Pezullohet nga Puna Punëtori i Prokurorisë
Prokuroria e Shtetit ka marrë vendim që ta pezullojë nga puna Agron Çerretin pas raportimit të javës së kaluar në emisionin “Drejtësia në Kosovë” se ai është i dyshuar për marrje të
mitos dhe prezantim të rrejshëm,
Çerreti kishte punuar që nga viti 1985 si vozitës dhe përkthyes në Prokurorinë Komunale të Prizrenit.
Megjithëse Prokuroria kishte informacione që nga shtatori i vitit të kaluar se ai është i dyshuar për marrje të mitos, ajo nuk kishte inicuar hetime kundër të dyshuarit. Ndërkohë, të mërkurën, përmes një komunikate për media, Prokuroria e Shtetit, ka bërë të ditur se ndaj Çerretit është marrë vendim për pezullim të menjëhershëm nga puna.
“Ky vendim u mor pasi që kundër Agron Çerretit është paraqitur propozim-akuzë pranë Gjykatës Komunale në Gjilan për kryerjen e veprës penale të Mashtrimit nga neni 261, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës”, thuhet në një komunikatë të Prokurorisë.
“Gjithashtu, vendimi u mor edhe për shkak se, Agron Çerreti, ka bërë shkelje disiplinore të Ligjit për Shërbyes Civil të Republikës së Kosovës dhe Kodit të Mirësjelljes së Nëpunësve Civil, si dhe për shkak se prania e tij në zyrë ose punë mund të pengojë procedurat e mëtejme ndaj tij”.
Çerreti dyshohet se në bashkëveprim me Xhevdet Lezin, nga Suhareka, i kanë marrë 1500 euro ryshfet Zymer Lumit, i cili që nga viti 2006 po ballafaqohej me një lëndë nëpër gjykata.
Lumi e kishte paraqit Lezin e Çerretin në polici për mashtrim, mirëpo prokurori komunal, Sefer Morina, kishte ngrit propozim akuzë vetëm kundër Xhevdet Lezit, i cili edhe e ka pranuar veprën dhe është dënuar me kusht.
Ndërkohë, 5 muaj pas paraqitjes së rastit, lënda ka filluar të hetohet nga Prokuroria Komunale në Gjilan, ku edhe është ngritur propozim akuzë ndaj Çerretit më 25 janar 2012.