Ilustrim. Foto: Kallxo.com

"Pikë e pesë": Reagime të përziera ndaj planeve të Kurtit për tarifën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar mbrëmë një sërë masash për heqjen graduale të tarifës 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina duke filluar me heqjen e tarifës ndaj lëndës së parë që importohet nga këto shtete duke filluar nga 15 marsi.

Ndërsa largimin e plotë të tarifës Kurti e premtoi vetëm nëse Serbia deri më 1 prill dëshmon se do ndalë fushatën për çnjohje ndaj Kosovës.

Ndërsa nga BE-ja kryeministri kosovar kërkoi që të reflektojë, duke e bërë liberalizimin e vizave për Kosovën.

Propozimet e Kurtit u pritën me reagime të përziera si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. SHBA-të nuk i përkrahën masat e Kurtit duke kërkuar heqjen e tërësishme të tarifave, BE-ja i përkrahi duke mos dhënë datë për vizat, ndërsa Serbia e konsideroi ‘mashtrim’.

Faktori ndërkombëtar ‘i ndarë’ në vendimin për taksën

Tarifa 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës e vendosur më 21 nëntor të vitit 2018 nga qeveria Haradinaj, erdhi pas dështimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatën e sigurisë INTERPOL. Qeveria e Kosovës, për këtë dështim, e kishte fajësuar qeverinë e Serbisë me fushatën e saj për t’i bindur shtetet anëtare që të votojnë kundër anëtarësimit të Kosovës.

Që nga 21 nëntori, faktori ndërkombëtar ka kërkuar largimin e taksës për t’i hapur rrugën dialogut.

Ndërsa pak orë pas konferencës së Kurtit ka reaguar menjëherë i dërguari special i ShBA-së për dialogun Kosovë- Serbi, Richard Grenell, i cili tha se nuk e pranojnë këtë gjysmë-masë.

“Nuk e mbështesim gjysmë-masën e Kryeministrit Kurti. Qëndrimi ynë është mjaft i qartë: tarifa duhet të hiqet tërësisht. Z. Kurti po bën një gabim të rëndë- dhe kjo i është bërë e qartë Presidentit Thaçi sot në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Richard Grenell.

Megjithatë, strategjinë e Kurtit e ka mbështetur BE përmes një njoftimi sot.

“Ne e mirëpresim këtë njoftim si hap të parë dhe po presim të shohim më shumë detaje. Ky hap mund të ketë efekt pozitiv në kthimin e tregtisë rajonale dhe të ofrojë mundësi për vazhdimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, të lehtësuar prej Bashkimit Evropian”, thuhet në reagim.

“Shumë kohë është humbur. Besimi duhet të rivendoset urgjentisht. Serbia dhe Kosova duhet të krijojnë një ambient lehtësues për rikthimin e dialogut në të mirën e të dyve”, thuhet tutje.

KALLXO.com ka kontaktuar kabinetin e kryeministres serbe Ana Bërnabiq për të marrë një qëndrim nga qeveria serbe për propozimin e fundit të palës kosovare, mirëpo ata nuk janë përgjigjur.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka konsideruar ‘trik të ri për mashtrim’ ofertën e Albin Kurtit.

Në anën tjetër Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) ka thënë që vendimet duhet të kenë përkrahjen edhe të SHBA-së por edhe të BE-së.

“Vërejmë që ka disa dallimeve mes SHBA-së dhe BE-së për sa i përket dialogut, mirëpo ne i kemi prioritetet tona, dhe është mirë që çdo vendim përfundimtar të jetë i diskutuar me partnerët e Kosovës për shkak se ata luajnë rol krucial në shtet ndërtimin e Kosovës”, tha ajo për KALLXO.com.

Edhe koalicioni qeveritar ‘i ndarë’ për vendimin ndaj tarifës

Lëvizja Vetëvendosje partner të koalicionit qeverisës ka Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Zyrtarët nga kjo e fundit vazhdimisht kanë paralajmëruar heqjen e tarifës, mirëpo siç duket i pari i qeverisë këtë vendim e ka marrë pa u dakoruar me partnerin e tij, LDK-në.

Kështu ka thënë zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti, duke shtuar se LDK nuk rri në qeverinë që s’e ka përkrahjen e ndërkombëtarëve për vendime të tilla.

“Ky propozim i Kurtit nuk është i koordinuar me ne. Unë kam qenë në takim për të dakorduar çështjet që janë në agjendë të qeverisë dhe jam njoftuar nga kryeministri për këtë çështje. Nuk është qëndrim i dakorduar me ne”, ka thënë Hoti mbrëmë në T7.

Ndërsa kryeparlamentarja, Vjosa Osmani ka thënë  se partnerët e koalicionit është e rëndësishme që të marrin vendime të përbashkëta.

“Ajo çka është me rendësi është që unë shohë bashkëpunim shumë të mirë nga ana e partnereve të koalicionit dhe po ashtu shoh që të dy partneret koalicionit e kanë qëllimin e përbashkët dhe ai qellim i ka dy parime themelore e para është mbrojtja e interesave të vendit dhe e dyta është mbrojtja e partneritetit me SHBA-t dhe BE-ne i cili është ekzistenciale për ecjen përpara të vendit tonë”, ka thënë Osmani.

Ndërsa për Violeta Haxhollin nga KDI, është shumë e rëndësishme që këto vendime të diskutohen edhe brenda kabinetit qeveritar por edhe në Kuvendin e Kosovës.

“Do të ishte mirë që ky vendim të hedhet ne diskutim edhe në mbledhjen e qeverisë, ndoshta edhe në Kuvendin e Kosovës që të ketë një vendim se cilat janë hapat dhe si duhet të veprohet më tutje në mënyrë që vendimi për sa i përket hapave ndajë Serbisë të jetë më gjithëpërfshirës”, tha ajo.

Haradinaj e konsideron Kurtin ‘mashtrues’, ndërsa Veseli ‘huazues’ të idesë

Ish-Kryeministri, Ramush Haradinaj kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë me kërkesën e vetme që ‘taksa të mos largohej’ pavarësisht presionit ndërkombëtar.

E pas vendimit të djeshme të Kurtit, Haradinaj kishte reaguar menjëherë duke e konsideruar mashtrues kryeministrin aktual.

“Sonte Albin Mashtruesi u dorëzua para Serbisë. Ky është fillimi i kthimit të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë. Albin Mashtruesi nga sot je përgjegjës për ripushtimin ekonomik të Kosovës nga Serbia”, ka shkruar ai.

Ndërsa PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vendimin për largimin e tarifës për lëndën e parë për produktet serbe dhe vendosjen e reciprocitetit e ka marrë si ide nga ai.

“Asgjë e re nga Albini! Të paktën, ta respektonte të drejtën e autorit. Sepse, vendimi i tij për taksën dhe reciprocitetin qenka huazuar nga ideja e propozimit tim të janarit të vitit 2019, të cilin, si çdo gjë tjetër, ai e pat refuzuar”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Ndonëse, opozita kritikoi Kurtin për këtë vendim, sipas Violeta Haxhollit nga KDI , tani është koha që edhe Serbia të reflektoj.

“Do të ishte mirë që Serbia të tregohej konstruktive ndaj procesit të dialogut, këto kanë qenë edhe kërkesat e partnerëve ndërkombëtar. Serbia duhet të pushoj fushatën sepse këto nuk i kontribuojnë përmirësimit të marrëdhënieve dhe vetëm sa e pengojnë procesin e dialogut mes dy palëve”, theksoi ajo.

Një vit pas vendimit të taksës 100 përqind