shtuara mbi planetin.

Më shumë se 50 vende me IZhNj të lartë kanë renditje më të ulët në IZhNjP, për shkak të varësisë së lartë nga lëndët djegëse fosile dhe gjurmës së madhe të materialeve, ndërsa shumë vende me IZhNj të ulët dhe të mesme ngjiten lartë kur konsiderohen trysnitë planetare. Shqipëria, për shembull, avancon 28 vende në renditjen e IZhNjP-së, krahasuar me IZhNj-në e saj. Kjo na tregon se është e mundur të arrihen nivele të larta të zhvillimit njerëzor me emetime të reduktuara të CO2 dhe përdorim më efikas të burimeve.

Me daljen e lajmeve pozitive për vaksinat e Covid-19, bota së shpejti do të fillojë të mendojë për kalimin e pandemisë, por nuk do ketë kthim në ‘normalitetin e vjetër’. Nuk mund t’u kthehemi punëve sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Para nesh shtrohet mundësia që vjen një herë në jetë që njerëzimi të zgjedhë të ndryshojë.

Kufiri i ardhshëm bën thirrje për ekuilibër më të mirë mes njerëzve dhe planetit

Kufiri i ardhshëm për zhvillimin njerëzor do të kërkojë të punohet me natyrën dhe jo kundër saj. Pabarazitë në pasuri, pushtet dhe shpërndarje të burimeve, si brenda shteteve ashtu edhe ndërmjet tyre, nxiten nga çekuilibrat planetare por edhe i përkeqësojnë ato. Komunitetet në situatat më të cenueshme janë shpesh të prekur rëndë dhe të ekspozuar ndaj ndotjes së tepruar dhe rreziqeve të larta mjedisore, veçanërisht në zonat urbane.

Kërkohen vendime të guximshme dhe ndryshime sistemike. Teksa sfidat bëhen më të ndërthurura dhe pasojat e tyre më të vështira për t’u përballuar, kapacitetet e përmirësuara, siç janë arsimi i lartë shumë cilësor dhe teknologjia, kthehen në mjete kritike për zgjidhjen e sfidave.

Të gjithë e kanë një rol që duhet ta luajnë, por njerëzit duhet të jenë të frymëzuar që të luajnë rolin e tyre, si dhe duhet t’u jepen mundësitë për të vepruar. Pothuajse 80% e popullsisë globale beson se është e rëndësishme të mbrohet planeti, por vetëm 50% thonë se ka gjasa të ndërmarrin masa konkrete për ta shpëtuar. Kërkohen ndryshime në normat dhe vlerat sociale, në stimujt dhe rregulloret. Na duhen zgjidhje të bazuara në natyrë që çojnë në mbrojtjen, menaxhimin e qëndrueshëm dhe rimëkëmbjen e ekosistemeve.

Për shkak të të dhënave të kufizuara të disponueshme, Kosova nuk është përfshirë në renditjen globale të RZhNj-së. Kjo tregon se duhet të vazhdohet me forcimin e sistemit të të dhënave të Kosovës për të siguruar që planet dhe politikat e ardhshme zhvillimore të bazohen në dëshmi dhe t’i pasqyrojnë plotësisht ndikimet mjedisore të zhvillimit në Kosovë.

Rimëkëmbja nga Covid-19 është mundësi për transformimin ekonomik

Kosova ndodhet në udhëkryq. Po na jepet një mundësi historike për transformim ekonomik përmes rimëkëmbjes nga Covid-19 me burime masive financiare, si nga burimet e brendshme ashtu edhe nga ato të jashtme. Kjo është mundësi që të zgjidhet rruga drejt një shoqërie më të shëndetshme me një ekuilibër më të mirë mes njerëzve dhe planetit.

Duke qenë se për prodhimin e energjisë vendi varet kryesisht nga thëngjilli, tranzicioni energjetik në opsione më të pastra është mënyra e vetme për të ecur përpara, nëse Kosova aspiron të përparojë në rrugën e saj të integrimit evropian, kur dihet se BE-ja është angazhuar të jetë neutrale ndaj karbonit deri në vitin 2050. Kostot ndaj shëndetit dhe mjedisit janë tepër të rënda që të injorohen.

Përmirësimi i efikasitetit të përdorimit të burimeve dhe gjenerimit të mbeturinave kërkon kalimin nga ekonomia lineare në atë qarkore. Duhet të mobilizohet potenciali inovativ i Kosovës për t’i rikonfiguruar sistemet e prodhimit. Neve na duhet rimëkëmbje e gjelbër që t’i përmbushim Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZhQ), të krijojmë ekonominë e së ardhmes dhe punë të gjelbra për Kosovën, dhe të përshpejtojmë integrimin në BE.

 

Maria Suokko është Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së në Kosovë dhe Karin Hernmarck është Ambasadore e Suedisë në Kosovë.