Pesë sfidat e Presidentit Biden në Evropë

Presidenti i SHBA-së Joe Biden do të takohet të enjten me liderët dhe aleatët evropianë – në sfondin e një krize ndërkombëtare fundi i së cilës nuk po shihet ende.

Cilat janë disa nga sfidat më të mëdha me të cilat do të përballet në këtë udhëtim?

  1. Një shfaqje uniteti

SHBA deri më tani ka lëvizur në hap me aleatët e saj, veçanërisht në ditët e para të luftës kur për shkak të ngjarjeve urgjente  disa pengesa tradicionale u hoqën për ta arritur një konsensus.

Por ndërkohë që lufta po zvarritet, potenciali për mosmarrëveshje do të rritet. Biden do të duhet t’i bindë aleatët e tij se forcimi i vendosmërisë së NATO-s nuk është një kusht i përkohshëm, por një normalitet i ri.

  1. Kriza e refugjatëve

Polonia ka mbajtur pjesën më të madhe të refugjatëve ukrainas që kanë ikur nga pushtimi rus. Hapja e kufijve të Polonisë për miliona refugjatë ka vënë në presion të konsiderueshëm këtë vend dhe, nëse nuk trajtohet me kompetencë, mund të çojë në trazira sociale dhe paqëndrueshmëri ekonomike.

Sigurimi që Polonia të mbetet një anëtar i besueshëm i NATO-s është një shqetësim urgjent i SHBA-së.

  1. Zgjidhjet ushtarake

Ndërkohë që SHBA-ja ka premtuar se do t’i sigurojë Ukrainës aftësi më të avancuara të mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë, është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet.

Ka shqetësime për llojet e mbështetjes anti-ajrore që do ta provokinin një përgjigje ruse kundër NATO-s dhe logjistikën e marrjes së armëve në duart e Ukrainës – asnjëra prej të cilave nuk mund të realizohet pa aleatët evropianë të SHBA-së.

  1. Një udhërrëfyes i sanksioneve

Sanksionet dërrmuese ndërkombëtare – të udhëhequra nga SHBA dhe Evropa – kanë bërë pak për ta penguar Rusinë nga vazhdimi i sulmit të saj të plotë ndaj Ukrainës.

Ndërsa aleatët perëndimorë këmbëngulin se presioni përmes sanksioneve do të rritet me kalimin e kohës, ka një presion në rritje ndaj liderëve amerikanë dhe evropianë për të gjetur mënyra të reja për ta ndëshkuar agresionin rus.

  1. Çështja e Kinës

Amerika dhe Evropa do të duhet të bëjnë përpjekje të koordinuara për ta bindur Kinën që ta mbajë distancën nga Rusia dhe, nëse është e mundur, të jetë më e zëshme në dënimin e saj. Kërcënimi i sanksioneve ndaj Kinës nëse do ta ndihmonte hapur Rusinë tashmë po rëndon mbi ekonominë kineze.Por mbështetja e fundit e Kinës për pjesëmarrjen ruse në samitin e ardhshëm ekonomik të G20 sugjeron se kjo detyrë nuk do të jetë aspak e lehtë./BBC

 

Përgatiti: Nuhi Shala