Ilustrim

Kosova pa plane të reagimit kolektiv në emergjenca

Zhvillimi i testeve për evakuim kolektiv dhe edukim të masës në rast krizash apo sulmeve terroriste janë një koncept i panjohur për komunat e Kosovës.

Në këso situatash shkollat, institucionet, qendrat e mëdha të grumbullimit të qytetarëve, do të duhej të testonin gatishmërinë në rast të krizave emergjente.

Në një hulumtim të saj, Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar nga 10 komuna të vendit informacione nëse ndër vite kanë testuar planet e emergjencave dhe nëse këto plane janë të miratuara nga komunat.

Planet e menaxhimit të emergjencave janë obligime për qeverisjet komunale dhe si të tilla në raste kanë mbetur në letër të pazbatuara.

Edhe pse pa ndonjë sulm serioz me qëllime terroriste dosjet e Prokurorisë së Shtetit kanë zbuluar plane për sulme dhe rrezik potencial që vendi të jetë cak i sulmeve terroriste në masë.

Dosja e cila përshkruan plane të grupeve të lidhura me të ashtuquajturin “Shtetin Islamik” ka sjellë dëshmi për plane konkrete për të kryer sulme të cilat për fat të mirë janë parandaluar.

Gazeta Jeta në Kosovë ka tentuar të marrë përgjigje nga komunat e Kosovës për të kuptuar nëse në to ka të shkruara plane konkrete mbi bazën e të cilave në rast kërcënimesh serioze të sigurisë dhe emergjencave qytetarët do të dinin si të reagonin.

Në një raport Qendra Kosovare për Studimin e Sigurisë të vitit 2008 kishin thënë se  “ka pasur vlerësime të kërcënimeve dhe rreziqeve sa i përket katastrofave natyrore nga TMK, Departamenti i Menaxhimit të Emergjencave në Ministrinë̈ e Punëve të Brendshme (MPB) dhe OSBE-së mirëpo të gjitha këto ose ishin të kufizuara ose tashmë nuk qëndrojnë̈ sepse nevojitet ripërtëritja e tyre”.

Shpallja e një gjendjeje emergjente mund të lind nga situata prej më të ndryshmeve duke filluar që nga fatkeqësitë natyrore, një trazirë civile, ndonjë epidemi apo edhe një krizë financiare apo edhe ekonomike.

Një gjendje emergjente ishte shpallur në Prishtinë në vitin 2017 për shkak të qenve endacakë.

Zyrtarja për informim në Komunën e Prishtinës, Miranda Mullafazliu, ka thënë se Komuna e ka të përgatitur Planin Operativ Emergjent (POE) në kuadër të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim.

“Sektori për Siguri dhe Emergjencë vepron konform këtij plani dhe merr masat  e gatishmërisë emergjente qoftë për parandalim, evakuim, strehim apo raste të ngjashme emergjente, që mund të vijnë si pasojë e fatkeqësive  natyrore dhe fatkeqësive të tjera”, thuhet në përgjigjet e Mullafazliut.

Sipas saj, deri më tani nuk është ekzekutuar ndonjë evakuim në përmasa të mëdha, përveç rasteve individuale (rasti te Rr. “Qamile Jaka”, Lagjja e Muhaxherëve, ku për shkak të rrëshqitjes së dheut nga ndërtimi i një objekti kolektiv janë evakuuar tri familje).

“Ndërsa në bazë të POE në vitin 2017 është shpallur gjendje emergjente për qenë endacakë në nivel komune,  dhe vendimi për ngritjen e shkallës  së gatishmërisë emergjente në nivel komune vetëm për ‘Rrugën B’ në tetor 2018”, thuhet në përgjigjet e saj për GJnK.

Dallimet e Kamenicës

Drejtoresha për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Kamenicës, Pajtesa Kryeziu, tha se ka vetëm plan për vlerësim të rrezikut në rast të vërshimeve.

“Komuna e Kamenicës nuk ka plan për siguri publike dhe plan emergjent të evakuimit. Ka vetëm dokumentin e vlerësimit të rrezikut, dhe planin operacional kontingjent në raste të rrezikut nga vërshimet”, thotë Kryeziu për Gazetën Jeta në Kosovë.

Në anën tjetër, Komuna e Ferizajt pretendon se ka disa plane të emergjencave dhe evakuimit.

“Komuna e ka planin për strehimin e popullatës për territorin e Ferizajt, planin operacional kontingjent në raste të rrezikut nga vërshimet, plani i reagimit emergjent për evakuimin e personelit nga ndërtesa e Komunës në rast të fatkeqësive elementare”, thuhet në përgjigjet e Albion Sherifit, zyrtar për media në këtë Komunë.

Madje kjo Komunë ka thënë se në këto raste ka rol kryesor edhe Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi.

Në raportin e vitit të kaluar të Këshillit Komunal të Sigurisë thuhet se kanë pasur si synim identifikimin e dukurive negative në këtë komunë si dhe parandalimin e veprimeve që mund të kenë kërcënim në siguri dhe bashkësi, eliminimin e dukurive që mund të lidhen me natyrën e krimit.

Gjithashtu ky Këshill sipas raportit ka mbajtur vetëm vitin e kaluar tri takime të rregullta dhe dy koordinuese.

Plani i Reagimit Emergjent në Komunën e Drenasit funksionon në bazë të strukturës organizative që është e paraparë  në plan, për  rastet e fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera, ku fillimisht nëse vlerësohet që rasti emergjent nuk mund të menaxhohet nga Shërbimi i Zjarrfikësve dhe ka përmasa më të gjera, atëherë sipas planit, me urdhër  të kryetarit të Komunës , që njëkohësisht  është edhe komandant i Shtabit Emergjent, hyn në funksion ky Shtab i cili përbëhet nga të gjitha subjektet që kanë të bëjnë me rastet emergjente.

Planin sipas Afrim Prokshit, nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Emergjenca, e  ka hartuar grupi punues, në nivel komunal, (i cili caktohet me vendim të kryetarit të Komunës) dhe pastaj merr pëlqimin nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave dhe më pastaj procedohet për miratim në Kuvendin e Komunës.

“Ky plan është zbatuar në disa raste, gjatë rasteve të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera, (konkretisht gjatë vërshimeve që kanë ndodhur në territorin e Komunës se Drenasit), po ashtu edhe gjatë ushtrimit fushor i koduar “Ujku 2017”, që është mbajtur në komunën e Drenasit, në bashkëpunim me FSK-në dhe të gjithë subjektet tjera që i kemi cekur më lart”, thuhet në përgjigjet e Prokshit për GJnK.

Me gjithë ekzistimin e planeve, përpos Drenasit, komunat e tjera nuk kanë dhënë detaje për momentet kur planet janë testuar.