Ilustrimi: ncafp.org

Pesë gjëra që duhen ditur për Ballkanin Perëndimor 

Kur udhëheqësit e 28 shteteve anëtare aktuale të BE u mblodhën muajin e kaluar për të diskutuar në lidhje me nisjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në këtë institucion evropian, ekzistonte një optimizëm i gjerë se këtij procesi do t’i jepej drita jeshile.

Mirëpo, një grup i vogël shtetesh, të udhëhequra nga Franca, kundërshtuan nisjen e negociatave me shtetet e Ballkanit Perëndimor derisa BE të “reformohet” – vendim ky të cilin Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker e përshkroi si një gabim historik.

Atëherë, çfarë mbetet tjetër për Ballkanin Perëndimor?

Sipas një artikulli nga Forumi Ekonomik Botëror, pesë do jenë çështjet të cilat, me shumë gjasë, do të jenë pjesë e diskutimeve në Samitin e Forumit Ekonomik Botëror që do të mbahet në Gjenevë të Zvicrës gjatë ditëve në vijim, pjesë e së cilës do të jenë edhe liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia Veriore, dhe Serbia.

  1. Rritja dhe punësimi

Të gjashtë shtetet tashmë po i rrisin përpjekjet e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërsa kërkojnë të mbyllin hendekun ekonomik me Evropën Perëndimore. Këto vende kanë gëzuar rritje të qëndrueshme gjatë dy dekadave të fundit, me një mesatare të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), për frymë që rritet nga vetëm një e pesta e normës në Gjermani në vitin 2000 në 29% sot, thuhet më tej në këtë artikull.

Sipas Bankës Botërore, papunësia në Ballkanin Perëndimor pati një rënie historike në gjysmën e parë të vitit 2019, e mbështetur nga një rritje e fortë ekonomike në vitin 2018.

Edhe pse në rënie, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnjë e Hercegovinë, përqindja e papunësisë në të gjithë Ballkanin Perëndimor mbetet në numra dyshifrorë. Por perspektiva e integrimit në BE ka çuar në reforma të tregut të punës në shumë vende.

Kosova është vendi më i ri në Ballkanin Perëndimor, me më shumë se një të katërtën e popullsisë nën moshën 15 vjeç. Shkalla e papunësisë mbetet jashtëzakonisht e ulët, veçanërisht tek gratë, me vetëm 18% të grave në fuqinë punëtore.

  1. Të bërit biznes

Tutje, gjithnjë sipas këtij artikulli, të dhënat nga Raporti Global i Konkurrencës për vitin 2019 tregojnë përmirësime në lehtësinë e të bërit biznes në Ballkanin Perëndimor. Liderë biznesi të anketuar për raportin thanë se sfidat kryesore të këtij regjioni ishin disponueshmëria e ulët e kapitalit të sipërmarrjes dhe joefikasiteteti në disa tregje financiare, të punës dhe të produkteve.

Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha për të zvogëluar kohën dhe koston e nevojshme për nisjen e një biznesi – vetëm pesë ditë me një kosto ekuivalente me vetëm 11% të të ardhurave mesatare vjetore. Disponueshmëria e kapitalit të sipërmarrjes ka qenë gjithashtu në rritje, megjithëse mbetet e ulët sipas standardeve ndërkombëtare.

Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të konsiderueshëm po ashtu në asistencë për nisje të bizneseve, me shpenzime të reduktuara në vetëm 1% të të ardhurave mesatare dhe me një procedurë me kohëzgjatje prej rreth 14 ditësh.

Mali i Zi gjithashtu ka disa pengesa shumë të vogla për të filluar biznese të reja.

Në Serbi, krijimi i një biznesi të ri zgjat pesë ditë, kushton 2% e të ardhurave mesatare dhe tregu i kapitalit të ndërmarrjeve të vendit është rritur viteve të fundit. Pothuajse 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), shpenzimet për kërkime dhe zhvillim (R&D) janë deri tani më të lartat në regjionin e Ballkanit Perëndimor, pjesërisht falë investimeve të huaja në rritje.

  1. Teknologjia dhe e ardhmja e vendeve të punës

Megjithëse udhëheqës biznesi të anketuar nga Forumi ishin të shqetësuar nga progresi i ngadaltë në regjionin e Ballkanit Perëndimor në fushën e teknologjisë të avancuar, të tilla si robotika dhe Inteligjenca Artificiale (AI), Mali i Zi ka qenë një lider në zhvillimin e teknologjisë në regjionin e Ballkanit Perëndimor.

Qeveria malazeze ka qenë një nga më aktivet në krijimin e një vizioni afatgjatë për vendin me një fokus të fortë në inovacionin. Drejtues biznesi e vlerësojnë Malin e Zi si strategjinë më të mirë teknologjike në regjion.

Mali i Zi e ka udhëhequr zhvillimin e Institutit Ndërkombëtar të Evropës Juglindore për Teknologji të Qëndrueshme, i cili po krijon një strukturë më të mirë për përdorimin e protoneve për trajtimin e kancerit, në partneritet me CERN-in, Organizatën Evropiane për Kërkime Bërthamore.

Miratimi i teknologjisë në Bosnje dhe Hercegovinë është rritur ndjeshëm, me përmirësimin më të madh në regjionin  e Ballkanit Perëndimor midis viteve 2017 dhe 2019.

Në Shqipëri, bashkëpunimi midis industrisë dhe akademisë për R&D (kërkime dhe zhvillim) është përmirësuar, por mbetet në vetëm 40% të niveleve globale, thotë shkrimi i Forumit Ekonomik Botëror.

  1. Infrastruktura

Raporti i Konkurrencës së Forumit vuri në pah “dobësi të vazhdueshme” në infrastrukturën themelore, veçanërisht hekurudhat dhe portet. Drejtues biznesi po ashtu kanë bërë apel sa i përket përmirësimeve në sistemet ligjore, duke përfshirë pavarësinë më të madhe gjyqësore dhe aftësinë për të kundërshtuar rregulloret dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet, thotë më tej ky artikull.

Në veçanti, liderët duan të shohin përmirësime në mbrojtjen e pronësisë intelektuale për të inkurajuar përdorimin e teknologjive në zhvillim nga kompanitë vendase. Ata gjithashtu apeluan për të ndërmarrë masa për të lejuar shfaqjen e tregjeve të reja pasi që risitë e reja krijojnë produkte dhe modele të reja biznesi.

Rreziqet Regjionale të Forumit Ekonomik Botëror për Raportin e Bërjes së Biznesit për vitin 2019 zbuluan se çmimet e energjisë ishin shqetësimi më i madh në regjionin e Ballkanit Përendimor, duke u renditur si më i larti në Serbi.

“Megjithëse çmimet në regjion kanë pësuar një rritje të vogël, dhe në disa raste ka pasur rënie në vitin 2018, drejtues biznesi në Ballkan duken shumë të shqetësuar për rritjen e çmimeve të energjisë, pasi parashikohet të rriten deri në 40% në 2019”, thuhet në këtë raport.

  1. Hendeku gjinor

Regjioni i Ballkanit Perëndimor ka bërë progres të konsiderueshëm në mbylljen e hendekut të tij gjinor – veçanërisht në arsim dhe shëndetësi, thuhet më tej në artikullin në fjalë.

Sidoqoftë, raporti i Forumit Ekonomik Botëror për Hendekun Global Gjinor 2018 tregon se boshllëqe të konsiderueshme mbeten akoma sa i përket pjesëmarrjes ekonomike dhe fuqizimit politik.

Kur bëhet fjalë për të parën, ky regjion ende mbetet prapa Evropës Perëndimore dhe anëtarëve të Evropës Qendrore dhe Lindore të BE-së.