Peticioni i mbi 11 mijë qytetarëve për faljen e gjobave gjatë pandemisë COVID-19, kërkon mbështetjen e Kuvendit

Projektligji për faljen e gjobave të shqiptuara gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, do të shqyrtohet në parim në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Projektligji është dorëzuar në Kuvend në qershor të vitit 2021, pas mbledhjes së më shumë së 11 mijë nënshkrimeve nga qytetarët e Kosovës.

Numri i gjobave të cilat parashihet të falen nëse Projektligji merr dy here votat e nevojshme, është 329 mijë gjoba.

Sipas Policisë së Kosovës, ky numër i gjobave është shqiptuar pas hyrjes në fuqi të Ligjit antiCovid.

“Që nga hyrja në fuqi të ligjit antiCovid (26.08.2020) dhe deri në qershor të këtij viti, bazuar në këtë ligj, Policia e Kosovës ka shqiptuar për mosrespektim të masave anti-Covid-19 mbi 329.000 gjoba”-thuhet në përgjigjen e PK-së për KALLXO.com.

Përmes nismës legjislative, në formë peticioni, Projektligji në fjalë është iniciuar në Kuvend nga Partia Social Demokrate(PSD).

Projektligji në Kuvend, pa miratimin e Komisionit

Projektligji për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, do të shqyrtohet sot në Kuvend pa përkrahjen e Komisionit Parlamentar për Shëndetësinë.

Ky komision, në mbledhjen e mbajtur më 5 tetor të këtij viti, nuk e miratoi projektligjin në fjalë.

Partia në pushtet, në këtë mbledhje të komisionit kanë votuar kundër.

Kryetarja e Komisionit, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka thënë se pas përhapjes së COVID-19, është dashur të merren masa për parandalim.

Ndërsa deputeti i LVV-së, Burim Meta ka thënë se nuk është e sigurte qe në të ardhmen nuk do të këtë pandemi të tilla.

“Nga percpsioni i mjekësisë, nga percepsioni i deputetit, mendoj që nuk duhet të mbështeten qytetarët që kanë shkelur ligjin”-ka thënë Meta.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se PDK në mbledhjen e komisionit, i ka dhënë mbështetje këtij projektligji.

“Për shkak te krizës ekonomike ky projektligj do te ishte lehtësues për qytetarët”- ka thënë Haxhiu për KALLXO.com.

KALLXO.com ka tentuar të marr qëndrime rreth këtij projektligji nga deputeti Shemsedin Dreshaj, i AAK-së, por i njëjti ka kërkuar që t’i referohemi deklarimit të tij në komisionin për shëndetësi.

Aty Dreshaj ka rekomanduar që ligji të ngritet në cilësi dhe të gjendet një modalitet për veprim.

“Derisa kemi implementim selektiv të ligjit Covid-19, për gabime të njëjta kemi veprime të ndryshme, ky ligj është i kontestuar”-ka thënë Dreshaj.

KALLXO.com ka tentuar të marrë qëndrim i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj. Por, deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Projektligji përjashton nga falja e gjobave partitë politike

Neni 4 i Projektligjit për faljen e gjobave gjatë pandemisë Covid-19 përcakton rastet e përjashtimeve nga falja e gjobave.

Sipas këtij neni, subjektet politike në Kosovë, përjashtohen nga falja për periudhën nga data 15 mars 2020 deri me 1 mars 2021.

Po ashtu, neni përjashton nga falja, personat që kanë shkelur obligimin e izolimit dhe karantinimit, për afatin e përcaktuar nga organi kompetent, në bazë të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në Territorin e Republikës së Kosovës.

Të shpeshta kanë qenë rastet kur partitë politike përmes tubimeve elektorale gjatë periudhës së pandemisë, kanë shkelur rregullat anti-Covid.

KALLXO.com ka raportuar për shkeljet që u kanë bërë këtyre masave partitë politike në Kosovë, në tubimet para zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit 2021.

Iniciuesit akuzojnë Kuvendin për zvarritje të Projektligjit

Partia Social Demokrate (PSD) të premten me 21 tetor 2022, ka mbajtur një aksion para Kuvendit të Kosovës lidhur me nismën e kësaj partie që të falen gjobat e pandemisë.

Nol Nushi, sekretari i PSD-së ka thënë se Kuvendi është “shndërruar në një bunker”, teksa ka thënë se peticioni iu është dërguar në qershor të vitit 2021.

“Në këtë mënyrë, ne kemi nisë një nismë legjislative dhe ia kemi dorëzuar kuvendit… kjo nismë e tillë është vetëm hera e parë në historinë demokratike të Kosovës që një ligj propozohet në kuvend nga qytetarët dhe kjo u zvarrit më shumë se një vit e gjysmë që të trajtohet” – ka thënë Nushi.

Ai tutje ka shtuar se Projektligji shkoi në seancë parlamentare pa mbështetje të komisionit, dhe se për prezantim në Kuvend do të caktohet një deputet.

PSD peticionin me nënshkrime e ka dërguar në Kuvend me 17 qershor 2022 ndërsa ky projektligj do të shqyrtohet sot në seancë pas më shumë se një viti prej që është dorëzuar.

Ligji për Pandeminë në Kosovë

Më 26 gusht 2020 në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji për pandeminë.

Ligji në fjalë përcakton mes tjerash, masat e sigurisë, kontrollet, karantimin e gjobat për qytetarët të cilët shkelin masat.

Sipas nenit 24 të këtij ligji, personi juridik i cili nuk e respekton vendimin e Organit kompetent për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve në kohën e caktuar, dënohen me gjobë prej 500 euro.

Gjithashtu, personat fizik të cilët nuk respektojnë vendimin për mbajtjen e maskës, dënohen me gjobë prej 35 euro, si dhe për mosrespektim të distancës fizike, gjoba është 35 euro.

Ky ligj ishte iniciuar, atë kohë nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani.