Ilustrim- Pallati i Rinisë - Foto: KALLXO.com (28 janar 2018)

Përtej matjeve në kryeqytet, ndotja e ajrit problem edhe në vendet afër bjeshkëve

Ndotja e ajrit shkakton qindra vdekje të parakohshme në Kosovë dhe vështirëson jetesën e atyre me sëmundje respiratore, ndërkohë edhe qytetet rrëzë bjeshkëve janë ballafaquar me ndotje të ajrit nga një sërë faktorësh.

S. Latifi nga Prishtina vuan nga kanceri. Ajri i ndotur në kryeqytet, ndikon edhe më shumë në gjendjen e saj shëndetësore.

67 vjeçarja banon e vetme dhe daljen në qytet e ka të domosdoshme.

“Shumë ka ndotje të ajrit. Unë jam veç vet, me patjetër më duhet me dal jashtë në qytet, për me u furnizu me ushqim e produkte. Banoj veç vet, tash dy herë e kam përjetu kancerin. Moti jam tu e vërejt këtë ajër të ndotur, po s’ki çka bon. Edhe ora policore [masat ndaj pandemisë] tash që po na bjen me nejt brenda, ka ndiku shumë”, thotë ajo për KALLXO.com.

Por banorët e kryeqytetit nuk janë të vetmit që ballafaqohen me ajrin e ndotur.

Matjet e rrjetit shtetëror të monitorimit të cilësisë së ajrit, në kuadër të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, tregojnë se në mesin e qyteteve që përballen gjendje më të rënduar janë edhe Peja, Gjilani, Prizreni dhe komuna të tjera me indeks më të ulët të ndotjes.

Sipas monitorimit për katër ditë radhazi, dy herë në ditë gjatë muajit nëntor të këtij viti, Peja dhe Gjilani kanë pasur nivel jashtëzakonisht të dobët të cilësisë së ajrit.

IHMK-ja vepron me 12 stacione për monitorimin e ajrit në tërë Kosovën.

Edhe pse “Bjeshkët e Nemuna” janë sinonim i peisazhit të qytetit të Pejës, megjithatë ajri edhe në këtë qytet nuk i shëndetshëm sikurse pamja e saj dhe këtë e thonë edhe qytetarët e Pejës.

 Artan Ademaj,  i cili banon në lagjen Loxhë, thotë se për shkak të ajrit të ndotur në qytetin e tij, ka vërejtur probleme shëndetësore.

“Kohë pas kohe kam probleme me frymëmarrje dhe besoj që kjo është dukuri e zakonshme tek qytetarët e Pejës”, tha ai për KALLXO.com.

21 vjeçari beson se veturat janë një ndotës tjetër i ajrit në Pejë.

“Kjo pasi që shumica dërrmuese e qytetarëve të Pejës posedojnë një veturë për kokë banori”, shprehet ai, duke shtuar se tjetër arsye është ndërtimi i komplekseve banesore dhe shkatërrimi i hapësirave të gjelbra.

“Sado që jetojmë afër parkut nacional ‘Rugova’, prapë se prapë ka shumë pak  hapësira të gjelbra në qytet”.

Pamje nga “Bjeshkët e Nemuna” në Rugovë.
FOTO-KALLXO.com

Në anën tjetër, të dhënat e siguruara nga KALLXO.com nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, tregojnë se për vitin 2018, me sëmundje të sistemit respirator kanë qenë 27 mijë e 787 persona mbi moshën 50 vjeç apo 10.6%, ndërkaq me sëmundje të sistemit kardiovaskular kanë qenë 55 mijë e 49 persona apo 21,1%.

Kurse, për vitin 2019 pranimet spitalore nga sëmundjet respiratore te të gjitha grup moshat në Kosovë, tregojnë se më të prekur kanë qenë personat me moshën 15-49 vjeç fëmijët nga 1-5 vjeç dhe ata të moshës 6-14 vjeç.

Të dhënat nga montorimi i cilësisë së ajrit nëper disa lokacione në Kosovë më 23 nëntor 2020. Burimi: IHMK

Mbi 960 persona kanë vdekur në Kosovë për shkak të infektimit me COVID-19 që nga fillimi i pandemisë në mars të këtij viti, ndërkaq mbi 700 njerëz vdesin çdo vit në Kosovë nga shkaqet që ndërlidhen me ndotjen e ajrit, sipas raportit të Bankës Botërore të publikuar në vitin 2019.

Sipas këtij raporti, rreth 90 për qind e vdekjeve janë nga sëmundjet kardiovaskulare, të cilat prekin më së shumti popullatën mbi 65 vjeç.

Në anën tjetër, Antigona Ukëhaxhaj nga IKShPK-ja, ka thënë për KALLXO.com se të dhënat e mortalitetit për 2018 dhe 2019 në Kosovë, pritet të publikohen gjatë dhjetorit të këtij viti nga ASK-ja, edhe pse kodimi i diagnozave është bërë nga Departamenti i Statistikave të IKShPK-së.

Faktorët e ndotjes së ajrit

Industritë prodhuese, ndërtimet e larta, përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje, sidomos i thëngjillit, dëmtimi i pyjeve dhe numri i lartë i automjeteve në komunikacion, konsiderohen të jenë disa prej shkaktarëve të ndotjes së ajrit në Kosovë.

Në Kosovë qarkullojnë mbi 340 mijë automjete, duke bërë që si shtet të renditet i treti në rajon për nga numri i tyre dhe i dyti  për nga numri i aksidenteve, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për transportin në Kosovë për vitin 2018.

Të dhënat tregojnë se në Kosovë më 2018, janë regjistruar 343 mijë mjete motorike dhe jo motorike  që në raport me një vit më parë, ky numër është rritur për 2.75 për qind.

Ndërkohë në vend qarkullon një numër i madh i automjeteve të paregjistruara. Numri i veturave të paregjistruara në territorin e Kosovës është mbi 148 mijë sosh, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme. 

Çdo ditë në Kosovë janë importuat mesatarisht 95 vetura në ditë përderisa nga to lirohet mbi 4 mijë kilogramë dyokside karboni (CO2) në ditë.

Shkumbin Shala, specialist për cilësi të ajrit në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, thotë se janë duke e përcjellë gjendjen në të gjitha komunat, me theks të veçantë komunat, si Peja, Mitrovica, Prizreni, Hani i Elezit, Drenasi, e posaçërisht Prishtina dhe Obiliqi.

“Ne e kemi vërejtur ditët e fundit që ka tejkalime sidomos në zona  urbane edhe pse nuk ka industri të caktuara si rasti për shembull i Pejës, kemi pasur shumë pyetje që pse pikërisht Peja është e ndotur. Faktorët që çojnë në ngritjen e parametrave, ekskluzivisht ndërlidhen me faktorët e ekonomive familjare në këtë rast dhe transportit”, theksoi ai për KALLXO.com.

Sipas tij, faktori i parë është ekonomitë familjare, për shkak që kanë rënë temperaturat dhe njerëzit përdorin zakonisht për djegie thëngjillin dhe drurët.

“Këto lëndë djegëse nuk i nënshtrohen procesit të mirëfilltë të djegies që nënkupton, kanë lagështi shumë të madhe këto produkte, procesi i djegies nuk është në pajisje që janë të veçanta apo të sofistikuara, mungon ajrosja, shkarkimi i gazrave, i tymit të tyre dhe këta faktorë bëjnë që të kemi ngritje të parametrit Pm10 dhe Pm2.5. ndërsa parametrat tjerë janë brenda vlerave standarde”.

Pm10 dhe Pm2.5 janë grimcat të pluhurit, të cilat depërtojnë lehtë në organizmin e njeriut dhe shkaktojnë sëmundje te personat që kanë probleme me frymëmarrjen.

Shala shton se, në këtë periudhë ndikim në ndotje kanë edhe kushtet atmosferike.

“Kemi ulje të temperaturës, ngritje të lagështisë, shtypjes atmosferike, mungesës së ajrit. Por ne kurrsesi nuk duhet t’i lëmë fajtor faktorët meteorologjik, por faktori për ndotje të cilësisë së ajrit është pikërisht faktori njeri”, thekson ai.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i organizatës jo qeveritare “ERA” në Pejë, Fatos Lajçi thotë se Kosovës i mungon një strategji kombëtare për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Duke folur për Pejën, ai thotë se qyteti i tij është në mesin e komunave që nuk gjendet më në parametrat e gjelbër për cilësi të ajrit.

“Ne mundemi me mendu që Peja e ka ajrin më të pastër për shkak të shtrihet pranë Bjeshkëve të Nemuna, por është e kundërta”.

Sipas tij, pasojat e kësaj gjendje vijnë nga djegiet që bëjnë e industrive të vogla, mini-fabrikat që ngrohen me djegie të thëngjillit, “e cila normal që është sanksionuar prej ligjeve tona, por nuk respektohen, nuk kemi inspektorë që i qëndrojnë prapa kësaj pune”.

Qyteti i Pejës, Foto: KALLXO.com

Lajçi shton se për këtë ndikon edhe prerja e pyjeve dhe numri enorm i veturave në komunikacion.

“Unë e kam bindjen që secila familje nuk i ka më dy vetura, por i ka katër”, thotë ai.

“Fajtor për këtë punë jemi ne vetë qytetarët deri diku, e kemi përgjegjësinë personale se si sillemi ndaj natyrës, por është edhe mos funksionimi total i institucioneve të monitorimit të ajrit në nivel vendi”, shtoi ai.

Megjithatë, sipas ambientalistit ndikim pozitiv në Pejë ka Gryka e Rugovës, në pastrimin e smogut dhe pluhurit në ajër.

Mehmet Zylfiu është kryetar i Këshillit të Veprimit Rinor Lokal  në Gjilan. Ai konsideron që ndërtimet janë mesin e disa prej shkaktarëve që po ndotin ajrin në këtë komunë.

“Si shkaktarë për këtë ne konsiderojmë se mund të përmenden punimet në infrastrukturën rrugore dhe ndërtimet e larta private të cilat lënë shumë pluhur dhe mbeturina të vrazhda sepse kryejnë punimet pa kritere dhe standarde e këto e ndotin në mase të madhe ajrin”, thotë ai.

Përfaqësuesi i këshillit të të rinjve shton se mungesa e drunjëve dhe hapësirave gjelbëruese në qytet  është tejet shqetësuese.

“Shqetësim është edhe ngrohja me lëndë të dëmshme djegëse në shtëpi private dhe mbingarkesa me vetura pa nevojë  e që përkthehet në tym e gaz që e mbipopullon ajrin me substanca të dëmshme”.

Fatos Lajçi nga Peja konsideron se ka mundësi të panumërta sesi mund të ngritët cilësia e ajrit.

“Ndër të tjerash ish dashtë që institucionet të shikojnë se qytetet e mëdha në Kosovë të pajisen me nxemje qendrore, me rrymë alternative”, rekomandon ai.

Mehmet Zylfiu flet për iniciativat që i kanë marrë të rinjtë gjilanas për ajër të pastër.

“Si KVRL jemi përpjekur që të ndikojmë në ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi rëndesinë që ka ajri dhe ambienti i pastër. Kemi promovuar çiklizmin dhe ecjen si alternativë për zëvendësim të veturave, kemi mbjellë fidane dhe kemi pastruar hapësirat gjelbruese si edhe Pendën e Përlepnicës [liqe]”, shprehet ai.

Qyteti i Gjilanit, Foto: KALLXO.com

Kurse, Artan Ademaj banori nga Peja thotë, se zgjidhje e përgjithshme dhe jo vetëm gjatë dimrit për reduktimin e ajrit të ndotur, do të ishte ndërtimi i shtigjeve për biçikleta në qytet, si dhe të krijohen më shumë hapësira të gjelbra.

Edhe S.Latifi nga Prishtina, përmend shkaktarët kryesorë që sipas saj ndikojnë në ndotje të ajrit.

“Arsyet për ndotjen e ajrit, së pari janë këto që po lëvizin në rrugë, veturat numër një dhe normal që edhe me dru e me qymyr e krejt po ndikojnë”, tha ajo.

Megjithëkëtë, pensioni prej 90 euro në muaj, nuk i mjafton asaj që të ngrohet përmes mënyrave të tjera përveç përdorimit të drunjve për djegie.

“Unë ngrohem me dru, banoj në një ndërtesë të hekurudhës. Nuk muj me u ngrohë me diçka tjetër, sepse jetoj vetëm me 90 euro pension. Fqinjët e mi nuk dhezin as dru as qymyr, por unë po, me patjetër se nuk kam mundësi, nuk kam zgjidhje tjetër”, shton ajo.

Pensionistja thotë se zgjidhja për ajrin do të ishte mes tjerash, përdorimi i biçikletave nga ana e qytetarëve.

“Kish qenë mirë që veturat me u ndal, më tepër me ec me biçikleta dhe në këmbë, edhe me pas nxemjen qendrore, kjo kish qenë shpëtim së pari për mu e edhe për të tjerët”, shprehet ajo.

Ndërkohë që hapësirat publike po ngushtohen gjithnjë e më shumë nga ndërtimet e egra e ilegale, thëngjilli vazhdon të përdoret në nivel drastik, përmirësimi i cilësisë së ajrit mbetet një sfidë e madhe që do të lë shenjë në shëndetin e kosovarëve.

 

 

Projekti “Përdorimi i mediave për të rritur vetëdijen lidhur me shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë” është pjesë e “Dig Data Challenge” e mbështetur nga Millennium Foundation Kosovo (MFK) dhe Millennium Challenge Corporation (MCC), si pjesë e Dig Data Challenge për të dhënat mbi cilësinë e ajrit. Projekti implementohet nga Internews Kosova.