Peticioni Që Futi Në Grackë Shkrimtarët
Një ditë pasi peticioni “Familje e Shëndoshë – Atdhe i Shëndoshë”u bë publik në mediat shqiptare, i nënshkruar nga mbi 50 personalitete publike nga Shqipëria dhe Kosova, përmes së cilit kërkohej mbrojtja e familjes nga siç thuhet morali i importuar në familjet shqiptare, dy shkrimtarë që kanë nënshkruar atë kanë dalë me sqarimet e tyre.
Shkrimtarët Agron Tufa dhe Luljeta Lleshanaku i kanë thënë Gazetës Jeta në Kosovë se ata nuk e kanë nënshkruar peticionin për t’u ngritur kundër homoseksualizmit, ose komunitetit LGBT.
Peticioni është nismë anonime dhe i vetmi burim në të cilin gjendet inicimi i tij është rrjeti social “Facebook”. Gazeta ka tentuar të kontaktojë me nismëtarët e këtij peticioni që nuk ka më shumë se 600 pëlqime, por nuk ka marrë asnjë përgjigje në lidhje me atë se nga kush është iniciuar dhe kujt i është drejtuar peticioni.
Por buja publike e këtij peticioni të cilit i prijnë emrat e njohur të skenës publike në vend si Adem Demaçi e shkrimtari nga Shkupi Kim Mehmeti, bashkë me shefin e Degës së Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqin, ka bërë që shkrimtarët Tufa dhe Lleshanaku nga Shqipëria të distancohen nga ky peticion.
“Është keqkuptim. Nuk kam asgjë kundër martesave brenda gjinisë. E gjitha ka qenë ose një keqkuptim i imi, ose një keqpërdorim i peticionit. Nuk kam asgjë kundër martesave gei dhe në peticion nuk përmendet konkretisht asgjë e tillë”, ka thënë Lleshanaku për gazetën.
Lleshanku, ashtu sikurse shkrimtari Agron Tufa, ka thënë të mos e di se nga kush konkretisht është krijuar ky peticion.
Sipas Tufës e gjitha kishte ndodhur në një protestë kundër drogës para parlamentit.
Thotë se një gazetar, emrin e të cilit nuk e përmend, i ka propozuar idenë e nënshkrimit të një peticioni që mbron familjen. Por thotë të mos i jetë shpjeguar se peticioni përfshin edhe kundërshtimin ndaj komunitetit LGBT.
“Qysh mundem unë me qenë kundër asaj zgjedhjeje që s’e kanë bërë ata (komuniteti LGBT v.j). Nuk e dija se teksti për vlerat e familjes do pleksej njëkohësisht me anën tjetër të medaljes”, ka thënë Tufa për Gazetën Jeta në Kosovë.
Në tekstin e peticionit që u bë publik dy ditë pasi organizata që mbrojnë të drejtat e komunitetit LGBT bënë paradën e tyre kundër homofobisë me 17 maj, thuhet se është krijuar “për t’iu bërë barrierë tendencave të çarjes, shkatërrimit, shfytyrimit dhe perversionit” dhe për të luftuar ata “ që nën maskën absurde të ‘të drejtave legjitime’ kërkojnë revanshin të na imponojnë një moral të importuar”.
“Dhe për më tepër, të marrin bekimin tonë për modelet e shthurjes dhe devijimit të shëndetit të familjes dhe shoqërisë”, thuhet në peticion të cilin e kanë nënshkruar edhe emra të estradës, sikurse këngëtarët Ermal Mamaqi dhe Jonida Maliqi.
“Jo përkrahje publike modeleve që e shndërrojnë shoqërinë tonë në Sodomë dhe Gomorrë”, është njëra nga motot e peticionit e cila i referohet termit “sodomë” që nënkupton seksin ndërmjet njerëzve dhe qenieve humane që si term është pjesë e tregimit në librin “Sodom dhe Gomorrah” në kapitullin 18 dhe 19 në “Book of Genessi” në Bibël. Më vonë ky term është përdorur edhe si sinonim për homoseksualizmin.
Shkrimtarja Lleshanaku ka thënë se e ka nënshkruar peticionin pasi asaj i është thënë se është kundër fenomeneve në familje sikurse “bashkëshorti që vret gruan, “nusja që vret vjehrrën”, “biri nënën” e deri tek incesti dhe droga.
“Nëse martesat brenda së njëjtës gjini janë jonatyrale, atëherë sa natyrale është që një baba i lë fëmijët e tij biologjikë në mes të katër rrugëve? Që një nënë vret fëmijët e vet e shtyrë nga hakmarrja ndaj të shoqit? Unë mendoj se më shumë se një bashkim biologjik, familja është një përgjegjësi”,tha Lleshanaku.
E kolegu i saj, Tufa tha se ka nënshkruar peticionin vetëm si mënyrë për të mbrojtur botëkuptimin e tij të djathtë liberal.
“Jam pro të drejtave të tyre deri në atë limit që ato të drejta të mos ndrydhin e shkelin të drejtat e familjes tradicionale. Madje, nëse do t’u shkeleshin të drejtat e tyre të lirisë, apo ato kushtetuese, do të dilja në protestë vetë për mbrojtjen e këtyre të drejtave”, tha Tufa.
Peticioni ka nxitur edhe reagimet e organizatave “Ambasada Pink” dhe “Shtëpia e të Drejtave të Njeriut” në Tiranë, sipas së cilave peticioni nxit urrejtje dhe ndasi në shoqëritë shqiptare.
“Peticioni të kujton fletë-rrufetë e kohës së Enver Hoxhës, ku pseudo-intelektualët pa vlera morale dhe ideologjike, të shtyrë si hiena nga Partia e Punës, dërgonin në purgatorin e vrasjeve dhe pushkatimeve njerëz të pafajshëm, për të vetmen arsye se ata luftonin për një shoqëri të hapur, demokratike, ku çdo njeri të respektohej në të drejta dhe dinjitet”, thuhet në këtë reagim të cilin e kanë mbështetur edhe organizatat në Kosovë.